Ndërlidhjet

Dilema reale apo imagjinare e Serbisë

  • RFE /RL

Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Vulat doganore, zhbllokimi i anëtarësimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare dhe pjesëmarrja e zyrtarëve kosovarë në takimet rajonale, janë çështje që Serbia duhet t’i zgjidhë deri më 10 shtator nëse do të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Derisa autoritetet serbe paralajmërojnë disa propozime për zgjidhjen e këtyre problemeve, zërat e opinionit publik thonë se Serbia mund të ndodhet para zgjedhjes – ose Kosova, ose Bashkimi Evropian.

Dhjetë shtatori është data kur Komisioni Evropian përfundon raportin për progresin e vendeve të rajonit drejt anëtarësimit në BE.

Ky është afati i fundit për Beogradin - nëse dëshiron kandidaturën në dhjetor - që t’i adresojë disa çështje në lidhje me Kosovën, thotë raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin.

Jelko Kacin
Qeveria e Serbisë ka rastin që t’i thotë Bashkimit Evropian se ka ndaluar me bllokimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Në anën tjetër, t’i thotë se në dialog me Prishtinën ka zgjidhur çështjen e vulave, meqë ajo është një pengesë e madhe në përparimin e tregtisë ndërmjet Kosovës dhe ekonomive në rajon, por edhe një gjenerator i krimit të organizuar dhe korrupsionit, që, me mospranimin e vulave, i mundëson dhe i përkrah edhe vetë shteti i Serbisë. Këto janë dy sfidat më të mëdha, për të cilat personalisht besoj se Serbia do të japë përgjigje pozitive”, thotë Kacin për Radion Evropa e Lirë.

Autoritetet në Beograd, qysh në dhjetor të vitit të kaluar, janë njohur me kërkesat e Brukselit.

Të tillat kanë të bëjnë me vulat doganore dhe pjesëmarrjen e zyrtarëve kosovarë në takimet rajonale.

Këto të fundit bojkotohen nga zyrtarët serbë nëse Kosova prezantohet si shtet i pavarur.

Nëse ka vullnet politik, këto çështje mund të zgjidhen brenda një muaji.
Këto dy çështje janë pjesë e Planit të Veprimit të Qeverisë së Serbisë, thotë kryetari i Komisionit Parlamentar serb për Integrime Evropiane, Llasllo Varga.

Mendoj se të gjitha vendimet për çështje politike janë të vështira, porse nuk kërkojnë shumë kohë. Nëse ka vullnet politik, këto çështje mund të zgjidhen brenda një muaji”, thotë ai.

Ndërkohë, disa zyrtarë të Qeverisë serbe janë duke e bërë gjithnjë e më të zëshëm mesazhin se Serbia, ndonëse dëshiron Bashkimin Evropian, nuk do të kalojë vijën e kuqe të, siç thuhet, çështjes territoriale.

Askush nuk duhet ta vërë Serbinë në situatën për të zgjedhur Kosovën, ose Evropën”, thonë ata.

Zëvendëskryeministri serb, Ivica Daçiq, nuk është i vetmi që e ka përmendur mundësinë që Beogradi së shpejti mund të ndodhet para kësaj dileme.

Serbia do të duhej të vendosë për veten e jo për Kosovën.
Në pyetjen nëse një gjë e tillë është e vërtetë, Jelko Kacin thotë se Serbia nuk mund të vendosë për Kosovën.

Serbia do të duhej të vendosë për veten e jo për Kosovën”, thotë Kacin.

Ditë më parë, lideri i opozitës serbe, Tomisllav Nikolliq, tha se Serbia duhet të zgjedhë midis çështjes së Kosovës dhe afrimit të mëtejshëm me BE-në.

Ai ka propozuar referendum, por kjo ide është hedhur poshtë nga partitë qeveritare.

Ajo për të cilën pajtohen të gjithë është se pa zgjidhjen përfundimtare të, siç thuhet, çështjes së Kosovës, negociatat për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian nuk mund të përfundojnë.

Javën e ardhshme, kancelarja gjermane do të vizitojë Beogradin. Pritjet janë që Angela Merkel t’iu kërkojë autoriteteve serbe të heqin dorë nga veriu i Kosovës, si kusht për përparim në rrugën evropiane. (v.t.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG