Ndërlidhjet

Beogradi i shqetësuar me kërkesat e Merkelit për Kosovën


Beogradi është i shqetësuar thellësisht me kërkesat për veriun e Kosovës, që mund t'i paraqesë kancelarja gjermane, Angela Merkel, gjatë vizitës së ardhshme në Serbi.

DPA transmeton mediat serbe, të cilat duke u thirrur në disa burime pa emra, shkruajnë se "Merkel po vjen me kërkesën se situata në veri të Kosovës duhet të normalizohet".

E përditshmja më e madhe beogradase "Blic" shkruan se "në mesin e zyrtarëve serbë ekziston frika se normalizimi do të thotë vënia e doganave dhe gjykatave nën kontrollin e Prishtinës".

"Nëse Serbia e kundërshton këtë pozicion, atëherë Merkel do ta paralajmërojë Beogradin se mund të përballet me bllokim të hapave të mëtutjeshëm për negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian", shkruan Blic.

Ditë më parë, kreu i opozitës serbe, Tomisllav Nikolliq, tha se Serbia duhet të zgjedhë midis çështjes së veriut të Kosovës dhe afrimit të mëtejshëm me BE-në. Ai propozoi referendum - ide që u hodh poshtë nga partitë qeveritare.

Merkel do ta vizitojë Kroacinë të hënën e ardhshme, për të vazhduar më pas në Beograd.
XS
SM
MD
LG