Ndërlidhjet

Thirrje për “largimin e kolonelit”

  • RFE /RL

Pas një lufte prej gjashtë muajsh, kryengritësit libianë kanë raportuar se kanë marrë nën kontroll pjesën më të madhe të Tripolit.

Rebelët depërtuan në Sheshin e Gjelbër - të cilin thanë se do ta riemërojnë Sheshi i Dëshmorëve - pas përballjes me një kundërshtim të dobët nga forcat qeveritare.

Ajo çfarë nisi si lëvizje e protestave popullore gjashtë muaj më parë, tani duket të jetë në prag të fundit, përkatësisht rrëzimit të Muamer Gadafit pas 42 vjetësh në pushtet.

Turmat euforike në mbarë Libinë festuan fitoren gjatë gjithë natës.

Në deklaratën e tij nga rezidenca në Londër, kryeministri britanik, Dejvid Kameron, tha se shumica e Tripolit kontrollohet nga forcat e lira të Libisë. Ai i bëri thirrje Gadafit të japë dorëheqje.

Nuk kemi konfirmim për vendndodhjen e Gadafit, por të paktën dy djemtë e tij janë kapur. Regjimi i tij është duke u copëtuar. Gadafi duhet t’i ndalojë luftimet pa kushte dhe të tregojë qartë se ka hequr dorë nga çdo pretendim për të kontrolluar Libinë”, tha Kameron.

Muamer Gadafit
Sipas tij, u mbetet autoriteteve të reja të Libisë të vendosin për fatin e Gadafit.

Do të doja të shihja kolonel Gadafin të përballet me drejtësinë për krimet e tij. Ai ka kryer krime të tmerrshme kundër popullit, por Libia është një vend sovran dhe është punë e autoriteteve të reja për të bërë atë që ata besojnë se është e drejtë për Gadafin”, tha Kameron.

Më herët, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, tha se beteja ka arritur një “pikë kthese” dhe se Libia po rrëshqet nga “kthetrat e tiranit”.

Në Itali, ministri i Jashtëm, Franko Fratini, tha se “koha e Gadafit ka përfunduar” dhe se ai duhet t’i dorëzohet vetë Gjykatës Ndërkombëtare për Krime.

Polonia, që mban presidencën e tanishme të Bashkimit Evropian, tha se e mirëpret fundin e sundimit të Gadafit.

Edhe NATO-ja, e cila ka mbështetur kryengritësit me fushatën e bombardimeve, tha se sundimi i Gadafit “është shkatërruar”. E njëjta u shpreh e gatshme për të punuar me njerëzit e Libisë.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, ka bërë thirrje për tranzicion paqësor.

"Tani është koha për të krijuar një Libi të re - një shtet të bazuar në liri, e jo në frikë; në demokraci, e jo në diktaturë; në vullnetin e shumicës e jo në vullnetin e disave. Ai tranzicion duhet të vijë në mënyrë paqësore. Ai duhet të vijë tani. Ai duhet të udhëhiqet dhe të definohet nga populli libian", tha Rasmusen.

Duke folur para gazetarëve në Londër, i ngarkuari me punë në ambasadën e Libisë, Mahmud Nakua, pohoi se kryengritësit kontrollojnë 95 për qind të Tripolit dhe të mbarë vendit.

Festa në Tripoli
Por, ai tha se rebelët, megjithatë, presin të përballen me rezistencë në ditët e ardhshme, ndërkohë që të shtëna me armë janë raportuar pranë rezidencës së Gadafit dhe në jug të kryeqytetit.

Nakua ritheksoi angazhimin e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit për demokraci dhe të drejta të njeriut.

Ne do të ndërtojmë një vend demokratik. Ne do të kemi kushtetutë. Ne do të kemi liri në çdo pjesë të vendit dhe fusha të ndryshme të aktiviteteve”, tha ai.

Vendndodhja e Gadafit mbetet e panjohur. Përmes një audio-mesazhi në televizionin shtetëror, Gadafi u zotua të dielën se do të qëndrojë deri në fund, ndërsa u bëri thirrje mbështetësve të tij të vijnë në Tripoli për ta “shpëtuar qytetin”.

Gjykata Ndërkombëtare për Krime tha se ka marrë konfirmimin për arrestimin e djalit të Gadafit, Saif al-Islam.

Bashkë me babanë e tij, ai akuzohet nga drejtësia ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit.

Al Xhazira raporton se djalin tjetër të Gadafit, Muhamedin, rebelët e mbajnë nën arrest shtëpiak. (v.t.)
XS
SM
MD
LG