Ndërlidhjet

logo-print

Obama: "Terroristët e vetmuar", rreziku më i madh aktual


Barak Obama / foto arkiv

Barak Obama / foto arkiv

Presidenti amerikan Barak Obama tha se terroristët që veprojnë të vetëm, siç ishte rasti i sulmuesit në masakrën e fundit në Norvegji, paraqesin kërcënimin më të madh për Shtetet e Bashkuara, sesa një operacion në shkallë të gjerë që mund të drejtohet nga grupet e organizuara terroriste.

Në një intervistë për rrjetin televiziv CNN, Obama kërkoi nga autoritetet që t’u “vihen në gjurmë atyre që po veprojnë si ujqër të vetmuar”.

“Kur keni një person që është i nxitur nga ideologjia e urrejtjes, ai mund të bëjë shumë dëm dhe është shumë më vështirë që t’u vihet në gjurmë këtyre 'ujqërve të vetmuar'. Po shpenzojmë shumë kohë duke monitoruar dhe duke mbledhur informacione”, ka thënë Obama.

Ai ka shtuar se është bërë “përparim i jashtëzakonshëm” në dekadën e kaluar për të degraduar kapacitetet e Al Kaidës.

Obama tha se autoritetet janë në gjendje të lartë gatishmërie për sulme të mundshme në përvjetorin e 10-të të sulmeve të 11 shtatorit.

Në Norvegji, një 32 vjeçar është akuzuar se nga sulmet në Osllo dhe të shtënat në një kamp të rinjsh në muajin e kaluar, ka vrarë 77 njerëz. (a.k.)
XS
SM
MD
LG