Ndërlidhjet

Kosova, jo prioritet për Rusinë

  • RFE /RL

Bllokuesit e rrugëve në Rudarë mbajnë edhe fotografinë e kryeministrit rus, Vladimir Putin, 7 gusht 2011.

Bllokuesit e rrugëve në Rudarë mbajnë edhe fotografinë e kryeministrit rus, Vladimir Putin, 7 gusht 2011.

Çështja e Kosovës nuk duket të jetë në mesin e prioriteve të Rusisë.

Përveç deklaratës së Ministrisë së Jashtme ruse, e cila u bën thirrje Kombeve të Bashkuara, NATO-s dhe Bashkimit Evropian të mos e lejojnë Prishtinën "që me dhunë t'i nënshtrojë rajonet serbe në Kosovë", Moska nuk ka bërë ndonjë koment tjetër rreth krizës në veri.

Genadi Sisojev, redaktor i së përditshmes moskovote "Komersant", thotë se nuk është i befasuar me një gjë të tillë, pasi, sipas tij, Rusia ka mbetur në kornizat e politikës së deritanishme ndaj Kosovës.
...sa i përket politikës ndaj Kosovës, Rusia ndjek linjën e Beogradit.

"Rusia nuk ka reaguar ashpër ndoshta për shkak se as Beogradi këtë herë nuk ka qenë shumë i ashpër në reagime dhe më shumë ka këmbëngulur se çdo gjë duhet të zgjidhet në mënyrë paqësore. Përndryshe, sa i përket politikës ndaj Kosovës, Rusia ndjek linjën e Beogradit. Ajo sigurisht se nuk i ka ngritur duart nga Serbia. Ajo e konsideron atë si partner strategjik", thotë Sisojev për Radion Evropa e Lirë.

Me këtë qëndrim pajtohen edhe shumë analistë në Beograd.

Megjithatë, Vatrosllav Vekariq konsideron se pritjet e Beogradit janë më të mëdha se ajo që është e gatshme të ofrojë Moska sa i përket çështjes së Kosovës.

"Rusia, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit dhe fuqi e madhe, nga njëra anë, gjithnjë e më pak përkrah Serbinë formalisht. Pra, ka humbur mbështetja aktive dhe kjo është shumë e qartë. Rusia ka prioritete të tjera, të cilat janë më të rëndësishme se çështja e Kosovës apo e Serbisë", thotë Vekariq.

Dhjetë ditë krizë dhe tensione në veri kanë treguar Rusinë të qëndrojë kryesisht mënjanë, çfarë është dallim i madh nga situata në vitin 1999, kur, menjëherë pas luftës, Moska dërgoi forca ushtarake në Kosovë, për t'u larguar pas ca kohësh.

Gjatë vizitës së Putinit në Beograd, 23 mars 2011.
Serbia thuhet të ketë shpresa të mëdha nga seanca e ardhshme e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, për të cilën Beogradi zyrtar pretendon se do të jetë "moment i së vërtetës".

Madje, një pjesë e opozitës dhe disa figura publike të grumbulluara rreth Partisë Demokratike të Serbisë, përkatësisht rreth Vojisllav Koshtunicës, i kanë dërguar letër të hapur kryeministrit rus, Vladimir Putin, duke kërkuar ndihmën e Moskës në "zgjidhjen e problemit të Kosovës". Sipas tyre, Rusia do ta bënte këtë "përmes një rezolute në Kombet e Bashkuara".

Historiani serb, Nikolla Samarxhiq, thotë se miti për ndihmën ruse shtrihet te një pjesë e shoqërisë serbe, ndonëse historia, sipas tij, ka treguar për mungesën e mbështetjes së Rusisë në shumicën e momenteve që Serbia i ka konsideruar të rëndësishme.

"Një nga absurditetet e historisë sonë është se në kohën kur duhet të mësojmë nga gabimet tona, ne i përsërisim ato. Gjatë viteve '90, në Serbi janë shtuar pritjet se Rusia do të intervenojë në anën e Serbisë. Është mirë për Serbinë që ajo nuk e ka bërë kurrë një gjë të tillë. Dhe, është mirë që Rusia ndodhet gjithnjë e më larg, jo vetëm politikës dhe ekonomisë sonë, por edhe kulturës sonë, sepse ajo është një shtet autoritar dhe jodemokratik", thotë Samarxhiq.

Kryeministri rus, Vladimir Putin, ka vizituar Serbinë në mars të këtij viti, kur edhe është takuar me presidentin serb, Boris Tadiq. Me këtë rast, ky i fundit pat deklaruar se Serbia dhe Rusia kanë "shkallën më të lartë të mundshme të pajtueshmërisë për çështjet e politikës ndërkombëtare". (v.t.)
XS
SM
MD
LG