Ndërlidhjet

Pas përfundimit të studimeve në fakultetet private, studentët nuk e kanë të drejtën e vazhdimit të magjistraturës në universitetet publike.

Edhe pse universitetet publike dhe ato private janë të licencuara nga Ministria e Arsimit dhe kanë bazën e njëjtë ligjore, kjo e drejtë iu mohohet studentëve nga universitetet private.

Ministri i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Ramë Buja, thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjitha institucionet shkollore, të licencuara nga Ministria e Arsimit, janë legalisht dhe ligjërisht të barabarta.

Ramë Buja
Andaj, sipas tij, shumë shpejt, të drejtën e magjistraturës në universitetet publike do ta kenë edhe studentët, të cilët i kanë mbaruar studimet në universitete private.

“Kjo ndodh si rezultat i një mendësie racionale... sepse, ato akreditohen prej së njëjtës agjenci të akreditimit, profesorë të njëjtë ligjërojnë si në universitetet publike, ashtu dhe në ato private”, thotë Buja.

Fisnik Reqica, zyrtar në Universitetin AAB Riinvest, thotë se moslejimi i studentëve që përfundojnë studimet në universitetet private, të vazhdojnë magjistraturën në universitet publike, është politikë diskriminuese, për arsye se të gjitha universitetet, përshirë universitetet publike, kanë bazën e njëjtë ligjore.

“Është politikë diskriminuese. Përfshirja në studimet master vetëm e studentëve që përfundojnë studimet në Universitetin Publik i lë jashtë të gjithë studentët e universiteteve private, e që janë një numër mjaft i madh dhe që kualiteti i tyre është mjaft konkurrues, ndoshta më i mirë se një pjesë e madhe e Universitetit Publik”, thotë Reqica.

Edhe studentët mendojnë se moslejimi i tyre për të vazhduar studimet master nga universitetet private në ato publike, është diskriminues.

Fadil Krasniqi, student, thotë se mohimi i kësaj të drejte po iu kushton shumë, ngaqë, siç shprehet, në institucionet shkollore private duhet të paguajnë shuma të mëdha parash për magjistraturë.

“Unë e kam përfunduar fakultetin në universitet privat, por mundësia për të vazhduar magjistraturën nuk po na ofrohet. Fakulteti është i akredituar nga ministria, ndërsa ne nuk kemi mundësi të vazhdojmë magjistraturën në institucionet shtetërore”, thotë ai.

Ministri i Arsimit zotohet se së shpejti do të ndërrohet politika brenda ministrisë që ai udhëheq. Si kriter për vazhdimin e magjistraturës në universitetet publike, nuk do të merret institucioni ku studenti ka përfunduar studimet, por nota mesatare e tij, thekson Buja.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG