Ndërlidhjet

Kreditë e këqija, pasojë e politikave jo të mira


Foto ilustruese

Foto ilustruese

Përqindja e kredive të këqija në sistemin bankar të Kosovës është duke u rritur në vazhdimësi, thuhet në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës. Ky fenomen, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, është duke ndodhur për shkak se politika kreditore në vend nuk është në funksion të zhvillimit ekonomik.


Kreditë e këqija mbeten një problem serioz për sistemin bankar në Kosovë. Sipas të dhënave të raportit vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës, i cili është publikuar ditë më parë, shihet se në fund të vitit 2010, kreditë e këqija përbënin 5.9 për qind të të gjitha kredive në sistemin bankar të Kosovës.

Ky nivel i kredive është më i lartë sesa në vitin 2009, kur kreditë e këqija përbënin 4.3 për qind.

Ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë thonë se politika kreditore, e cila nuk është në funksion të zhvillimit ekonomik dhe të bizneseve, bën që në Kosovë të ketë kredi të këqija.

Profesori i ekonomisë, Musa Limani, thotë se kreditë që japin bankat komerciale, kanë normë shumë të lartë të kamatës si dhe afat shumë të shkurtër të kthimit. Kjo, sipas tij, bën që kredimarrësit të mos kenë mundësi ta kthejnë kredinë.

“Te ne, zhvillimi ekonomik bëhet ‘ad hoc’, prandaj problemi i moskthimit të kredive nga ana e biznesit ndodh për shkak të një politike joadekuate kreditore dhe një politike joadekuate që zbatohet nga Qeveria e Kosovës”, shprehet Limani.

Në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës po ashtu thuhet se reflektimi i krizës ekonomike globale ndikon në aftësinë paguese të kredimarrësve, duke reflektuar kështu negativisht në cilësinë e portofolit kreditor të sistemit bankar.

Iliriana Tahiri, menaxhere në Zyrën për marrëdhënie me publikun në "Raiffeisen Bank", thotë se nëse i referohet përqindjes së kredive në raport me portofolin që ka kjo bankë, numri i kredive të këqija është brenda normave të tolerueshme dhe nuk ka shënuar rritje.

“'Raiffeisen Bank' i kushton rëndësi të veçantë edhe vlerësimit të kërkesave për kredi dhe zbaton standarde të larta të vlerësimit dhe menaxhimit të riskut të kredisë, që ofrohet për klientë. Kjo është ajo që e bën përqindjen e kredive të këqija të jetë brenda normave të pranueshme”, thotë Tahiri.

Derisa ekspertët e ekonomisë thonë se politikat jo të favorshme kreditore bëjnë që të ketë kredi të këqija, Iliriana Tahiri e thotë të kundërtën.

“Nëse krahasojmë numrin e kredive të këqija që janë në Kosovë me atë në shtetet tjera të rajonit, ne në fakt nuk është se kemi numër më të madh të kredive të këqija. Kredi të këqija konsiderohen për shumë arsye dhe jo për shkak të normave të larta të interesit”, thekson Tahiri.

Sidoqoftë, njohës të çështjeve ekonomike thonë se pa përmirësimin e politikave kreditore nuk do të mund të ketë eliminim të kredive të këqija.

Eksperti i ekonomisë, Musa Limani, thotë se Qeveria dhe Banka Qendrore e Kosovës duhet të bëjnë politika më të mira për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Në realitet nuk ka kredi të këqija, por politika kreditore dhe politikat e zbatuara ekonomike duhet të jenë në funksion të bizneseve, në mënyrë që ato të mos i ngarkojnë shumë me politika fiskale...", thotë Limani.

Raporti i Bankës Qendrore të Kosovës thekson se devijimi i mëtutjeshëm i cilësisë së portofolit kreditor parashtron nevojën për ngritjen e mëtutjeshme të kapaciteteve në bankat komerciale për vlerësimin e rrezikut kreditor, në mënyrë që zgjerimi i mëtutjeshëm i kreditimit nga bankat të bëhet në suaza të kreditimit të shëndoshë, duke mos rrezikuar performancën e sistemit.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG