Ndërlidhjet

logo-print

Kundërthënie në konkursin për AKPM


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Për të parin e Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale, ka pasur reagime nga zyrtarë të lartë qeveritarë për parregullsi në ecurinë e konkursit. Emrat e kandidatëve thuhet se lidhen ngushtë me interesa të zyrtarëve të lartë qeveritarë. Derisa ky institucion funksionon nën ombrellën e Ministrisë së Shëndetësisë, në panelin intervistues është anashkaluar sekretari permanent i kësaj ministrie.


Konkursi për kryeshef të Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, po përcillet me parregullsi.

Edhe pse kjo agjenci funksionon nën ombrellën e Ministrisë së Shëndetësisë, sekretari permanent i kësaj ministrie, Ilir Tolaj, nuk është ftuar në panelin intervistues.

Kjo, sipas tij, ngre dyshimet se procesi është ndikuar politikisht. Tolaj drejton gishtin kah zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës.

Saktësisht nuk e di pse jam anashkaluar, e logjikshme do të ishte që sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë të jetë në panelin intervistues për kryeshef të Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale, që i takon Ministrisë së Shëndetësisë, meqenëse kush më mirë dhe kush më shumë është përgjegjës për ta ditur se çka kërkohet nga një agjenci e lartë, çfarë është AKPM-ja...".

"Është evidente që edhe në përzgjedhjen e kandidatëve, për të qenë në panelin intervistues, ka pasur lidhje të njerëzve të caktuar të politikës dhe mund të gjeni se kush me kë është i lidhur dhe ku përfundon rrethi me këta kandidatë, të cilët janë në këtë panel”, shprehet Tolaj.

Në këtë konkurs, nga komisioni vlerësues për kryeshef ekzekutiv të AKPM-së janë rekomanduar: Shkumbin Spahiu, Arbenita Pajaziti dhe Lutfi Mulaku.

Për këtë pozitë fillimisht janë përzgjedhur 9 kandidatë, por vetëm katër nga ta janë ftuar në intervistë, ndërsa 5 të tjerë janë anashkaluar, duke ngritur dyshimin se janë shkelur procedurat.

Ilir Tolaj thotë se fakti që gati të gjithë ata që kanë konkurruar e që nuk janë në mesin e tre kandidatëve kryesorë, janë ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë të Kosovës, flet për parregullsitë në ecurinë e këtij konkursi.

Këta emra janë më shumë në lidhje jo profesionale me njerëz të cilët i kanë shtyrë sesa që kapacitetet e tyre profesionale dhe aftësitë e tyre menaxhuese e garantojnë atë vend aty.
Sipas Tolajt, janë nëpërkëmbur disa procedura të përcaktuara me ligjin e shërbimeve civile, që vlen për këto emërime, siç thotë ai, duke eliminuar njerëz nga rrethi i ngushtë e duke mos i futur as në test me shkrim dhe duke favorizuar vetëm ata që më parë kanë qenë të përcaktuar lidhur me këtë konkurs.

Këta emra janë më shumë në lidhje joprofesionale me njerëz të cilët i kanë shtyrë sesa që kapacitetet e tyre profesionale dhe aftësitë e tyre menaxhuese e garantojnë atë vend aty”, thotë Tolaj.

Ministria e Administratës Publike i ka udhëhequr të gjitha procedurat për këtë konkurs.

Sekretari permanent i kësaj Ministrie, Fitim Sadiku, njëherësh anëtar i panelit intervistues, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk e di pse është anashkaluar zoti Tolaj.

Por, ai tregon se ministri Agani, ka përcaktuar dy anëtarë, duke mos qenë edhe sekretari permanent i kësaj ministrie.

“Unë nuk kam kurrfarë lidhje me përzgjedhjen e sekretarëve të ministrive të tjera. Unë nuk jam i përfshirë në këtë çështje e as në procedura e as që kam informata të mjaftueshme për procedurat. Dy anëtar i përcakton ministri i ministrisë përkatëse e ndërsa 3 të tjerë Ministri i Administratës Publike. Pse ministri i shëndetësisë nuk e ka propozuar sekretarin permanent unë nuk e di”, sqaron Sadiku.

Për shkak të pamundësisë për ta kontaktuar ministrin Agani, një qartësim për këtë çështje ia dha Radios sekretari permanent i Ministrisë së Shëndetësisë, Tolaj.

Ai bëri të ditur se ministri i Shëndetësisë do të duhet të përcaktojë dy anëtarë të panelit intervistues nga fusha akademike.

Në këtë rast ministria e administratës në mënyrë recidive ka përcaktuar 3 sekretarë të ministrive duke anashkaluar atë të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ministrit i është lënë që të përcaktojë vetëm anëtarin e panelit intervistues nga fusha akademike dhe atë të shoqërisë civile. Në këtë rast ministria e administratës në mënyrë recidive ka përcaktuar 3 sekretarë të ministrive duke anashkaluar atë të Ministrisë së Shëndetësisë”, bën të ditur Tolaj.

Në panelin intervistues nga Ministrisë së Administratës Publike ishte caktuar Shkëlzen Syla, sekretari permanent në Ministrinë e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës Elhami Gashi, nga Ministria e Punëve të Brenshme Zana Kotori, po ashtu sekretare permanente në Ministrinë për Kthim, Jusuf Dedushaj nga Fakulteti i Mjekësisë, si dhe në cilësinë e përfaqësuesit të shoqërisë civile ishte ftuar Kadri Bytyqi.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG