Ndërlidhjet

Siri, viktima pas lutjeve të së premtes


Forcat e sigurisë kanë hapur zjarr ndaj protestuesve në disa qytete të Sirisë.

Në qytetin Hama, sulmet zunë vend pas lutjeve të së premtes, duke vrarë një person. Hama vazhdon të jetë skenë e përleshjeve të përgjakshme që nga shpërthimi i trazirave në muajin mars.

Edhe në Homs është regjistruar një viktimë, e cila ka pësuar pasi është qëlluar me snajper.

Aktivistët thonë se ushtria ka përdorur municione të vërteta edhe në qytetin Deir el-Zour, ku më herët është vrarë një person. Një tjetër është qëlluar për vdekje në periferi të Damaskut.

Dhuna e fundit vjen përkundër presionit ndërkombëtar ndaj presidentit Bashar al-Asad për t'i dhënë fund goditjes vdekjeprurëse.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, i ka bërë thirrje Kinës, Rusisë dhe Indisë t’iu bashkohen përpjekjeve për të vendosur sanksione kundër regjimit sirian.

Ajo po ashtu ka kërkuar nga Moska të ndalojë shitjen e armëve në Damask.

“Ajo çfarë duhet të ndërmarrim për të bërë presion mbi Asadin, janë sanksionet në industrinë e naftës dhe të gazit. Ne duam që Evropa të ndërmarrë më shumë hapa në këtë drejtim. Duam që edhe Kina, edhe India t’i ndërmarrin këta hapa, sepse India dhe Kina kanë investime të mëdha energjetike brenda Sirisë”, tha Klinton.

Agjencia e lajmeve Anatolia njoftoi sot se presidenti turk, Abduallah Gyl, i ka dërguar letër homologut sirian, përmes së cilës e ka paralajmëruar "që të zbatojë reformat derisa të mos jetë shumë vonë".

Rreth 2,000 njerëz besohet të jenë vrarë që nga shpërthimi i trazirave në mesin e muajit mars.
XS
SM
MD
LG