Ndërlidhjet

Abuzimi me narkotikë prej moshës 12 vjeçare!


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Numri i personave që po vdesin si pasojë e përdorimit të substancave narkotike është rritur dukshëm, thonë zyrtarë të organizatave që merren me rehabilitimin e këtyre personave. Ndërkaq, autoritetet e rendit thonë se Kosova është vend transit prej ku shpërndahet droga.

Numri i përdoruesve të substancave narkotike është në rritje, derisa më shqetësues është numri i personave që po vdesin si pasojë e përdorimit të drogave.

Safet Blakaj, drejtues i qendrës rehabilituese nga droga, “Labirinti”, pohon se vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti kanë vdekur, nëntë persona si pasojë e mbidozës.

Karakteristikë e vitit 2010 dhe fillimi i vitit 2011, janë vdekjet e personave nga pasojat e drogës. 16 vetë të regjistruar në organizatën tonë kanë vdekur, derisa 9 vetë kanë vdekur në gjashtëmujorin e parë të vitit. Kjo është një shqetësim shtesë për rastet e vdekjes nga mbidoza”, shprehet ai.

Mosha e përdoruesve të substancave narkotike, sipas zotit Blakaj ka rënë dukshëm.

Në Kosovë madje fëmijët e moshës 12 vjeç, janë përdorues të shpeshtë të kanabisit.

Mosha më e re që përdorin drogë është 12 vjeç, dhe përdorin kanabis, ndërsa te përdorimi i drogave që shkaktojnë varshmëri të menjëhershme është rreth 17 vjet. E fillimi i përdorimit të heroinës është kryesisht mosha 20 vjeç”, thotë Blakaj.

Mosha më e re që përdorin drogë është 12 vjeç, dhe përdorin kanabis, ndërsa te përdorimi i drogave që shkaktojnë varshmëri të menjëhershme është rreth 17 vjet.
Psikologët në vend thonë se përdorimi i hershëm i substancave narkotike ka shumë pasoja.

Anduena Arrni, psikologe, thotë se kanabisi, si droga më e përhapur në treg, bën që të jetë e përdorueshme në moshë shumë të re.

Sipas statistikave të nxjerra nga organizata të ndryshme, abuzimi me narkotikë është mosha 13 vjeçare dhe kjo ka efektet dhe rreziqet e saj, si shëndetësore, po ashtu edhe shkakton ankth dhe halucinacione. Atëherë kur shkaktohen halucinacione në të ardhmen, personi mund të vuaj nga skizofrenia. Kanabisi është droga më e përhapur në treg, por edhe heroina e kokaina kanë marrë përmasa të mëdha kohëve të fundit”, shpjegon Arrni.

Një prej mundësive se si vijnë të rinjtë deri tek abuzimi me substanca narkotike, për të cilën tash e sa kohë flitet, është furnizimi me trodonë.

Trodoni është një ilaç që njihet si analgjetik, por që shumë përdorues të substancave narkotike e shfrytëzojnë si zëvendësim.

Ndonëse me ligj nuk mund të blihet pa pasur recetë mjekësore, shqetësime ka se disa barnatore mund të mos e respektojnë ligjin.

Haki Ejupi, monitorues i sistemit farmaceutik në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se trodoni nuk guxon të jepet pa recetë në barnatore, dhe një gjë e tillë është e kundërligjshme.

Ai thotë se nuk ka informata lidhur me shitjen e trodonit pa recetë, në të kundërtën, do të merreshin masa për ato barnatore, sepse një gjë e tillë, siç thotë ai, është krim i organizuar.

Trodoni nuk guxon të jepet pa recetë, duhet të ketë pacienti recetën dublikate të specialistit për të marrë një ilaç të tillë.
Trodoni nuk guxon të jepet pa recetë, duhet të ketë pacienti recetën dublikate të specialistit për të marrë një ilaç të tillë. Secila barnatore nuk ka të drejtë të mbajë trondon. Vetëm barnatoret e licencuara kanë të drejtë të mbajnë një ilaç të tillë dhe të cilat posedojnë kushte si arka metalike apo sefa ku ato ruhen. Kur hasim në barnatore të palicencuara për mbajtjen e këtij ilaçi ndërmerren masa. Nuk kemi informata që trodoni shitet pa recetë, por me të marrë këto informata, në bashkëpunim me policinë do të ndërmarrim masa, sepse kjo është një krim i organizuar”, thotë Ejupi.

E zoti Blakaj, nga qendra “Labirint”, thotë se të rinjtë nuk e kanë aspak të vështirë depërtimin deri tek substancat narkotike.

Nuk është ndonjë problem i madh të vijnë deri te droga. Përveç dilerëve (shitësve të drogës) që janë aktivë, janë edhe grupet e të rinjve aktivë që të vijnë deri te droga”, bën të ditur ai.

Sabrije Kamberi, zëdhënëse në Policinë e Kosovës, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, se në bazë të analizave të bëra nga të arrestuarit për drogë, del se Kosova është vend transit prej ku shpërndahet droga.

Sipas zëdhënëses Kamberi, substancat narkotike të konfiskuara nga autoritetet e rendit në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë 33 kilogramë heroinë, 87 kilogramë kanabis, 2.5 kilogramë hashash, 691 copë ekstazi, dhe 3 kilogramë droga të tjera.
XS
SM
MD
LG