Ndërlidhjet

Gjendja e re e krijuar në veri të Kosovës dhe procesi i bisedimeve Prishtinë – Beograd, në shumë analiza janë parë si procese që do të mund të fuzionohen në të ardhmen.

Por, ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, thotë se para bisedimeve, interes i Kosovës do të ishte shtrirja e autoritetit në veri.

Ndërkaq, analisti Ylli Hoxha thotë se nga një status i ngrirë, veriu mund të rrëshqasë kah një status autonom territorial, nëse nuk ka shtrirje të sovranitetit të Kosovës atje.

Sidoqoftë, ish-ministri Hyseni mendon se qeveria dhe institucionet duhet të mbeten këmbëngulëse në shtrirjen e sovranitetit në veri dhe të mos pranojnë imponim temash në bisedime, për të cilat Kosova nuk ka interes.

Ai beson se ende duhet të priten efektet e ndërhyrjes së 25 korrikut në veri, nëse ato do të sjellin apo jo rezultate, para se të vlerësohet se Kosova ka një pozicion më të mirë në bisedime, karshi Beogradit.

Skënder Hyseni
“Asnjë temë nuk mund t’i imponohet Kosovës nëse nuk është interes i saj. Para se të nxitohemi e të themi se tash Kosova është në pozicion më të mirë sesa që ishte përpara disa përpjekjeve për të shtrirë sovranitetin në veri - e them përpjekjeve sepse ato ende nuk kanë dhënë rezultate përfundimtare - Qeveria e Kosovës duhet të vazhdojë me veprime konkrete për ta vendosur kontrollin në gjithë territorin”, thotë Hyseni për Radion Evropa e Lirë.

Analisti Ylli Hoxha pret që Brukseli dhe Uashingtoni të rrisin presionin mbi palët që veriu të përfshihet në tavolinën e bisedimeve.

Vetë intervenimi i Qeverisë së Kosovës në veri, sipas Ylli Hoxhës, si rezultat do të sjellë hapjen e temës së veriut në bisedime, pavarësisht nëse kjo temë do të përfshihet në një afat më të shkurtër apo më të gjatë kohor.

Por, përderisa nuk ka shtrirë sovranitetin e vet në veri, Kosova nuk ka pozicion të mirë në këto bisedime, thotë Hoxha.
Prishtina për këto 3-4 vjet pavarësi nuk ka arritur që të imponojë një konturë elementare shtetërore në veri të Kosovës. Kjo do të krijojë disavantazh në procesin e ardhshëm negociator.

“Natyrisht që është pozicion bukur i dobët sa i përket veriut. Prishtina do të duhej të synonte të vendoste kontroll minimal, së paku mbi pikat kufitare dhe institucionet themelore, siç është gjyqësori, por, për fat të keq, Prishtina për këto 3-4 vjet pavarësi nuk ka arritur që të imponojë një konturë elementare shtetërore në veri të Kosovës. Kjo do të krijojë disavantazh në procesin e ardhshëm negociator”, vlerëson Hoxha.

Zhvillimet në veri kanë rifreskuar idetë dhe opsionet e ndryshme edhe për aranzhimet për këtë pjesë të Kosovës jashtë Pakos së Ahtisarit.

Ish-diplomati kosovar, Skënder Hyseni, thotë se ide të ngjashme ka pasur edhe gjatë procesit negociues të Vjenës. Por, ai thotë se, siç janë refuzuar atëherë, opsionet për autonomi e rirregullim territorial në veri duhet të refuzohen sërish nga ana e Prishtinës zyrtare.
Pakoja e Ahtisarit ofron një varg zgjidhjesh të mjaftueshme, por edhe tepër përmbajtjesore për të gjitha çështjet dhe shqetësimet që mund t’i ketë komuniteti serb.

“Çdo devijim nga Pakoja e Ahtisarit dhe të gjitha ato variante që propozohen sot, janë hedhur, janë refuzuar me këmbëngulje nga delegacionet e Kosovës në Vjenë, sepse janë parë si të dëmshme, si zgjidhje që do ta minonin përfundimisht çfarëdo funksionaliteti të Kosovës si shtet. Pakoja e Ahtisarit ofron një varg zgjidhjesh të mjaftueshme, por edhe tepër përmbajtjesore për të gjitha çështjet dhe shqetësimet që mund t’i ketë komuniteti serb kudo në Kosovë”, thekson Hyseni.

Në anën tjetër, analisti Ylli Hoxha mendon se nga konflikti i ngrirë, veriu do të mund të rrëshqasë drejt autonomisë apo rirregullimit territorial, nëse autoritetet shtetërore nuk ia dalin që të shtrijnë pushtetin atje, sikurse në pjesët tjera të vendit.

“Formulimi i bashkësisë ndërkombëtare, ndonëse tingëllon bukur se nuk do të ketë ndërrim të kufijve, ndonëse tingëllon bukur se nuk do të ketë ndryshim kufijsh, në fakt është edhe i rrezikshëm, sepse mosndërrimi i kufijve nuk përjashton edhe rirregullimin e brendshëm të Kosovës. Rreziku i këtij procesi mund të jetë shtyrja e një zgjidhjeje - e ndryshme nga Pakoja e Ahtisarit - për veriun apo një grumbull të drejtash që në fakt do të paraqisnin një autonomi substanciale për veriun”, thotë Hoxha.

Duke iu përgjigjur shqetësimeve të shumta në media dhe në opinionin publik lidhur me aranzhimet e reja eventuale për veriun, kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar, këtë javë, se nuk do të pranohet asnjë status special për atë pjesë dhe se atje do të ketë vetëm zbatim të Pakos së Ahtisarit dhe vendosje të sundimit të rendit dhe ligjit.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG