Ndërlidhjet

Më shumë kërkesa për prodhime vendore


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Përfaqësues të bizneseve kosovare bëjnë të ditur se ndalimi i hyrjes së mallrave serbe në tregun kosovar, ka ndikuar në rritjen e kërkesave për prodhimet vendore. Kjo, sipas tyre, ka bërë që të ketë përmirësim të gjithëmbarshëm ekonomik.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, shpjegon më shumë:

“Në të vërtetë, ka rritje të prodhimit vendor; në të vërtetë, ka rimëkëmbje të ekonomisë në përgjithësi, sepse është ndalur kontrabanda, informaliteti nga Serbia, që ka qenë në nivelin më lartë në veri të Kosovës. Një gjë e tillë e ka ngufatur ekonominë e Kosovës, duke bërë që humbjet për shtetin kosovar të jenë qindra milionë euro”.

Rritjen e kërkesave për prodhime vendore e konfirmon edhe Bedri Kosumi nga kompania “Pestova” në Vushtrri. Ai thotë se që nga vendosja e reciprocitetit, kërkesat për produktet e kësaj kompanie kanë shënuar rritje.

“Saktë nuk mund të themi, por kemi rritje, minimumi është 20 për qind. Megjithatë, muajt gusht dhe korrik janë gjithmonë të mirë për ne, pasi bashkatdhetarët që vijnë, blejnë më shumë prodhime vendore. Por, gjithsesi, masat e reciprocitetit kanë ndikuar pozitivisht në biznesin tonë”, thotë Kosumi.

Ai thotë se kompania “Pestova” ka kapacitete të mjaftueshme për të mbuluar tregun kosovar. Madje, shton Kosumi, e njëjta eksporton edhe në vendet e rajonit, si: Maqedoni e Shqipëri, e së fundmi ka filluar të eksportojë edhe në Gjermani.

“Ne jemi prodhues të lëndës së parë, patates, dhe përpunues të patates. Në vitin e kaluar kemi instaluar linja të reja dhe kapaciteti është shumë më i madh sesa tregu. Jemi të përgatitur për një treg deri në 6 milionë banorë”, thotë Kosumi.

Edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se në disa sektorë prodhimtaria vendore mund ta mbulojë importin e mallrave që vijnë nga vendet tjera.

Në këtë situatë që jemi sot, ne nuk kemi ndonjë analizë të saktë se sa e mbulon prodhimtaria vendore konsumin e përgjithshëm, por mund të themi se kapacitetet prodhuese janë shumë më të larta se ato konsumuese”, shprehet Shahini.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për masa reciprociteti të plotë për produktet e Serbisë, ndërsa për Bosnjë e Hercegovinën taksë doganore prej 10 për qind, më 20 korrik të këtij viti.

Vendimi është bazuar në "faktin se kanë dështuar arritjet e marrëveshjeve për njohjen e vulave doganore të Kosovës dhe për këmbimin e lirë të mallrave, në procesin e dialogut me Serbinë, në Bruksel".

Serbia dhe Bosnja e Hercegovina janë shtetet, të cilat që nga viti 2008 kanë bllokuar produktet kosovare, në kuadër të marrëveshjes për tregtinë e lirë CEFTA.
XS
SM
MD
LG