Ndërlidhjet

Libia: Jehonë e Afganistanit


Muhamer Gadafi
Muhamer Gadafi
"Guardian"

Koloneli i Libisë, Muamer Gadafi, po duket gjithnjë e më i lëndueshëm, derisa forcat e kryengritësve, të mbështetura nga NATO-ja, po vazhdojnë me fushatën e planifikuar mirë për rrethimin dhe izolimin e bazës së Gadafit, në kryeqytetin Tripoli.

Qytetet e rëndësishme Zavijah dhe Surman, në perëndim të kryeqytetit, dhe Garihan, në jug, tashmë kanë rënë në duart e kryengritësve.

Dezertimi i qartë i ministrit të brendshëm, Nasër al-Mabrouk, i cili arriti në Egjipt, me nëntë anëtarë të familjes, gjatë fundjavës së kaluar, është një goditje serioze për regjimin.

Gadafi është i rrethuar, i rraskapitur dhe në kërkim të mënyrës së dinjitetshme për largim.

Prandaj, është vetëm çështje e kohës, derisa regjimi i Libisë ta pranoj disfatën. Por çka do të ndodhë pastaj?

Perëndimi po e humbë besimin në Këshillin Tranzicional Kombëtar (KTK), i cili duket se është i paaftë për bashkimin dhe kontrollimin e elementeve të ndryshme brenda kryengritjes, pjesëmarrësit e së cilës jo vetëm që nuk mund të bashkohen, por duket se janë në teh të luftës me njëri-tjetrin.

Elementi islamist në mesin e forcave kryengritëse është i fuqishëm, mirë i armatosur, në saje të ndërhyrjeve në depot e armatimit të regjimit, por që fuqishëm e kundërshton NATO-n.

Militantët kryesor islamist, Brigada Abu Ubaidah bin Xharrah, ka refuzuar të luftoj nën një flamur, që e kanë vlerësuar si “të pafe”, por që e mbanë “sigurinë e brendshme”, shkruan e përditshmja Gardian.

Këta, me gjasë, janë fajtorët kryesorë për vrasjen më 28 korrik, të shefit të shtabit të kryengritësve, gjeneral Abdul Fatah Junis, i cili kishte dezertuar nga regjimi i Gadafit, në fazën e hershme të kryengritjes.

I ndjeri Junis ishte ministër i brendshëm i Gadafit dhe kishte udhëhequr gjatë shtypjes brutale të një kryengritjeje islamike në mes të viteve të 90-ta.

Të gjitha variantet e ndryshme të shpjegimeve për vrasjen e tij janë të mundshme dhe paraqesin ilustrim të mirë të kaosit dhe të luftës së brendshme, që e karakterizon opozitën.

Një kamp thotë se Junis nuk ishte dezertor i sinqert nga kampi i Gadafit, por se ishte spiun i regjimit dhe se ishte vrarë nga Këshilli Tranzicional Kombëtar.

Nga ana tjetër, Brigada e Martirëve Islamikë 17 Shkurti, që udhëhiqet nga kleriku al-Sallabi, pretendon se Junis ishte vrarë nga infiltruesit e Gadafit.

Për vrasje është akuzuar edhe bashkëpunëtori i CIA-s dhe ish koloneli i armatës së Libisë, Kalif Hifter, i cili në mënyrë të hapur është përleshur me Junisin, lidhur me kontrollin e Unionit të Forcave Revolucionare, q është ombrellë ushtarake e Këshillit Tranzicional Kombëtar.

Zhvillimet e fundit në KTK, me ç’rast kryesuesi, Abdel Mustafa Xhalil, e shkarkoi gjithë kabinetin, me përjashtim të kryeministrit, Mahmud Xhibril, u bënë për t’i siguruar mbështetësit perëndimor të këtij këshilli.

Përkundër, shqetësimeve të arsyeshme të tyre për Këshillin Tranzicional Kombëtar, Britania, Shtetet e Bashkuara dhe 28 shtete të tjera, e kanë njohur atë si qeveri legjitime të Libisë.

Libia është në rrezik të përfundoj me një qeveri qendrore të dobët dhe jodemokratike, e mbështetur nga NATO-ja, dhe e udhëhequr nga një president i dëgjueshëm, e i rrethuar nga militantët islamikë. Sikur në Afganistan, shkruan, pos tjerash, në numrin e sotëm e përditshmja londineze Gardian. (f. b.)
XS
SM
MD
LG