Ndërlidhjet

SHBA: Republikani Polenti tërhiqet nga gara presidenciale


Ish guvernatori i Minesotës, Tim Polenti, është viktima e parë e madhe e fushatës maratonike republikane për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, ndërsa kandidatja Mishel Bakmen, e fuqizoi pjesëmarrjen e saj në garë.

Zoti Polenti, që njëherë konsiderohej si garues i fuqishëm për nominim republikan, për tu ballafaquar me presidentin demokrat, Barak Obama, në zgjedhjet e ardhshme në nëntor të vitit 2012, u largua nga gara, pas paraqitjes dëshpëruese në votimin – provë, të shtunën në shtetin Ajova, i cili paraqet një test të hershëm të forcës së kandidatëve.

“E dini, unë jam nga një shtet i vogël. Unë nuk kam rrjet të madh kombëtar financiar ose rrjet politik”, tha Tim Polenti, pasi vendosi të largohet nga gara, për shkak se e zuri vendin e tretë në votimin – provë në Ajova.

E para në këtë votim doli Mishel Bakmen me 29% të votave, kongresmeni nga Teksasi, Ron Paul, ishte i dyti me 28, ndërsa Polenti ishte i treti me 14 përqind.

Votimi i parë i plotfuqishëm në Ajova do të mbahet në shkurt të vitit të ardhshëm.
XS
SM
MD
LG