Ndërlidhjet

WSJ: Rënia e Tripolit


Kryengritësit në Libi

Kryengritësit në Libi

"Wall Street Journal"

Forcat kryengritëse depërtuan në Tripoli të dielën, në atë që duket se janë ditët e fundit në pushtet për Muamer Gadafin dhe për djemtë e tij.

Së pari, ne duhet të jemi mirënjohës për përmbysjen e mundshme të njërit prej diktatorëve më të këqij në botë, i cili sundoi për 42 vjet.

Interesi i Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s tash qëndron në ekzekutimin sa më të shpejtë të mundshëm të ndryshimit, me gjakderdhje minimale.

Finalja më e mirë do të ishte largimi i shpejtë i Gadafit, nëse jo direkt në ndonjë qeli burgu, atëherë në ndonjë strehim arab, ku ai do të ishte në burg të ekzilit.

Rezultati më i keq do të ishte një gjakderdhje urbane, e cila do të mund t’i nxiste trazirat fisnore dhe pajtimin pas Gadafit, që do ta bënte shumë më të vështirë.

Derisa ne kishim bërë presion, Gadafi nuk po bashkëpunonte, duke thënë se ai do të luftonte në Tripoli “deri në fund” dhe duke i ftuar aleatët në gjithë vendin për ta shpëtuar atë.

Por, gazetarët që hynin në Tripoli me kryengritësit, thanë se ata ishin përshëndetur shumë ngrohtësisht nga banorët e entuziazmuar, duke i valëvitur flamujt e kryengritësve, ndërsa kishin hasur në më pak rezistencë të armatosur.

Raportet nga qendra e kryengritësve në qytetin Bengazi, thoshin se kryengritësit i kishin zënë dy djemtë e Gadafit, përfshirë Seif al-Islamin, i cili qartazi dukej se ishte trashëgimtari i Gadafit dhe, për vite të tëra, fytyra e regjimit në Perëndim.

Kryengritësve u mungon çfarëdo lideri i vetëm dominant, që mund të nënkuptojë se do të ketë përleshje të grupeve të ndryshme për autoritet.

Prandaj, është së paku shenjë shprese, se njëri nga liderët e kryengritësve, Husam Naxhair, ka thënë se “gjëja e parë që brigada ime do ta bëjë është krijimi i pikave të kontrollit për ta çarmatosur çdokënd, përfshirë edhe grupet e tjera kryengritëse, pasi, në të kundërtën do të kemi gjakderdhje”.

Lideri tjetër, Mustafa El Xhalil, i tha televizionit Al Arabija, se Gadafi dhe djemtë e tij do të mund të kenë kalim të sigurt nga Libia, nëse ata largohen menjëherë.

Meqë e ka ndihmuar avancimin e kryengritësve me forcë ajrore, inteligjencë dhe armatim, NATO-ja do të ketë një lloj të ndikimit në kryengritësit në ditët që vijnë.

Është për keqardhje që ndoshta Gadafit nuk i është shkaktuar disfatë më e shpejtë, sepse ndoshta më pak njerëz do të ishin vrarë.

Po ashtu, shtrohet pyetja se sa më tepër ndikim do të kenë tash Shtetet e Bashkuara, sikur Amerika të kishte udhëhequr më me forcë prej fillimit?

Planifikimi për këtë moment është pikërisht ajo që ne dhe shumë të tjerë kërkonim nga Departamenti Amerikan i Shtetit, që të angazhohet me kryengritësit prej ditëve të hershme të revoltës, por Shtetet e Bashkuara ishin të ngadalshme për ta bërë këtë dhe vetëm formalisht e kishin njohur Këshillin Tranzicional Kombëtar opozitar, në mesin e muajit korrik.

Hezitimi i kishte dhënë Gadafit shpresë se ai mund të mbetej aty ku është dhe ta detyrojë krijimin e një rruge pakrye.

Libianët do ta përcaktojnë të ardhmen e vet, por Shtetet e Bashkuara e kanë për obligim për t’i treguar botës se intervenimi i NATO-s, megjithëqë i vonuar dhe i ekzekutuar keq, arriti sukses në qëllimet e veta për largimin e diktatorit, për shpëtimin e jetëve dhe për promovimin e qeverisë së re të Libisë, e cila e respekton popullin e vet dhe që nuk e sponsorizon terrorizmin global. (f. b.)
XS
SM
MD
LG