Ndërlidhjet

Rezistencë ekstreme ndaj pranisë së Prishtinës


Forcat e ROSU-së (Foto arkivi)
Forcat e ROSU-së (Foto arkivi)
“Në veri vazhdon status quo-ja edhe pas 25 korrikut, ndërsa ekziston rreziku i tensioneve të reja”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë analisti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Naim Rashiti. Ai thotë se për të evituar konfliktin, duhet një koordinim i mirëfilltë i komunitetit ndërkombëtar, Prishtinës e Beogradit. Rashiti thekson se në veri është në rritje nacionalizmi, ndërsa "Prishtina e faktori ndërkombëtar nuk janë të vetëdijshëm se me çfarë situate po ballafaqohen".


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rashiti, Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka publikuar shpesh raporte për veriun. Tani, pas 25 korrikut, pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës, a ka ndryshuar gjendja, siç thotë Prishtina zyrtare, apo vazhdon status quo-ja, siç e keni quajtur ju gjendjen e atjeshme?

NAIM RASHITI

Veriu është një çështje e mbetur që nga shpallja e pavarësisë; në fakt, mosmiratimi i propozimit të Ahtisarit nga Këshilli i Sigurimit ka lënë çështjen e veriut kështu siç është dhe kjo me gjasë do të mbetet kështu. Status quo-ja mbetet e tillë.

Veprimet e Prishtinës për të shtrirë kontrollin mbi territorin e vet deri në kufi janë legjitime, por në esencë kanë shkaktuar tension dhe e kanë bërë çështjen më të nxehtë, e që kërkon një përgjegjësi të veçantë.

Natyrisht se gjendja nuk është siç ka qenë para 25 korrikut, por fakti kryesor është se kjo ka ngritur vetëdijen e të gjithëve, kryesisht atë ndërkombëtare, se veriu nuk mund të vazhdojë të mbetet peng, por duhet të adresohet.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni vizituar personalisht këto ditë pjesën veriore të Kosovës. Mund të jepni një përshkrim të gjendjes atje?
NAIM RASHITI
Gjendja, realisht, është shumë e tensionuar. Njerëzit janë shumë të tensionuar dhe nacionalizmi në të gjitha nivelet është në rritje. Ka edhe një lloj konfuzioni dhe paniku të panevojshëm e të madh dhe kjo përgjegjësi bie mbi institucionet e Prishtinës dhe të Beogradit, për të qetësuar situatën.

Po ashtu, faktori ndërkombëtar duhet të reagojë me shpejtësi, që situata të mbahet nën kontroll.

Tani për tani, serbët atje janë të përgatitur se Prishtina do të vazhdojë me intervenime të tilla për të shtrirë funksionimin e institucioneve të saj në veri dhe natyrisht se ka një pjesë të serbëve që janë të përgatitur edhe për të rezistuar në mënyrë paqësore, por edhe me armë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju thoni se një pjesë e serbëve është e përgatitur që të rezistojë edhe me armë, ndërkohë që KFOR-i ka deklaruar se çarmatosja nuk është prioritet. Ministri i Punëve të Brendshme ka thënë se duhet të çarmatoset veriu. Si e shihni ju zgjidhjen e kësaj situate?

NAIM RASHITI
Çështja e armëve atje nuk është problemi më i madh. Atje nuk ka armë në sasi sa për të bërë luftë. Problemi më i madh është koordinimi mes faktorëve dhe adresimi i çështjes me hapa të sigurt, duke mos gjeneruar konflikt.

Atje duhet një fushatë e koordinuar mes faktorit ndërkombëtar e Prishtinës dhe me një lloj pranimi të Beogradit, që t’u shpjegohet njerëzve se çka realisht duhet dhe si do të ndodhë. Duhet t’iu shpjegohet se vendosja e doganave në kufi nuk është e drejtuar kundër qytetarëve, kundër serbëve, por është e drejtuar për të parandaluar evazionin fiskal, kontrabandën.

Gjithashtu, ata njerëz atje frikësohen nga veprimet që mund të vijnë nga institucionet e Prishtinës, janë shumë të frustruar vetëm nga emri ROSU (njësia speciale e Policisë së Kosovës). Atyre duhet t’iu shpjegohet se ato njësi nuk do të veprojnë kundër popullatës.

