Ndërlidhjet

Knaus: Dialogu në krizë


Gerald Knaus
Gerald Knaus
“Dialogu është në krizë të kredibilitetit tani dhe do varet nga zgjidhja e çështjes së doganave, vulave dhe kufijve”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Knaus, dialogu ndërmjet Prishtinës e Beograd-i lehtësuar nga BE-ja, pritet të vazhdojë në shtator. A mendoni se tani do të dallojnë takimet e të dyja delegacioneve nga ajo se si kanë qenë në të kaluarën nëse i marrim parasysh zhvillimet e fundit në veri të Kosovës?

GERALD KNAUS
“Mendoj se dallimi më i madh ndërmjet dialogut të mëparshëm dhe atij aktual qëndron në atë se presioni për të dhënë rezultate mbresëlënëse është më i madh si kurrë më parë. Dialogu është në krizë të kredibilitetit tani, dhe do varet nga zgjidhja e çështjes së doganave, vulave dhe kufijve. Tash, nëse BE-ja është në gjendje t’i shtyjë palët të pajtohen me një zgjidhje e cila nënkupton se ka kufij të besueshëm dhe me të cilën zgjidhet çështja e lirisë së lëvizjes, jo vetëm për qytetarët por edhe për mallrat, atëherë mund të thuhet se dialogu është i dobishëm dhe interesant.

Mirëpo, nëse del që nuk po lëvizë asgjë përpara lidhur me çështjet e mëdha që ishin në qendër të konfliktit të javëve të kaluara, atëherë shtrohet pyetja se a është në të vërtetë domethënës, zbatimi i dialogut me përbërjen në të cilën e ka aktualisht”.

RADIO EVROPA E LIRË
Siç e përmendët çështja e doganave, vulave dhe kufijve pritet të jetë në tryezën e diskutimeve gjatë raundit të ri të dialogut. Por, a shihni ndonjë mundësi që statusi i ardhëm i veriut të jetë po ashtu në tryezën e bisedimeve dhe a është ndërmjetësuesi evropian, Robert Kuper, në fakt përgjegjës për të diskutuar çështje përtej atyre të natyrës teknike?

GERALD KNAUS
“Nuk jam i sigurt nëse do të ishte e dobishme apo nëse do të jepte shenja të mira që në këtë fazë të ketë diskutime që shkojnë përtej debatit teknik. Natyrisht se debatet teknike janë në të njëjtën kohë edhe politike; është politikisht e rëndësishme të dihet se ku qëndron kufiri efektiv. Mirëpo, është joreale dhe e parëndësishme që Prishtina e Beogradi të shtyhen për të bërë koncesione qoftë për statusin e veriut qoftë për statusin e Kosovës.

Çështja kryesore mendoj se do të ishte krijimi i rezultateve të vërteta në dialog-rezultate që rrisin lirinë e lëvizjes në rajon, gjë nga e cila do të përfitonin edhe Prishtina edhe Beogradi. Kjo do të demonstronte se gjithashtu se Bashkimi Evropian e ka fuqinë efektive në të gjitha anët dhe se është i gatshëm të japë rezultate.

Shumëçka është në pyetje këtu për Bashkimin Evropian, sepse ky dialog është bërë një projekt prestigj edhe për zonjën Kethrin Eshton dhe politikën e jashtme evropiane. Andaj, shumëçka mbetet në pyetje dhe nuk mendoj se ka gjasa të zgjidhen çështjet lidhur me statuse-do të jetë madje vështirë të zgjidhen çështjet teknike”.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, veriu duhet të mbetet nën autoritetin e Prishtinës...

GERALD KNAUS
“Është e qartë se, po që se BE-ja dëshiron të jetë serioze lidhur me përkushtimin e saj për sigurimin e kufijve në mënyrë që të mos ketë zona të hirta për vënien e sundimit të ligjit, për zbatimin e ligjeve mbi dogana e vula, për lirinë e lëvizjes së mallrave-përfshirë respektimin e obligimeve të CEFTA-s, atëherë kjo do ta ndikojë veriun. Për të gjitha këto çështje duhet të ndodhë diçka në shtator.

Mendoj dhe shpresoj gjithashtu që në prapaskenë BE-ja t’i japë një mesazh të fuqishëm Serbisë se do të jetë e nevojshme mbështetja dhe fleksibiliteti i Beogradit lidhur me këtë dhe se përndryshe do të bëhet e vështirë në fund të këtij viti të stimulohet procesi i integrimit të Serbisë në BE në përputhje me shpresat e shumë forcave pro-evropiane në Serbi”.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqë po flasim për fundin e këtij viti, shtetet evropiane do të vlerësojnë progresin e vendeve që synojnë anëtarësimin në BE. A do të duhej të kushtëzohej statusi kandidat për anëtarësim në BE i Serbisë me zgjidhjen e problemeve karshi Kosovës?

