Ndërlidhjet

IHT: Shpëtimi i Eurozonës


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

“International Herald Tribune”

Shkruan: Gordon Braun, ish-kryeministër i Britanisë


Si u bë që një grup i shteteve që u bënë bashkë me të tilla premtime e përkushtime
më shumë se gjysmë shekulli më parë, që u përgatitën ta dorëzojnë monedhën e tyre dhe sovranitetin politik për të forcuar integrimin, tash zbuluan se unioni i tyre është vënë në rrezik nga shteti i vogël i Greqisë, që ekonomikisht e gjeografikisht është vetëm një e pesëdhjeta e Evropës?

Si mund të parandalohet kriza evropiane nga të shkruarit e një kapitulli të ri që do të quhej “rënia e Perëndimit"?

Për muaj është thënë se shpëtimi i Evropës qëndron në kursime. Është pretenduar se nëse kursimet nuk bëjnë punë, ajo ndodh për shkak se nuk ka mjaft të tilla.

Por, kur kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Nikolas Sarkozi, të takohen të martën në Paris, ata do të gjejnë tregues për ato që nuk i kanë pritur – rënien e bankave, uljen e rritjes dhe fluturimin e kapitalit.

Kjo, konfirmon atë që shumë e kanë argumentuar nga fillimi: se vështirësitë e Evropës rrjedhin jo vetëm nga deficiti, por nga një konfiguracion financiar, ekonomik dhe fiskal.

Javët e fundit kanë treguar se Evropa ka një sistem bankar me shumë të meta, një hendek në zgjerimin e konkurrencës dhe një krizë borxhi që nuk mund të përmirësohet nëse ekonomia përkeqësohet.

Ky është një koktej vdekjeprurës që bëhet më i rrezikshëm kur përzihet dhe euroja – një monedhë e krijuar pa elasticitet për t’iu bërë ballë kohëve të vështira dhe pa ndonjë strukturë për vendimmarrje efektive.

Kohë më parë, kam arritur në përfundimin se nuk ka zgjidhje të mundshme në kuadër të strukturës ekzistuese të euros”, shkruan Gordon Braun.

Euroja duhet të reformohet rrënjësisht nga liderët politikë të Evropës dhe Banka Qendrore Evropiane, përndryshe do të shkatërrohet.

Braun kujton takimin e parë të krerëve të qeverive të Eurozonës në tetor të 2008-ës, në prag të rrëzimit të Lehman Brothers. Ndonëse nuk është anëtare e Eurozonës, Britania është ftuar për të shpjeguar vendimin e saj për të ristrukturuar dhe marrë pronësinë e disa bankave britanike.

Unë kam thënë se bankat evropiane kanë varshmëri nga kreditë dhe se kolapsi i tyre rrezikon sigurinë e ekonomisë evropiane. Mbaj mend shikimet skeptike kur kam thënë se bankat evropiane janë më të prekshme se bankat amerikane, sepse janë shumë më tepër të varura nga fondet afat-shkurtra”, kujton Braun.

Duke e bindur veten se problemi është thjesht fiskal, liderët evropianë nuk kanë marrë vendimin e duhur. Nevojat e politikës së brendshme kanë bllokuar Eurozonën në një kornizë të kufizimeve të pamundshme ekonomike, çfarë do të thotë se nuk mund të ketë stabilitet bankar, rritje të qëndrueshme, e as krijim të qëndrueshëm të vendeve të punës.

Koha për zgjidhje spontane ka përfunduar. Kontinenti duhet të angazhohet për një plan që pranon realitetin e vështirë dhe mbështet trilionat që janë të nevojshme për të siguruar qeveritë nga Greqia, Irlanda, Portugalia, Spanja, Italia dhe Belgjika se janë të financuara në mënyrën e duhur deri në vitin 2014.

Andaj, nuk ka rrugë tjetër përveçse rikapitalizimi më i madh i bankave në historinë evropiane dhe reformimi i euros, i cili do të kërkojë bashkërendimin e politikës monetare dhe fiskale, si dhe transferet fiskale nga vendet e pasura tek ato të varfra.

Restaurimi i rritjes ekonomike në Evropë do të varet edhe nga një koordinim më i mirë botëror, në veçanti një marrëveshje e G20-ës me Amerikën dhe Azinë për të siguruar stabilitetin financiar dhe për të koordinuar një rrugë më të mirë për rritjen globale. Por, që të ndodhin të gjitha këto, Gjermania duhet të marrë drejtimin, shkruan Braun. (v.t)
XS
SM
MD
LG