Pjesa tjetër është e frustruar me mungesën e angazhimit të mirëfilltë ndërkombëtar, konkretisht EULEX-it. Realisht, veriu ishte dashur të menaxhohet nga EULEX-i dhe KFOR-i me kohë, për të mos ardhur deri te kjo ditë.

Tani e tutje duhet një koordinim i mirëfilltë i të gjitha institucioneve të sigurisë, por edhe politike, mes Prishtinës dhe faktorit ndërkombëtar, për të realizuar marrëveshjet që janë arritur dhe do të arrihen, pa krijuar tensione të mëdha.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka një koordinim të tillë?

NAIM RASHITI
Deri më tani nuk ka koordinim. Në fakt, ka interpretime krejtësisht të ndryshme mes asaj se çka do Prishtina dhe çka do faktori ndërkombëtar apo mekanizma të ndryshëm të faktorit ndërkombëtar.

Frika jonë është se edhe Prishtina, edhe faktori ndërkombëtar nuk janë të njoftuar mjaftueshëm me situatën me të cilën po ballafaqohen dhe do të ballafaqohen.

RADIO EVROPA E LIRË
E kah mund të çojë kjo situatë?
NAIM RASHITI
E thashë dhe më lart se marrëveshja rreth vulave doganore duhet të përfshijë edhe operimin e regjimit doganor në pikat. Ajo duhet të jetë e atillë që të mos shkaktojë irritim te popullata në tërësi në veri.

Do të ketë reagime të njerëzve në veri, do të ketë reagime paqësore, por edhe reagime shumë agresive deri tek ato me armë të njerëzve të tjerë.

Institucionet vendore dhe ndërkombëtare duhet të sillen në atë formë që të mos vijë deri te një konflikt mes popullatës dhe institucioneve të rendit dhe ligjit, sepse do të rriteshin edhe më tutje tensionet. Ky dialog dhe marrëveshjet eventuale duhet t’i shërbejnë një relaksimi të situatës.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, zoti Rashiti, në marrëveshjen e arritur me KFOR-in, palë është Qeveria e Serbisë. A do të thotë kjo se serbët lokalë tashmë nuk po i besojnë as Beogradit?
NAIM RASHITI
Marrëveshja e arritur është shumë e përkohshme. Duhet një marrëveshje politike për të shtyrë procesin përpara. Nuk mund të llogarisim në këtë marrëveshje në plan afatgjatë.

Natyrisht se ka grupe serbe dhe pjesë të shoqërisë serbe në veri, të cilat nuk i binden Beogradit. Por, po ashtu është fakt se Qeveria e Beogradit nuk ka bërë sa duhet për të përçuar mesazhin te serbët në veri, për çështjet që është marrë vesh me faktorin ndërkombëtar, apo edhe me Prishtinën.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rashiti, përmendët më parë rëndësinë e rolit të EULEX-it, që do të duhej ta kishte në veri. Por, ka qenë vetë Grupi Ndërkombëtar i Krizave, i cili ka thënë se Brukseli, Bashkimi Evropian, zgjidhjen e çështjes së veriut do t’ia lërë vetë Prishtinës e Beogradit. Kjo tezë është hedhur poshtë nga autoritetet e Prishtinës. Çfarë duhet të bëjë tani Bashkimi Evropian?
NAIM RASHITI
Kur kemi thënë se çështjet e veriut duhet të zgjidhen mes Prishtinës e Beogradit, ne kemi menduar në çështjen e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kjo ka të bëjë me pakon e statusit, që Serbia të pranojë Kosovën, por duke zhvilluar një autonomi, një status më të avancuar se Ahtisari për veriun, dhe kështu do të zhvilloheshin marrëdhënie normale ndërshtetërore.

Çështjet e ndërlidhura me veriun, BE-ja i ka lënë si pjesë të një procesi të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Në të vërtetë, BE-ja nuk mund të bëjë asgjë, nëse palët nuk dakordohen rreth çështjeve teknike, si: vulat doganore, lëvizja e lirë, menaxhimi i kufijve - atëherë BE-ja dhe EULEX-i nuk do të bëjnë diçka më shumë.

