Ndërlidhjet

Dallime për regjistrim


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Anëtarët shqiptarë janë kthyer në punën e Komisionit Shtetëror për Regjistrimin e Popullsisë pas një bojkoti dymujor, por ende nuk ka marrëveshje konkrete lidhur me caktimin e regjistruesve që do të realizonin këtë operacion statistikor në Maqedoni.

Një nga anëtarët shqiptarë të komisionit, Jakup Fetai, tha për Radion Evropa e Lirë, se në mbledhjen e mbrëmshme është vendosur që komisioni të vazhdojë me punën pas anulimit të të gjitha vendimeve që kishte marrë, pa praninë e anëtarëve shqiptarë, përfshirë edhe shpalljen e konkursit të kontestueshëm për zgjedhjen e regjistruesve.

Fetai thotë se anëtarët shqiptarë mbeten në qëndrimin e tyre se numri i regjistruesve duhet të reflektojë përqindjen e popullatës në rajonet ku realizohet.

Ai thotë se kërkesa e këtillë bazohet në ligj që duhet të pranohet edhe nga pala tjetër.

Unë mendoj se do të ketë marrëveshje rreth kësaj çështjeje, pra, do të ketë mirëkuptim rreth numrit të regjistruesve. Ligji për ne është decid, numri i regjistruesve duhet të pasqyrojë numrin e popullatës në rreth apo rajonin ku zbatohet procesin i regjistrimit”, u shpreh Fetai.

Sipas anëtarëve shqiptarë, është e pakuptimtë që në zonat ku mbi 90 për qind e popullatës është shqiptare, të ketë numër të njëjtë të regjistruesve shqiptarë dhe maqedonas, apo në zonat ku ka një ose dy familje të përkatësive tjera etnike, po ashtu, numri i regjistruesve të jetë i njëjtë me ata shqiptarë.

Nga pala tjetër, vendimin e këtillë të shpërndarjes së regjistruesve e bazojnë në evitimin e manipulimeve të mundshme, por edhe ata mbështeten në zgjidhjet ligjore.

Debatet dhe mosmarrëveshjet lidhur me regjistrimin e popullsisë komentohen në forma të ndryshme edhe nga ekspertët juridik në vend.

Vllado Popovski, thotë se regjistrimi i popullsisë po politizohet jashtë mase, pasi, sipas tij, njerëzit mendojnë se numri më i madh ose më i vogël i shqiptarëve, do të ndikonte në realizimin e të drejtave të tyre në bazë të Marrëveshjes së Ohrit.

Për shkak të spekulimeve të këtilla, që mendoj se aspak nuk janë të vërteta, po shkaktohet nervozizëm i madh dhe në bazë të kësaj paraqiten nacionalizma konkurrues, që parti të caktuara politike i shfrytëzojnë për interesat e tyre”, thotë Popovski.

Por, Mersel Bilalli, profesor universitar, thotë se pas gjithë kësaj qëndron numri i shqiptarëve në Maqedoni dhe kjo, sipas tij, shkakton nervozizëm tek pala maqedonase dhe në vecanti tek VMRO-DPMNE që nuk mund të pajtohet me përqindjen reale të shqiptarëve në Maqedoni.

Siç duket në strukturën mentale të VMRO-DPMNE-së, nuk mund të eliminohet çështja e realitetit të shqiptarëve në Maqedoni dhe ata mundohen që edhe më tej këtë ta ekspolatojnë si politikë ditore dhe mundësisht të nxjerrin një numër që do të ishte atraktivë për votuesit e tyre”, u shpreh Bilalli, duke shtuar se qasja e këtillë e qeverisë apo palës maqedonase në veçanti ndaj procesit të regjistrimit, mund vetëm të krijojë situata konflikti, që nuk do të ishin në të mirën e vendit.

Në bazë të regjistrimit të para dhjetë viteve, numri i shqiptarëve në Maqedoni, është 25.17 për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë dy milionëshe.

Sipas ligjit aktual për regjistrimin e popullsisë, që u miratua në mars të këtij viti, procesi i regjistrimit të popullsisë duhet të realizohet nga 1 deri 15 tetor të këtij viti.
XS
SM
MD
LG