Ndërlidhjet

Maqedoni, premtime për reformimin e gjyqësorit


Ilustrim

Ilustrim

Pushteti gjyqësor në Maqedoni nuk është në nivelin e duhur në pjesën që ka të bëjë me pavarësinë dhe efikasitetin e punës së gjykatave, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë ministri i Drejtësisë në Maqedoni, Blerim Bexheti, duke komentuar kritikat që në vazhdimësi vijnë si nga opinioni i brendshëm, ashtu edhe nga ai ndërkombëtar, në adresë të gjyqësorit në vend.

Në këtë, sipas zotit Bexheti, ndikojnë më shumë faktorë, përfshirë edhe kushtet që duhet t’i kenë gjykatësit, por edhe fillimi i zbatimit në praktikë të ligjeve reformuese, që tashmë janë miratuar nga Kuvendi i Maqedonisë.

“Është e natyrshme që ka pasur edhe kritika. Për një gjë të tillë nevojiten më shumë parakushte, që besoj se do të arrijmë t'i sigurojmë, që në kohën e duhur të fillojë zbatimi në praktikë i ligjeve që njihen si reformuese”.

“E rëndësishme është se për këtë duhet të sigurohen edhe kushte. Me sigurimin e kushteve nënkuptoj edhe mjete për funksionimin sa më të mirë të gjykatave dhe prokurorive”,
është shprehur Bexheti.

Sa i përket fajit që mund ta kenë vetë gjykatësit për gjendjen në të cilën ndodhet pushteti gjyqësor, ministri i Drejtësisë ka thënë se për vlerësimet e këtilla që kanë ardhur nga ekspertë të ndryshëm, ka mekanizma kontrollues për të parë nëse gjykatësit i respektojnë rregullat ligjore që i vendosin ata në shërbim të qytetarëve.

Ndërsa, duke komentuar debatet rreth aplikimit të Parimit të Badenterit në Gjykatën Kushtetuese apo të mekanizmit për mbrojtjen e shqiptarëve nga mbivotimi në këtë gjykatë, ministri Bexheti ka thënë se edhe kjo çështje do të mbyllet, pasi nuk gjeti zgjidhje në marrëveshjen mes partnerëve qeveritarë.

“Praktika ka dëshmuar se temat, të cilat i ka hapur Bashkimi Demokratik për Integrim, nëse jo atë ditë, në të ardhmet e afërta gjithsesi janë arritur. Kjo është si rezultat i politikave të drejta që kemi dhe parimeve themelore në funksionim. Gjithçka mendoj se është e arritshme, por nënkuptohet se për atë nevojitet klimë, një marrëveshje politike e kështu me radhë”, ka deklaruar Bexheti.

Ai gjithashtu ka folur edhe për një përfaqësim jo të mirë të shqiptarëve në organet e pushtetit gjyqësor.

“Përfaqësimi nuk është i kënaqshëm. Sipas të dhënave që kam, përfaqësimi është 12 për qind në gjyqësi dhe prokurori dhe këtu do të ketë një angazhim shumë serioz nga ana ime”.

“Kam apeluar edhe deri të Këshilli Gjyqësor Republikan, edhe te Këshilli i Prokurorëve, që numri i përfaqësimit të shqiptarëve të jetë konform Kushtetutës dhe Marrëveshjes së Ohrit, që përfundimisht komunitetet të jenë të përfaqësuara në këto organe shumë të ndjeshme. Kjo do të ndikojë edhe në rritjen e besueshmërisë së shqiptarëve ndaj institucioneve gjyqësore dhe të prokurorisë”,
ka thënë Bexheti.

Sa i përket raportit të ardhshëm të Komisionit Evropian që, sipas vlerësimeve të shumta, do të jetë kritik për pushtetin gjyqësor, ministri i Drejtësisë në Maqedoni, Blerim Bexheti, ka thënë se, pavarësisht përmbajtjes së raportit, institucionet do të vazhdojnë të punojnë në përmbushjen e të gjitha kritereve të parapara për anëtarësimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike.
XS
SM
MD
LG