Ndërlidhjet

Që nga aksioni i njësisë speciale të Policisë së Kosovës për të vënë kontrollin në vendkalimet kufitare 1 dhe 31 në veri të vendit, i cili më pas u pasua me djegien e pikës kufitare në Jarinë, situata e sigurisë, sipas autoriteteve të rendit dhe ekspertëve të sigurisë, është e qetë, por me tensione.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës thonë në rruga në Rudarë, që shkon në drejtim të komunës së Zveçanit, vazhdon të jetë e bllokuar.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, thotë se, edhe pse tensionet kanë rënë në krahasim me ditët e kaluara, situata mbetet e ndjeshme.

“Situata e sigurisë është më e qetë, pa incidente madhore, të cilat do të kërcënonin nivelin e sigurisë në rajonin e Mitrovicës. E vetmja rrugë e bllokuar është ajo e magjistrales Mitrovicë – Leposaviq, përkatësisht në fshatin Rudarë të Zveçanit”, sqaron Hoti.

Besim Hoti
Sipas tij, në veri të Kosovës vazhdon të operojë një numër i konsiderueshëm i forcave të KFOR-it dhe i Policisë së EULEX-it.

Ai thotë se për situatën e sigurisë në veri është duke u kujdesur edhe Policia e Kosovës, e përbërë nga pjesëtarë shqiptarë dhe serbë.

“Prezenca e Policisë së Kosovës kryesisht është e fokusuar në ruajtjen e rendit, por, në këtë fazën e fundit KFOR-i ka rolin udhëheqës për sigurinë në pikat kufitare dhe brezin kufitar”, thekson Hoti për Radion Evropa e Lirë.

Eksperti për çështje të sigurisë, Nuredin Ibishi, situatën në veri të Kosovës e vlerëson si të tensionuar. Ai thotë se për një gjendje të tillë janë duke kontribuar autoritetet e Beogradit.

“Strukturat paralele që veprojnë në veri janë të interesuara që situatën në veri ta mbajnë të tensionuar dhe të kërkojnë favore”, thotë ai.

Por, megjithatë, sipas Ibishit, traditës së kontrabandës dhe të akteve të tjera kriminale në veri, tashmë i ka ardhur fundi. Ai thekson nevojën e faktorit ndërkombëtar për normalizim të situatës së sigurisë, por edhe për mbështetje të autoriteteve vendore.

“Bashkësia ndërkombëtare duhet ta mbështesë Qeverinë e Kosovës në nismën e saj, që përfundimisht në veri të zgjidhen shumë çështje, duke përfshirë shtrirjen e sovranitetit dhe të integritetit të vendit”, thekson Ibishi.

Javën që shkoi, rajonin e Mitrovicës e kanë karakterizuar edhe disa protesta të banorëve serbë në fshatin Prilluzhë të Komunës së Vushtrrisë. Serbët e këtij vendbanimi kanë kundërshtuar ndërtimin e një ure që lidh disa fshatra të këtij rajoni.

Komandanti i KFOR-it, Erhrad Byler, ka thënë se, pavarësisht pakënaqësive të serbëve, ndërtimi i urës do të vazhdojë.

Kohë më parë, KFOR-i ka arritur një pajtueshmëri me palën serbe dhe atë kosovare për kontrollimin e situatës në veri.

Zbatimi i njërës prej pikave, përkatësisht asaj që flet për zhbllokimin e rrugëve, po pamundësohet për shkak të kundërshtimit të serbëve.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG