Ndërlidhjet

Vulat, problem pa bazë


Dogana e Kosovës
Dogana e Kosovës
Propozimi eventual i Beogradit për aplikimin e dy vulave doganore në Kosovë është quajtur i papranueshëm nga pala kosovare si dhe “komplikim i situatës pa pasur nevojë”. Në anën tjetër, mediat serbe shkruajnë se ekipi negociator serb “nuk do ta pranojë kurrë vulën në të cilën shkruhet Doganat e Republikës së Kosovës”. Por, asnjëherë që nga ndërrimi i vulave në vitin 2008, në vulat doganore kosovare nuk është përmendur Republika e Kosovës, por ka qenë vetëm përshkrimi “Doganat e Kosovës”.


Propozimi eventual i palës serbe për aplikimin e dy vulave doganore nga ana e Kosovës, hidhet poshtë nga zyrtarët kosovarë, ende pa u paraqitur në tryezën e bisedimeve në Bruksel.

Mediat serbe kanë shkruar se ekipi negociator serb ka një propozim të ri, sipas të cilit do të ketë dy vula- në njërën që shkruan “Dogana Kosovë” e në tjetrën, “UNMIK-Shërbimi Doganor i Kosovës”, ose “EULEX- Shërbimi Doganor i Kosovës”.

Mediat serbe, duke sqaruar propozimin, thonë se pas kalimit të kufirit, fillimisht do të vendosej vula nga pala shqiptare, e pastaj serbe.

Shefi i ekipit negociator serb, Borisllav Stefanoviq, nuk e përjashton këtë si një ide që mund të paraqitet në raundin e ri.

Mendoj se kjo është një nga gjërat që paraqitet si ide. Pritet të shihet në fillim të shtatorit në raundin e ri të bisedimeve se si do të zgjidhim këtë gjë. Ajo që është e sigurt, që e kemi thënë disa herë deri tash është se ne pranojmë vulën që është në përputhje me rezolutën 12 44 që është neutrale ndaj statusit dhe dokumentacionin që është neutral ndaj statusit”, i tha Radios Evropa e Lirë, Borisllav Stefanoviq.

Por, tërë kjo nga zyrtarët kosovarë shihet si komplikim i situatës pa ndonjë nevojë.

Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila, i tha Radios Evropa e Lirë, se vulat doganore të Kosovës kanë qenë të pranuara nga të gjitha vendet e BE-së dhe anëtareve tjera të CEFTA-s, prandaj sipas saj, si Serbia, ashtu edhe Bosnja, e kanë politizuar çështjen pa nevojë.

Mendoj se ky problem pa asnjë meritë është shndërruar në problem politik në momentin kur Serbia ka tentuar në mënyrë të vazhdueshme të bëjë obstruksione politike me efekt ekonomik për ekonominë e Kosovës për këto tri vjet. Ajo që ka ndodhur deri tash, mospranimi i vulave ka qenë shkelje e vazhdueshme e rregullave të CEFTA-s, pasi që flasim për një vulë që ka qenë e pranuar nga të gjitha vendet e BE-së dhe nga vendet tjera anëtare të CEFTA-s, prandaj nuk shohim asnjë arsye për të ofruar zgjidhje ose format të reja të aplikimit të vulës”, tha Kusari-Lila.

Mediat serbe, duke cituar zyrtarë të qeverisë serbe kanë thënë se “ekipi negociator nuk do të pranojë nën asnjë kusht përshkrimin “Doganat e Republikës së Kosovës”.

Por, në të vërtetë, Doganat e Kosovës, asnjëherë nuk e kanë pasur këtë përshkrim.

Që nga ndërrimi i vulave të UNMIK-ut në vitin 2008, Doganat kanë përdorur vulën në të cilën shkruhet “Dogana e Kosovës”, në të tri gjuhët zyrtare.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci konfirmon këtë:

Faktikisht është vula e institucionit dhe shkruan emri i institucionet, faktikisht ‘Dogana e Kosovës’. Nuk shkruan Republika e Kosovës, nuk është shkruar asnjëherë”, tha Stavileci.

Zëvendëskryeministrja Kusari-Lila, tha se problemi i vulave doganore ka qenë ndër çështjet më lehtë të zgjidhshme në bisedimet Kosovë-Serbi.

Ndërkaq, propozimet e reja, sipas saj, dalin tani, për shkak të pasojave që Serbia po bart, pas tërheqjes për të pranuar vulat doganore, veprim ky që u pasua me masat e reciprocitetit nga Prishtina zyrtare.

Kemi pasur të bëjmë me një skenar i cili ka qenë shumë i thjeshtë për t’u zgjidhur, por i komplikuar pa nevojë nga Serbia dhe Bosnja, i politizuar deri në masën që është politizuar. Ndërsa tani, në momentin kur pasojat ka filluar t’i bartë, tani mundohen të gjenden daljet nga kjo situatë me propozime për formate të ndryshme, të cilat natyrisht janë të papranueshme për palën kosovare”, tha Kusari-Lila.

Edhe pse shihet si çështje e thjeshtë prej palës kosovare, ishte pikërisht problemi i vulave doganore që krijoi situatën e tanishme në veri.

Tërheqja e Beogradit për të pranuar vulat doganore u pasua me masat e reciprocitetit, zbatimi i plotë i të cilave, nxiti ndërhyrjen e Policisë së Kosovës në pikat e pakontrolluara kufitare 1 dhe 31.

Hyrja e mallrave serbe thuhet se është ndaluar, ndërkaq flitet edhe për zvogëlim të kontrabandës së këtij malli në pjesën veriore të Kosovës.

Mallrat serbe po zëvendësohen me prodhime të vendeve tjera fqinje, ndërkaq Ministria e Tregtisë dhe Industrisë tha se është rritur prodhimi vendor në produktet ushqimore dhe ndërtimtari.
XS
SM
MD
LG