Ndërlidhjet

Bajden: SHBA-të nuk do të dështojnë


Xho Bajden

Xho Bajden

"Reuters"

Zëvendës presidenti amerikan, Xho Bajden, sot i ka hedhur poshtë pikëpamjet se fuqia amerikane është në rënie dhe konstatoi se Shtetet e Bashkuara kurrë nuk do të dështojnë, në mbyllje të vizitës së tij në Kinë, e cila i ka ulur tensionet ndërmjet dy ekonomive më të mëdha në botë.

Zëvendës presidenti amerikan, Xho Bajden, i tha audiencës në Universitetin Çengdu në Kinë, se Shtetet e Bashkuara, ende mbesin vendi më i mirë në botë, në aspektin se “ku të investohet”.

Duhet ta kuptoni se askush nuk kujdeset më shumë se ne, pasi Amerika është pronare e 87% të të gjitha aseteve tona financiare dhe 69% të letrave me vlerë të thesarit”, theksoi zoti Bajden, duke u përgjigjur në një pyetje lidhur me borxhet e Shteteve të Bashkuara.


Në këtë kuptim, zëvendës presidenti amerikan, theksoi se interesi i Shteteve të Bashkuara “nuk është vetëm mbrojtja e investimit kinez” dhe shtoi se “Shtetet e Bashkuara kanë një interes gjithëpërfshirës në mbrojtjen e investimeve, derisa Shtetet e Bashkuara kurrë nuk kanë dështuar dhe kurrë nuk do të dështojnë”.

Shtetet e Bashkuara kanë një interes gjithëpërfshirës në mbrojtjen e investimeve, derisa Shtetet e Bashkuara kurrë nuk kanë dështuar dhe kurrë nuk do të dështojnë.

Zoti Bajden i siguroi kinezët se janë “të sigurt”.

Temë kryesore e zëvendës presidentit Bajden, gjatë vizitës pesëditëshe në Kinë, ishte ekonomia, me ç’rast ai theksoi se Shtetet e Bashkuara mund ta kthejnë borxhin e tyre të lartë dhe rritjen e vogël ekonomike dhe se Kina do të mund të luante një rol të pjesshëm duke blerë më tepër prodhime dhe shërbime amerikane.

E di se disa prej jush janë skeptikë lidhur me të ardhmen e Amerikës” u tha të pranishmëve Bajden në Universitetin Çengdu, dhe sugjeroi se “me respekt, nuk pajtohet me këtë pikëpamje”.

Më tutje, ai e përkujtoi audiencën kineze se Shtetet e Bashkuara e kanë ekonominë më të madhe botërore, që është për 2.5 herë më e madhe se e Kinës.

Shtetet e Bashkuara kanë mospajtime me Kinën lidhur me tregti, me cenzurë në Internet, me të drejtat e njeriut dhe me shitjen e armatimit amerikan në Tajvan.

Derisa këto çështje tejet të ndjeshme nuk janë zhdukur, duket se ato janë parakaluar nga dëshira e përbashkët për të treguar besim dhe bashkëpunim në situatën e rrezikimit të ekonomisë globale.

Megjithatë, gjatë qëndrimit në Kinë, zëvendës presidenti amerikan, Xho Bajden, e ka shtruar çështjen e të drejtave të njeriut në mënyrë të përgjithshme, duke i thënë audiencës universitare në Siçuan, se “liria e hapë potencialin e plotë të popullit, dhe në mungesë të saj, shkaktohet trazira”.

Gjatë takimit me kryeministrin Ven Jiabao, zoti Bajden i tha atij se Kina “nuk duhet të brengoset” lidhur me sigurinë e fondeve të saj në Shtetet e Bashkuara, ndërsa zoti Ven ka shprehur besim në qëndrueshmërinë e ekonomisë amerikane, e cila ishte trazuar me shqetësimet për borxhe dhe rritjen e ngadalshme. (f. b.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG