Ndërlidhjet

Rohan: S’ka çka t’i shtohet Ahtisaarit


Albert Rohan

Albert Rohan

“Nuk shoh ndonjë gjë që mund t’u shtohej autonomive të gjera të cilat i kanë komunat në veri bazuar në pakon e Ahtisaarit”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë zëvendësndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Albert Rohan. Diplomati austriak përjashtoi mundësinë e ndarjes së Kosovës, por tha se zgjidhja për problemet që ndërlidhen me veriun duhet të gjendet në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit. Ai i bëri thirrje Rusisë që ta përdorë ndikimin që ka në Beograd për të bërë të qartë se nuk mund të diskutohet për ndarjen e Kosovës.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rohan pas ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës ka pasur deklarata të ndryshme lidhur me zgjidhjet që do të mund ta normalizonin situatën atje. KFOR-i ka arritur tashmë të ashtuquajtura pajtueshmëri me autoritetet në Kosovë e Serbi, por çfarë mendoni se duhet të bëjnë palët e përfshira për të zgjidhur çështjen e veriut në periudhën afatgjate?

ALBERT ROHAN
“Ekziston vetëm një zgjidhje sipas mendimit tim, e që është vendosja e veriut në kuadër të sistemit administrativ të Kosovës. Misionet ndërkombëtare do të duhej ta mbështesnin qeverinë në këtë. Natyrisht se këto janë çështje të cilat ndikojnë dhe në çështjet praktike, siç janë doganat, regjimi i kufijve e kështu me radhë.

Kjo do të duhej të diskutohej edhe në dialogun me Beogradin. Shpresoj që këto çështje të zgjidhen pa dhunë- jam tërësisht kundër dhunës. Mirëpo, e dimë se sa e vështirë është kjo, situata në veri, është trashëgimi e administratës ndërkombëtare, e UNMIK-ut, që nuk ka pasur sukses asnjëherë në vënien e autoritetit në veri.

Gjykatat do të duhej të hapeshin, do të duhej të kishte një regjim kufitar ku natyrisht do të ishin të përfshirë policët dhe doganierët kosovarë. Ky duhet të jetë qëllimi.
Tani e gjejmë vetëm në situatën kur çdo përpjekje për të vënë autoritetin e qeverisë apo të misionit EULEX në veri has në rezistencën e faktorit lokal dhe të Beogradit. Mendoj se faktori lokal është më problematik, por e vetmja zgjidhje mund të jetë vendosja graduale e drejtësisë në veri. Gjykatat do të duhej të hapeshin, do të duhej të kishte një regjim kufitar ku natyrisht do të ishin të përfshirë policët dhe doganierët kosovarë. Ky duhet të jetë qëllimi”.


RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët dialogun...a do të duhej veriu apo statusi i veriut të jetë temë e dialogut apo do të duhej të ishin vetëm çështjet që ndërlidhen me veriun?

ALBERT ROHAN
“Një gjë që përjashtohet është ndarja. Kjo, sipas mendimit tim, ka qenë gjithmonë qëndrimi i të gjithëve përfshirë anëtarët e Grupit të Kontaktit- përfshirë Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara dhe, deri më tani, përfshirë edhe qeveritë në Beograd dhe Prishtinë. Ne i dimë arsyet se përse ndarja nuk është opsion-për këtë nuk diskutohet.

Në aspektin legal, për të nuk bëhet fjalë sepse në planin e Ahitsaarit i cili u miratua nga qeveria e Kosovës, janë paraqitur të gjitha mundësitë që komunat serbe të kenë një shkallë të lartë të administrimit autonom. Ata mund t’i udhëheqin punët e tyre, por natyrisht në kuadër të sistemit legal të Kosovës.

Ato mund të vejnë bashkëpunimin, nëse duan, edhe me komuna të tjera; madje mund të formojnë asociacione të komunave - e gjithë kjo është e mundshme brenda kornizave të paketës së Ahtisaarit. Në kuadër të kësaj, mendoj se duhet të diskutohet zgjidhjet. Ka pastaj çështje të tjera si ajo e doganave-ka shumë çështje që ndërlidhen me veriun, andaj veriu si i tillë nuk mund të përjashtohet nga bisedimet, por jo statusi”.



RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër, Beogradi nuk e pranon pakon e Ahtisaarit. Është përmendur një i ashtuquajtur “Ahtisaari plus” për veriun...a mund të jetë ai një opsion dhe si do të dukej?






ALBERT ROHAN

“Nuk e di, meqë në propozimin tonë është i përfshirë një ‘plus’ nëse bëjmë një krahasim me komunat e tjera serbe, veçanërisht në sistemin dytësor shëndetësor dhe atë edukativ. Nëse dikush ka ndonjë ide brilante se si do të mundësohej një ‘plus’ shtesë, atëherë natyrisht se është i lirë ta paraqes atë.

