Ndërlidhjet

Numri i fëmijëve të prekur me autizëm po rritet çdo ditë e më shumë. Këtë e thotë psikologia Yllka Rexhepi, e cila punon në Qendrën e Bashkuar për Autizëm.

Sipas saj, prejse është hapur kjo qendër, kërkesat e prindërve për t’i regjistruar aty fëmijët me autizëm, është rritur shumë.

“Deri më tani janë 12 fëmijë, por kemi dhe listën e pritjes. Interesimi është shumë i madh. Numri po rritet shumë, çdo ditë ka kërkesa të reja të prindërve për t’iu bashkuar Qendrës për Autizëm”, thotë Rexhepi.

Violeta Hyseni, nënë e vajzës me autizëm, shprehet shumë e kënaqur që ka një qendër ku mund ta dërgojë fëmijën. Por, ajo thotë se edhe para hapjes së qendrës, vajza e saj ka qenë e angazhuar në çerdhe dhe në shkollë.

Tani, punën individuale të trajnerëve me vajzën, ajo e sheh si shumë pozitive.

“Qendra është themeluar që një vit dhe për hapat e parë është e mirë. Sara (vajza) ka qenë edhe në shkollë, edhe në çerdhe, ka pasur edhe psikolog privat”, rrëfen Violeta.

Sipas prindërve që kanë fëmijë me autizëm, ndonëse qendra ka staf të trajnuar për të punuar me fëmijët e prekur, mungojnë disa mësues të lëmive të caktuara.

Me ftesën e Ministrisë së Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kosovë ka ardhur psikologu Majk Kërsh, njëherësh terapist fizikal.

“Unë planifikoj të vi prapë në Kosovë dhe të punoj individualisht me njerëz, për t’i mësuar disa teknika specifike, që këtu mungojnë”, thotë ai.

Zonja Rexhepi thotë se është e kënaqur me iniciativa të tilla institucionale. Sipas saj, sa më shumë profesionistë që i bashkohen qendrës, është një ndihmesë e madhe për fëmijët me autizëm.

“Terapia individuale është më e preferuara, por duhet pasur edhe terapi tjera, si ajo fizike, e që te ne mungon. Por, me ndihmën e njerëzve të kualifikuar për këtë çështje, mundohemi t’iu ndihmojmë fëmijëve me autizëm sa më shumë që është e mundur”, shprehet Rexhepi.

Psikologu Majk Kërsh thotë se në Kosovë ka mjaft njerëz të lëmive të caktuara që punojnë me fëmijët me autizëm, por ai flet edhe për mungesat.

“Mendoj se ka shumë terapistë të mirë për sjelljet, që është njëra nga lëmitë që duhet përdorur me fëmijët me autizëm. Por, mendoj se këta fëmijë kanë nevojë edhe për disa profesionistë të lëmive të tjera”, thotë ai.

Qendra e Bashkuar për Autizëm është hapur në prill të vitit të kaluar. Shpresa Xhakli, nënë e fëmijës me autizëm, është financuese e kësaj qendre dhe e gjithë kjo nismë ka qenë iniciativë personale, pikërisht për t’i ndihmuar këta fëmijë.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG