Ndërlidhjet

Kush po e pengon marrëveshjen?


Pamje nga pjesa veriore e Mitrovicës...
Pamje nga pjesa veriore e Mitrovicës...
Liderët e organeve paralele serbe në veri të Kosovës, që i përkasin Partisë Demokratike të Serbisë kanë kërkuar ndërprerjen e marrëveshjes me KFOR-in.

Zyrtarë të kësaj partie thonë se marrëveshja sjell bllokadën ekonomike të serbëve në Kosovë, pasi që nuk po lejon transportimin e mallrave komerciale deri në 3.5 tonë. Përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Serbisë për Kosovën, Nenad Kojiq, numëron kërkesat.

Duke marrë parasysh se situata aktuale nuk është e pranueshme, kërkojmë që ajo të kthehet siç ka qenë para 25 korrikut; që të zvogëlohet prania e EULEX-it në veri dhe të forcohet ajo e UNMIK-ut; që bisedimet të zhvillohen në kuadër të rezolutës 12 44 dhe jo nën ombrellën e Brukselit”, tha Nenad Kojiq, përfaqësues i partisë së ish kryeministrit Vojisllav Koshtunica.

Megjithatë, një kërkesë e tillë shihet me dyshim nga përfaqësues të partive tjera politike në veri.

Kërstimir Pantiq nga Partia Serbe e Progresit, që udhëhiqet nga Tomisllav Nikoliq, tha se nuk iu takon serbëve të veriut që të kërkojnë anulimin e marrëveshjes.

Ne nuk mund ta prishim atë marrëveshje, që është arritur mes zotit Stefanoviq e KFOR-it, ne vetëm mund të japim mendimin tonë. Qëndrimi ynë është që për këtë marrëveshje duhet të japë sqarime qeveria e Serbisë dhe Kuvendi i Serbisë”, tha për Radion Evropa e Lirë, Kërstimir Pantiq.

Ndërkaq, Radenko Nedelkoviq nga Partia Demokratike, që drejtohet nga presidenti serb, Boris Tadiq, thotë se marrëveshja po bllokon ekonominë dhe mbarimin e projekteve. Por, sipas tij, ende ekziston furnizimi me produkte ushqimore.

Askush nuk është i kënaqur kur është në pyetje marrëveshja, por konsiderojmë se në këtë moment ka dhënë kontribut në qetësimin e situatës dhe në uljen e tensioneve, kështu që ne e pranojmë si zgjidhje të përkohshme derisa problemet të zgjidhen, shpresojmë, në kuadër të dialogut në shtator”, ka thënë Nedelkoviq.
Por, përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Serbisë në Zveçan, Dragisha Milloviq nuk pret reagime të Beogradit. Ai madje kritikon ashpër politikën e atjeshme karshi serbëve në veri.

Pas kërkesës sonë nuk pres kurrfarë reagimi nga Beogradi, pasi që deri më tash, kur ne e kemi pasur më së rëndi, Beogradi ka heshtur. Të gjithë ata janë në pushim, për këtë arsye, asgjë nuk presim nga ta. Ndërkaq në terren, në veri serbët po getoizohen. Nuk ka hyrje të mallrave, e as kalimi i transportit deri në 3.5 tonë. S’ka liri të lëvizjes dhe kjo paraqet një kamp të kohërave moderne”, shprehet Milloviq.

Kanë qenë pikërisht përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Serbisë, ata që bojkotuan një takim të të ashtuquajturit Kuvend i komunave edhe vendbanimeve serbe, në javën e kaluar, në të cilën ishte thënë se do të merrej vendimi për heqjen e bllokadave rrugore.

Serbët bllokuan rrugët pas ndërhyrjes së policisë së Kosovës për të marrë nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të vendit.

Edhe më tej, bllokada në vendbanimin Rudarë nuk është hequr, ndërsa KFOR-i po përdor rrugë dytësore për të shkuar kah baza e tij në Leposaviq.

Përfaqësues të KFOR-it kanë thënë se do të jenë të durueshëm dhe sipas tyre duhet kohë, derisa serbët të diskutojnë dhe të merren vesh për heqjen e barrikadës.

Zhbllokimi i rrugëve është pika e parë e marrëveshjes së arritur mes KFOR-it, Prishtinës dhe Beogradit në fillim të këtij muaji.
XS
SM
MD
LG