Ndërlidhjet

Kontesti i emrit bllokon ende Maqedoninë


Shkup
Shkup
Përderisa Maqedonia përballet me probleme ekonomike, me seriozitet duhet të merret edhe angazhimi në zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë dhe njëherësh t'i hapet rruga procesit të integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian, si bazament për ndërtmin e raporteve të mirëfillta ndëretnike. Kështu thotë Rizvan Sulejmani, drejtor i Institutit për kërkime socio-politike në Maqedoni.

“Unë mendoj se nuk është problem në këtë përbërje qeveritare. E them, sepse edhe opozita maqedonase sikur është homogjenizuar, ngase e gjithë lufta politike që bëhej më parë mes Lidhjes Social-Demokrate dhe VMRO DPMNE-së në emër të mungesës së kapacitetit të zotit Gruevski për ta zgjidhur këtë çështje dhe tendenca e tij që kjo çështje të hidhet edhe në referendum, tani u përkrah edhe nga opozita maqedonase”.

“Pothuajse kemi unifikim të qëndrimeve në kampin politik maqedonas, se çdo zgjidhje që lidhet me kontestin e emrit duhet të jetë çështje e referendumit. Pra, ne tani kemi një qëndrim të unifikuar të palës maqedonase”,
thotë Sulejmani.

Nga ana tjetër, Stevo Pendarovski, ligjërues i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Nju Jorkut në Shkup, vlerëson se faktori politik shqiptar deri më tani ka qënë korrekt sa i përket çështjes së emrit, duke mos e forcuar partnerin maqedonas që të gjejë sa më parë zgjidhje, çfarë dukshëm do të dobsonte pozicionin e Maqedonisë.

Pendarovski thotë se kjo ishte në rregull për periudhën që ka kaluar, ndërsa tani strategjia duhet ndryshuar, sepse Maqedonia hyn në një realitet tjetër.

“Elita politike shqiptare, gjatë periudhës së ardhshme, nuk mendoj se duhet të vazhdojë që me inferioritet ta trajtojë çështjen e kontestit të emrit, sepse është fakt se kjo çështje prek interesat e maqedonasve etnikë, por më pas po kjo çështje prek dhe interesat e përgjithshme të shtetit, ku bëjnë pjesë dhe shqiptarët”.

“Andaj, ata duhet t’i qasen kësaj çështjeje më me seriozitet, duke u kyçur drejtpërdrejt në gjetjen e modaliteteve që do të mundësonin një zgjidhje të pranueshme për të dyja vendet fqinje - Maqedoninë dhe Greqinë”,
thekson Pendarovski.

Ai shprehet skeptik se shqiptarët mund të imponohen si shtytës të procesit.

“VMRO DPMNE, partia e kryeministrit Nikolla Gruevski, vlerëson se çështja e emrit është çështje ekskluzive që u përket vetëm maqedonasve etnikë. Deri më tani, nuk është shfaqur asnjë indikator që lë hapësirë për zgjerimin e kësaj kornize”.

“Pra, kryeministri e ka bërë të qartë se maqedonasit janë ata, të cilët duhet dhe kanë të drejtë të vendosin për formën dhe kohën e zgjidhjes së kontestit të emrit me Greqinë - me këtë dhe debllokimin e procesit integrues”,
thotë Pendarovski.

Sipas Rizvan Sulejmanit, e keqja qëndron në atë se në kampusin politik maqedonas asnjëra parti nuk e ka të ndërtuar një qëndrim të qartë se çka për të paraqet vijë të kuqe, çka është e pranueshme si zgjidhje dhe çka jo - gjë që dukshëm e dëmton procesin për zgjidhjen e kontestit në fjalë.

“Ka vetëm fjalë, por asnjëra nga partitë politike maqedonase nuk mund ta marrë guximin që të shprehet se çka do të ishte më e kapshme”, shprehet Sulejmani, duke përkujtuar thirrjet e Grupit Nndërkombëtar të Krizave, i cili kërkon që në rend dite të vendoset për t’u zgjidhur çështja e emrit si çështje me shumë rëndësi për të ardhmen e Maqedonisë.
XS
SM
MD
LG