GERALD KNAUS
“Personalisht mendoj se statusi kandidat për Serbinë është dashur t’i jepej moti meqë do të ishte në të mirën e Serbisë dhe të rajonit. Mirëpo, kur bëhet fjalë për nisjen e negociatave për anëtarësim shtrohet pyetja se cili është çmimi real. Në rregull, mund të fitohet statusi i vendit kandidat sikurse që e ka Maqedonia, por ata kanë pritur tashmë më shumë se pesë vite për të nisur bisedat.

Kur bëhet fjalë për nisjen e negociatave për anëtarësim, BE-ja do të dëshirojë që Serbia të paktën të mos e dëmtojë njërin nga projektet më të mëdha të politikës së jashtme evropiane e që është stabilizimi i Ballkanit, stabilizimi i Kosovës dhe asistimi në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Kjo do të kërkojë që Serbia të paktën të heqë pengesat kur bëhet fjalë për lirinë e lëvizjes për njerëzit dhe për mallrat-për zhvillimin e tregtisë.

Mendoj se në këtë, BE-ja do të bënte mirë të thoshte: “Në rregull, po ju japim statusin kandidat. Serbia ka përmbushur shumë rezultate lidhur me Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, por kur bëhet fjalë për nisjen e bisedimeve për anëtarësim, Serbia duhet të jetë më konstruktive në çështjet teknike që pengojnë zhvillimin në Ballkan”.

RADIO EVROPA E LIRË
Në ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i kërkoi Brukselit një agjendë konkrete evropiane dhe jo vetëm, siç ka thënë ai, premtime të thata nga BE-ja. Ju përmendët seriozitetin e BE-së në dialog por edhe në procesin e integrimit...a ka qenë Brukseli, në fakt, serioz kur bëhet fjalë për agjendën evropiane për Prishtinën dhe Beogradin?

GERALD KNAUS
“Jo! Mendoj se Brukseli ka qenë serioz për Beogradin duke caktuar disa kushte të qarta dhe duke njoftuar se çfarë do të ndodhë në rast të përmbushjes së atyre kritereve. Kur bëhet fjalë për Kosovën-Brukseli ka dëmtuar kredibilitetin e vet në dy mënyra fundamentale: Njëri, ka të bëjë me marrëveshjet e preferencave tregtare ndërmjet BE-së e Kosovës.

Fakti që marrëveshjes së preferencave tregtare i skadonte afati dhe që BE-ja nuk mund ta pajtohej me këtë, tregon që edhe në këtë fazë mospajtimet brenda BE-së sa i përket statusit të Kosovës po i dëmtojnë çështjet më praktike. Ky ishte një sinjal i tmerrshëm dhe mendoj që BE-ja do të bënte mirë që ta adresojë këtë krizë të brendshme evropiane.

E dyta ka të bëjë me viza. BE-ja nuk ka qenë, deri më tani, në gjendje-edhe pse autoritetet kosovare kanë përmbushur shumicën e kritereve të ngjashme me ato që i kanë përmbushur shtetet e tjera. Mirëpo, BE-ja nuk ka qenë në gjendje t’ia japë Kosovës një udhërrëfyes për liberalizimin e vizave. Ka fjalë për një dialog, ka fjalë për një proces në përgjithësi, por BE-ja nuk e ka trajtuar Kosovën me seriozitet që do të thotë se nuk e ka trajtuar atë të barabartë me fqinjët e saj.

Ajo që mungon në Bruksel për të dyja këto çështje është gatishmëria për të menduar në mënyrë kreative. Nëse BE-ja, të 27 vendet, nuk pajtohen mbi statusin e Kosovës dhe nuk do të pajtohen edhe për shumë vite (që ka gjasa të ndodhë), BE-ja do të duhej të paktën ta dizajnoj një proces që do të ishte neutral karshi statusit, i cili do t’u lejonte kosovarëve të kenë të drejtat dhe obligimet e njëjta me ato të fqinjëve-kur bëhet fjalë për vizat, për tregtinë dhe kur bëhet fjalë për përmbushjen e kritereve për anëtarësim.

Mendoj se Kosova do të duhej të ishte e përfshirë në një proces të anëtarësimit që do të ishte neutral karshi statusit në mënyrë që në vitet e ardhshme Kosova të mos humbë më kohë. Kjo kërkon që BE-ja të jetë më pro-aktive dhe më kreative. Nëse nuk bëhet e tillë, mendoj se BE-ja shumë shpejt do të humbë fuqinë diplomatike në Kosovë-gjë që do të ishte keq për BE-në, për Kosovën dhe për rajonin”.
XS
SM
MD
LG