Por, duke zgjidhur shumë çështje sa i përket tregtisë së lirë, doganave etj., ky proces mund të gjenerojë shumë detyra për EULEX-in, që do të ishin pak më të pranueshme për komunitetin serb atje dhe do të bëhej më i lehtë zbatimi i marrëveshjeve, sepse ka një rezistencë ekstreme të fuqishme ndaj pranisë së autoriteteve të Kosovës në pikat kufitare, si nga serbët, ashtu dhe nga Beogradi.

Prandaj, EULEX-i duhet të jetë pjesë e tërë këtij procesi për të ndihmuar vendosjen e një situate normale atje. Por, këto marrëveshje zgjidhin vetëm funksionimin e doganave, funksionimin e tregtisë mes dy vendeve. Këto nuk zgjidhin statusin e komunitetit serb atje, statusin e komunave. Këto mbesin për një proces tjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, zgjidhja e statusit të komunitetit, siç thoni ju, apo të komunave, gjendet në Planin Ahtisari. Ka ndonjë shenjë se mund të zbatohet ky plan?

NAIM RASHITI

Nuk ka shenja fare. Tash për tash, nuk ka shenja fare se Plani i Ahtisarit mund të zbatohet. Atje ka një rezistencë ekstreme, një rezistencë shumë të madhe dhe nuk duhet ngutur, sepse mund të shkaktohet plasaritje edhe më e madhe.

Duhet t’i jepet kohë komunitetit që të përshtatet, që të jetojë në një situatë ku është e pranueshme edhe Prishtina dhe nuk paraqet ndonjë kërcënim. Duhet ta kuptojnë serbët që Prishtina nuk paraqet ndonjë kërcënim. Serbët atje ende jetojnë me bindjen se janë në Serbi dhe se do të jenë gjithnjë pjesë e Serbisë.

Kjo bindje do të marrë kohë për të ndryshuar. Kështu që, duhet gjetur forma, komunikimi i ndryshëm mes dy kryeqyteteve përmes faktorit ndërkombëtar, që të shohin se bashkëpunimi me Prishtinën nuk paraqet kurrfarë kërcënimi.

RADIO EVROPA E LIRË
Thoni se nuk duhet të ketë nguti. Megjithatë, vetë GNK-ja ka thënë me herët se, nëse nuk do të ketë një zgjidhje të shpejtë për veriun, atëherë ekziston rreziku që veriu të rrëshqasë kah një konflikt i ngrirë që mund të zgjasë me vite të tëra. A po rrëshqet veriu kah ky konflikt i ngrirë?
NAIM RASHITI
Nëse nuk vendoset sistemi i kontrollit në kufi, nëse nuk rivendoset në baza të shëndosha komunikim tregtar dhe i lëvizjes së lirë mes dy vendeve, veriu rrëshqet definitivisht drejt një konflikti të ngrirë, që më pas do të jetë shumë vështirë për ta kthyer. Por, nëse vendosen këta mekanizma, trendi i rrëshqitjes drejt konfliktit të ngrirë kthehet mbrapsht dhe pastaj nuk do të kishte ndonjë rrezik.

Por, këta do të ishin hapat e parë, e pastaj duhet pritur për të filluar proces të ri dialogu për të adresuar edhe çështje tjera, që përfundimisht e zgjidhin çështjen e veriut. Në këtë fazë nuk ka vullnet politik nga të dyja palët, apo palët janë në pozicione ekstreme se si e shohin zgjidhjen.

Tani ka një politikë shumë të hapur e publike të Beogradit për të realizuar ndarjen e veriut. Prishtina ka vetëm një plan - zbatimin e Pakos së Ahtisarit për veriun. Faktori ndërkombëtar është absolutisht kundër ndarjes. Dhe, të gjithë jemi kundër ndarjes së njëanshme të veriut të Kosovës.

Por, faktori ndërkombëtar nuk është i fokusuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje. Zgjidhja e plotë e çështjes së integrimit të komunitetit serb në sistemin kosovar, në juridiksionin kosovar, mbetet për një fazë tjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga ajo që thatë deri tash, del se Prishtina e vetme nuk mund të shtrijë autoritetin në veri?
NAIM RASHITI
Jo. Duhet kuptuar se këtu duhet të luajnë rol të gjithë faktorët, Prishtina, faktori ndërkombëtar, por edhe Beogradi.
XS
SM
MD
LG