Nuk shoh ndonjë gjë që mund t’u shtohej autonomive të gjera të cilat i kanë komunat në veri bazuar në pakon e Ahtisaarit”.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rohan, nëse jo ndarje e Kosovës- kujt në fakt i takon përgjegjësia për t’ia bërë të qartë Beogradit që ky nuk është një opsion i cili mund të zbatohej në terren?

ALBERT ROHAN
“Mendoj se e tërë Bashkësia Ndërkombëtare duhet ta bëjë këtë, sepse ky është qëndrimi i Bashkësisë Ndërkombëtare. Në radhë të parë, u takon anëtarëve të Grupit të Kontaktit të cilët edhe po e bëjnë këtë (gjermanët e bënë këtë-kujtojmë zotin Vestervelle). Mirëpo, edhe Rusia, e cila u pajtua me këtë si një ndër parimet kryesore të Grupit të Kontaktit të cilat na u dhanë kur ne filluam negociatat ( ‘jo ndarjes’).

Është turp, është një pengesë për punën efektive të EULEX-it dhe u vështirëson më shumë serbëve që ta pranojnë realitetin meqë pesë shtete evropiane nuk e bëjnë këtë.
Edhe Rusia i pat nënshkruar ato. Andaj edhe Rusia do të duhej ta përdorte ndikimin që ka në Beograd për të qartësuar se përjashtohet ndarja. Pastaj, natyrisht se i takon edhe BE-së dhe këtu kemi vërtetë një dramë; është për të ardhur keq që pesë shtetet anëtare ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Është turp, është një pengesë për punën efektive të EULEX-it dhe u vështirëson më shumë serbëve që ta pranojnë realitetin meqë pesë shtete evropiane nuk e bëjnë këtë. Mendoj se duhet të ushtrohet presion mbi këto pesë shtete evropiane që t’i bashkohen konsensusit të shumicës brenda Bashkimit Evropian”.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër, autoritetet ndërkombëtare kanë theksuar nevojën për të kushtëzuar marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE nga Beogradi me zgjidhjen e problemeve lidhur me veriun dhe, në përgjithësi, me zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura që ka me Kosovën. A prisni që Brukseli të marrë masa të tilla në fund të këtij viti?

ALBERT ROHAN
“Mendoj se po, sepse po shtohet numri i shteteve anëtare që kanë këtë qëndrim. Ndonëse njohja formale e Kosovës nuk figuron në radhët e parakushteve për anëtarësim në BE, çdokush ia ka thënë Beogradit haptazi që anëtarësimi në BE është i papërfytyrueshëm pa normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Nuk jam i sigurt nëse kjo do të duhej të pengonte marrjen e statusit kandidat, sepse me dorëzimin e kriminelëve të luftës Serbia ka bërë hapa të dobishëm që duhej të merreshin parasysh. Do të duhej, po ashtu, të merreshin parasysh përpjekjet e qeverisë në Beograd për t’u përmbajtur karshi Kosovës. Andaj, mendoj se shumë do të varet nga dy muajt e ardhshëm dhe nga ajo se a do të mund të zgjidhej çështja e doganave.

Nëse më shumë çështje do të zgjidheshin brenda dialogut, do të isha në favor të dhënies së statusit kandidat për Serbinë që megjithatë, nuk do të nënkuptonte nisjen e negociatave. Kjo do të kërkojë një vendim tjetër. Do të ketë shumë raste gjatë këtij procesi për të kontrolluar dhe për të parë se si po zhvillohen marrëdhëniet ndërmjet Kosovës e Serbisë”.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rohan, dialogu pritet të vazhdojë në vjeshtën e këtij viti. A mendoni se mund të priten rezultate konkrete nëse merret parasysh që dialogu nuk ka ndonjë kornizë të caktuar kohore?

ALBERT ROHAN
“Mendoj se është për të ardhur keq që dialogu po merr aq shumë kohë; ai do të mund të përshpejtohej. E dimë se është koha e pushimeve, por mund të mendohej për avancimin e takimeve.

Mirëpo, kurdo që ato të mbahen, besoj që çështja e doganave do të mund të zgjidhet dhe se Serbia do të njoh doganat e Kosovës në përputhje me formën e propozuar. Kjo do të çonte në përfundimin e bllokadës së dyanshme të tregtisë.

Ky do të ishte një hap i madh. Kjo duhet të jetë e mundshme e nëse kjo nuk është e mundshme, dialogu do të ishte në gjendje të keqe. Kjo do të duhej të arrihej dhe një numër tjetër i çështjeve teknike”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG