Ndërlidhjet

SHBA dhe OKB shtojnë presionin ndaj Sirisë


Presidenti Barak Obama
Presidenti Barak Obama
Veprimtarët anti-qeveritarë në Siri kanë bërë thirrje për më tepër protesta në rrugë, vetëm një ditë pasi liderët perëndimorë i kanë bërë thirrje të qartë presidentit Bashar al-Asad që të tërhiqet, ndërsa Kombet e Bashkuara kanë thënë se do ta dërgojnë një ekip për vlerësimin e situatës në Siri.

Andaj, priten protesta të reja, pasi Uashingtoni u ka prirë thirrjeve që zoti Asad të tërhiqet, ndërsa OKB-ja i ka tërhequr vërejtjen regjimit se mund të jetë fajtor për krime kundër njerëzimit.

Presidenti amerikan, Barak Obama, e bëri atë që ishte thirrja e parë e qartë e Uashingtonit, që presidenti Bashar al-Asad të tërhiqet. Kësaj thirrjeje i dha jehonë edhe thirrja e ngjashme e liderëve evropianë.

Zoti Obama po ashtu ka shpallur sanksione ekonomike, për të cilat Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, tha se “do të godasin në zemër të regjimit në Siri”.

Rrjedhimisht, liderët e Bashkimit Evropian thanë se po përgatisin propozim-rezolutën për sanksione të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në Kombet e Bashkuara, komisionarja e lartë për të drejtat e njeriut, Navi Pillai, tha se Damasku mund të ketë bërë krime kundër njerëzimit. Ajo i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që regjimin e Sirisë ta dërgojë për referim në Gjykatën Ndërkombëtare Penale.

Në Nju Jork, mbrëmë vonë, zyrtarja e lartë për çështje humanitare, Valerie Amos, tha se Kombet e Bashkuara do ta dërgojnë një delegacion në Siri, gjatë disa ditëve të ardhshme, për të zhvilluar hetime lidhur me raportet për abuzimet e të drejtave të njeriut.

Trupi i një vogëlusheje të vrarë në Latakia të Sirisë.
“Ne do të dëshironim të koncentrohemi në ato vende ku ka pasur raporte për luftime, që të mund të shohim vetë saktësisht se çka ka ndodhur”, tha Amos.

Por, ambasadori i Sirisë në Kombet e Bashkuara, Bashar Xhafari, e kundërshtoi këtë, duke e akuzuar Uashingtonin për orkestrimin e fushatës për destabilizimin e vendit të tij.

“Shtetet e Bashkuara, nëpërmjet imponimit të sanksioneve dhe thirrjes që presidenti Asad të tërhiqet, po lansojnë dhe po udhëheqin luftë humanitare dhe diplomatike kundër nesh. Kjo luftë e ka një qëllim – nxitjen e dhunës së mëtejshme në Siri dhe po u jep mesazh të gabueshëm grupeve terroriste të armatosura, se ato janë nën mbrojtjen amerikane dhe perëndimore... Prandaj, ato mund ta vazhdojnë kryengritjen dhe veprimtarinë shkatërruese në Siri”, tha Xhafari.

Zëvendësambasadori britanik në Kombet e Bashkuara, Filip Perham, tha se Qeveria e Sirisë nuk e ka ndryshuar sjelljen.

“Qeveria e Sirisë nuk e ka ndryshuar kursin. Në fakt, aksionet e saj, gjatë dy javëve të fundit, janë përshkallëzuar dhe këto aksione, siç kemi dëgjuar më parë dhe siç po dëgjojmë përsëri, përmbajnë sulme të dhunshme kundër protestuesve, që në masë të madhe janë paqësorë”, tha Perham.

Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, më se 2 mijë civilë janë vrarë në Siri, prej muajit mars, kur filluan protestat anti-qeveri.

Megjithëse një numër në rritje i vendeve i janë bashkuar thirrjes ndërkombëtare që Asadi të largohet, propozim-rezoluta e Këshillit të Sigurimit, me gjasë, do të ballafaqohet me kundërshtim nga anëtarët e përhershëm - Rusia dhe Kina.

Edhe Brazili, India dhe Afrika Jugore janë shprehur kundër masave të ashpra ndaj Damaskut. (f.b.)
XS
SM
MD
LG