Ndërlidhjet

Snajperistët do të çarmatosen me veprime të përbashkëta nga Policia e Kosovës, e EULEX-it dhe KFOR-i, thotë për Radion Evropa e Lirë ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rexhepi, në pjesën veriore të Kosovës thuhet të jetë një situatë e qetë, por me tensione. Kjo - pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për futjen nën kontroll të vendkalimeve kufitare. Si e vlerësoni ju situatën në atë pjesë të vendit?
BAJRAM REXHEPI
Siç e thatë edhe ju, situata është e qetë, nën kontroll, nuk ka tensione të mëdha. Megjithatë, një pajtueshmëri që ka qenë mes dy palëve me lehtësimin e KFOR-it dhe të përfaqësuesit special të Bashkmit Evropian, nuk është respektuar nga serbët; ende janë duke qëndruar disa barrikada, me mundësi të inkurajimit të barrikadave të tjera.

Situata e përgjithshme e sigurisë është nën kontroll, por tensionet ekzistojnë edhe më tutje.

RADIO EVROPA E LIRË
Kush i rrit këto tensione?
BAJRAM REXHEPI
Disa politikanë të Serbisë në mënyrë indirekte. Liderët lokalë që janë nga grupe të ndryshme politike, si të Tomisllav Nikoliqit - ata e kanë kryesisht pushtetin lokal. E, pastaj edhe kriminelët ose kontrabandistët që janë të lidhur me këta politikanë dhe kanë interes të vazhdojnë edhe më tutje me kontrabandë dhe aktivitete ilegale ekonomike dhe kriminale.

RADIO EVROPA E LIRË
Është theksuar nevoja për një bashkëpunim të ngushtë në mes të autoriteteve vendore dhe mekanizmave ndërkombëtarë në drejtim të zgjidhjes së problemit në veri. Sa është dëmtuar bashkëpunimi, posaçërisht me EULEX-in, pas 25 korrikut?
BAJRAM REXHEPI
Bashkëpunimin e kami pasur në disa fusha, ka qenë i mirë. Diku kemi pasur qëndrime krejt të ndryshme, që lidheshin me mandatin dhe qëndrimin e tyre neutral ndaj statusit të Kosovës - nganjëherë po e teprojnë me atë mandat dhe nuk po e shpjegojnë drejt.

Realisht, ne do të kemi bisedime nëpërmjet lehtësuesit Kuper për çështje në mes të dy shteteve të pavarura sovrane; për çështje të brendshme, ne nuk bisedojmë, ato janë çështje të brendshme tonat.

Ne bashkëpunojmë shumë mirë më KFOR-in, bashkëpunojmë edhe me EULEX-in, nganjëherë mirë e nganjëherë më pak mirë.

Raportet nuk janë shumë të dëmtuara; dëmtimi ka qenë fillimisht për arsye se doganierët e EULEX-it, jo që nuk e kanë respektuar vendimin e qeverisë, por kanë deklaruar se ‘ne do t’i lëshojmë edhe më tutje...”. Pra, ka qenë e domosdoshme që ne ta implementojmë këtë vendim dhe i kemi dërguar njësitë speciale.

Mirëpo, pas një takimi që ka pasur kryeministri Thaçi me shefin e EULEX-it Marnak, ky i fundit ka deklaruar se ‘ne e respektojmë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës’.

Ekziston një frymë pak më e mirë e bashkëpunimit, por megjithatë nuk është besimi i plotë - konkretisht në mes të ministrisë sonë dhe EULEX-it. Pra, ka hezitim në shkëmbimin e informatave.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur mendoni se mund të nisë një kontroll i përhershëm nga ana e doganierëve kosovarë në vendkalimet kufitare në Jarinë dhe Bërnjak?

BAJRAM REXHEPI
…kur të krijohen kushtet. Së pari duhet të bëhet riparimi i hyrjes 1 në Jarinë. Ndoshta deri kah 15 shtatori… Ju e dini se ato janë shpallur zona të kufizuara ushtarake. Në këtë rast, KFOR-i e ka marrë komplet kompetencën.

Ekzistojnë policët kufitarë në Bërnjak që e bëjnë identifikimin e pasagjerëve që qarkullojnë me automjetet private. Unë jam optimist - ndoshta deri kah fundi i gushtit, fillimi i shtatorit, ne do t’i kemi edhe doganierët, edhe policët kufitarë.

Ajo (pika kufitare) do të riparohet, duhet një kohë e rifunksionalizimit. Në ato pika do t’i dërgojmë zyrtarët multi-etnikë - edhe shqiptarë, edhe serbë.

RADIO EVROPA E LIRË
Para pak ditësh, zyrtarët e KFOR-it kanë deklaruar se në veri të vendit, veç strukturave serbe të sigurisë, ka edhe snajperistë. Si mund të çarmatosen këta persona?
BAJRAM REXHEPI
Këta do të çarmatosen me veprime të përbashkëta nga Policia e Kosovës, e EULEX-it dhe KFOR-i. Në rastet kur janë të armatosur dhe rrezikojnë popullatën, është edhe obligim i KFOR-it - është më i përgatitur.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rexhepi, çfarë prisni në ditët në vijim, duke marrë parasysh që serbët nuk po e respektojnë pajtueshmërinë e arritur me KFOR-in?
BAJRAM REXHEPI
Për bllokimin e rrugëve besoj që në fund KFOR-i do ta humbasë durimin dhe do ta vendosë lëvizjen e lirë, e ka obligim. Hetimet ekzistojnë dhe vazhdojnë ndaj kriminelëve të natyrave të ndryshme, qoftë të vrasjes së policit, ose të djegies së hyrjes 1 në Jarinë, qoftë për ata që kanë bërë krime edhe me herët - pavarësisht a janë serbë, apo kanë edhe bashkëpunëtorë shqiptarë.

Kështu që do të ketë hetime dhe arrestime, kur të kemi mjaft fakte. Pavarësisht etnitetit, për kriminelë nuk do të ketë falje.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG