Ndërlidhjet

Prokuroria Speciale ngre akuza kundër katër personave


Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur dhe dorëzuar aktakuzë në Gjykatën e Qarkut në Pejë, me të cilën ka akuzuar katër të pandehur: Kolë Puka-ish gjyqtar, tani avokat, Lon Palushaj-avokat, Bedri Bakalli-ortoped-traumatolog në pension dhe Isa Salihi-përfaqësues i Fondit të Garancisë së Kosovës në Prishtinë.

Në një komunikatë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës thuhet se “Aktakuza ka të bëjë me veprën penale ‘Krim i Organizuar’ , ‘Shpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit’ dhe ‘Nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore’ nga neni 346 i KPK-së”.

Në komunikatë thuhet po ashtu se ndaj të pandehurve Kolë Puka dhe Lon Palushaj, aktakuza ka të bëjë edhe për një vepër të posaçme penale “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”.

Aktakuza është ngritur pasi që i dëmtuari Fatmir Gashi nga fshati Sverk, Komuna e Klinës, ka pësuar dëme materiale në aksident komunikacioni.

Ndaj të pandehurit Kolë Puka, janë duke u zhvilluar edhe disa raste penale në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, për raste të ngjashme rreth “Shpërdorimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve” nga neni 339 i KPK-së, lidhur me “Krim të organizuar” nga neni 274 i KPK-së.

Lidhur me këtë rast, hetimet i ka udhëhequr dhe ka ngritur aktakuzën një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, thuhet në fund të komunikatës.
XS
SM
MD
LG