Ndërlidhjet

Izraeli shpreh keqardhje për vrasjen e policëve egjiptianë


Ministri i Mbrojtjes në Izrael, Ehud Barak, tha se vendi i tij shpreh keqardhje për vdekjen e 5 policëve egjiptianë, të cilët pësuan nga sulmet e forcave izraelite.

Këto të fundit po ndiqnin militantët përgjatë kufirit, në shenjë hakmarrjeje ndaj sulmeve të tyre, të cilat, dy ditë më parë, vranë tetë izraelitë.

Barak tha se ka urdhëruar hetim të ngjarjes dhe se “rrethanat e saj do të shqyrtohen së bashku me ushtrinë egjiptiane”.

Më herët, Egjipti ka njoftuar se do të tërheqë ambasadorin e tij nga Izraeli, për shkak të vdekjes së pesë pjesëtarëve të forcës së sigurisë së tij.

Në deklaratën e lëshuar sot, kabineti i Egjiptit thotë se Izraeli është “përgjegjës politikisht dhe ligjërisht për vdekjen e egjiptianëve”.

Në të njëjtën kumtesë thuhet se “Qeveria e Egjiptit e konsideron incidentin shkelje të marrëveshjes së vitit 1979 për paqe mes dy vendeve”.
XS
SM
MD
LG