Ndërlidhjet

logo-print

Kosovarët e rinj me sfida dhe probleme


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

Rinia kosovare ballafaqohet me probleme nga më të ndryshmet, thonë zyrtarë qeveritarë në Ditën Ndërkombëtare të të Rinjve.

Genc Prelvukaj, këshilltar politik në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, thotë se shkalla e lartë e papunësisë është një ndër problemet me të cilat ballafaqohet kjo kategori e shoqërisë.

"Rinia ka shumë probleme - mjafton të jesh qytetar i Kosovës dhe të identifikosh një numër të problemeve si: papunësia, migrimi, e shumë të tjera... Nëse i përmend edhe shumë probleme të tjera, nuk kam thënë asgjë të re, sepse të gjithë e dimë se jemi një shoqëri e dalë nga një kohë e vështirë", thotë Prelvukaj.

Sipas tij, për përmirësimin e gjendjes gjithmonë ka vështirësi, ndonëse ekziston vullneti për një gjë të tillë.

Edhe Mensur Morina, kryetar i Këshillit Qendror për Veprim Rinor, thekson një varg problemesh te të rinjtë. Problem kyç, sipas tij, është mospërfaqësimi i rinisë kosovare në pozitat vendimmarrëse.

"Rinia të jetë më e zhurmshme dhe të ketë përfaqësimin e saj, të jetë e informuar për çdo aktivitet", apelon ai.

Arbëresha Bytyqi, nga Prishtina, thotë se komunat e Kosovës duhet të angazhohen për të krijuar më tepër qendra rinore, në mënyrë që, siç thotë ajo, të rinjtë të kenë vend ku mund ta kalojnë kohën e lirë dhe, rrjedhimisht, t'iu shmangen dukurive negative.

Si problem të rinisë, Arbëresha e sheh edhe dhunën në shkolla, përdorimin e substancave narkotike, duhanin e alkoolin.

"Shpresoj se Komuna e Prishtinës do të ndërtojë një qendër rinore. Hapësira më e madhe e një qendre rinore do t'i ndihmojë rinisë të ketë aktivitete më shumë", shprehet ajo.

Bujar Mehmeti, anëtar i Këshillit Qendror për Veprim Rinor, konsideron se niveli i ulët i arsimit dhe shkalla e lartë e papunësisë janë sfidat kryesore të të rinjve. Këto sfida, sipas tij, tregojnë se të rinjtë kosovarë nuk kanë perspektivë.

"I dimë të gjithë vështirësitë e rinisë në Kosovë. Unë mendoj se arsimimi i rinisë nuk është në nivelin e duhur, pastaj papunësia e madhe... në mungesë të vendeve të punës, të rinjtë po marrin rrugët e këqija", thotë Mehmeti.

Sidoqoftë, Genc Prelvukaj, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, thotë se ky institucion po angazhohet vazhdimisht në identifikimin e problemeve te të rinjtë.

Ai thotë se ekziston vullneti i Ministrisë për përmirësimin e kushteve të tyre.

Ligji për fuqizimin e rinisë është miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Në Kosovë, 70 për qind e popullatës vlerësohet të jetë më e re se 37 vjeç.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG