Ndërlidhjet

Ide të reja për shpëtim

  • RFE /RL

Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Presidenti francez, Nikolla Sarkozi, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, kanë propozuar krijimin e një mekanizmi për të qeverisur politikat ekonomike të eurozonës.

Lideri francez ka bërë të ditur më konkretisht se për çfarë propozimesh bëhet fjalë.

"Propozimi i parë ka të bëjë me themelimin e një qeverisjeje të vërtetë ekonomike për eurozonën. Kjo qeverisje ekonomike do të përbëhet nga një këshill i udhëheqësve të shteteve dhe qeverive të euorozonës, do të mblidhet dy herë në vit dhe nëse është e domosdoshme, do të ketë edhe president me mandat prej dy vite e gjysmë”, ka thënë zoti Sarkozi.

Sipas tij, ky mekanizëm do të takohet më shpesh në kohët e krizave financiare dhe fillimisht do të kryesohet nga presidenti aktual i Bashkimit Evropian, Herman Von Rompuj.

Propozimi do t’i prezantohet zyrtarisht gjithë eurozonës në shtator dhe vjen në kohën kur analistët tërheqin vërejtjen se për mbijetesën e euros, është i domosdoshëm një integrim afat-gjatë ekonomik.

Përballë krizave financiare në Greqi dhe shqetësimeve në rritje për shëndetin ekonomik të Spanjës dhe Italisë, të dy liderët kanë propozuar gjithashtu që të gjitha vendet që përdorin valutën e përbashkët monetare të kenë buxhete detyrimisht të balancuara.

"Gjithashtu propozojmë që 17 vendet anëtare të eurozonës të adoptojnë një rregull të artë para ose gjatë verës së vitit 2012, nëpërmjet të të cilit do të përshkruhej në kushtetutat e të 17 vendeve anëtare se ligjet e tyre financiare duhet të jenë në një vijë me buxhetet e balancuara”, ka shpjeguar presidenti francez.

Propozimet e përbashkëta franko-gjermane kanë për synim t’ua dëshmojnë investitorëve dhe publikut dyshues evropian se dy vendet më të mëdha të zonës evropiane janë vënë në mbrojtje të euros.

Këtë synim e ka bërë të qartë edhe kancelarja gjermane.

"Gjermania dhe Franca ndihen absolutisht të detyruara të forcojnë euron si valutën tonë të përbashkët dhe ta zhvillojnë edhe më tej. Është tërësisht e qartë se për të ndodhur një gjë e këtillë, na duhet një marrëdhënie më e fuqishme e politikave financiare dhe ekonomike në eurozonë”, ka thënë zonja Merkel.

Gjermania dhe Franca ndihen absolutisht të detyruara të forcojnë euron si valutën tonë të përbashkët dhe ta zhvillojnë edhe më tej.
Disa ekonomistë megjithatë shpejtuan të shprehin dyshimet e tyre mbi zbatueshmërinë e këtyre propozimeve, duke vënë në pah se qeveritë e vendeve anëtare të BE-së mund të mos kenë vullnet për të dorëzuar të drejtën që kanë mbi politikat buxhetore të vendeve të tyre.

Merkel dhe Sarkozi janë gjetur nën trysninë e publikut për të dalë me ide të reja në rivendosjen e besimit në tregun financiar, që prej fillimit të trazirave në këtë treg, para një viti e gjysmë.

Të dhënat nga Bashkimi Evropian flasin se në tre muajt e fundit, rritja ekonomike në eurozonën 17 anëtarëshe kishte zmbrapsje në 0.2 për qind, nga 0.8 për qind sa ishte shënuar në çerekun e parë të këtij viti.(a.v.)
XS
SM
MD
LG