Ndërlidhjet

Mesazhe të qarta paqeje


Kancelarja gjermane Angela Merkel u takua me presidentin serb Boris Tadiq.

Kancelarja gjermane Angela Merkel u takua me presidentin serb Boris Tadiq.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka dhënë porosi të qarta në Beograd se nëse Serbia dëshiron të marrë statusin e kandidatit, duhet të rifillojë dialogun, të arrijë rezultate, t’ia mundësojë EULEX-it veprimin e papenguar si dhe të shuajë strukturat paralele në Kosovë.

Ajo edhe në Zagreb ka thënë se Kosova është parakusht për Serbinë.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i ka vlerësuar këto mesazhe si të drejta dhe të qarta si për Kosovën ashtu edhe për vendet e rajonit.

"Është një mesazh që krijon paqe që njeh realitetin edhe politik edhe juridik në këtë vend, por njëkohësisht është një mesazh që motivon secilin shtet veç e veç që të punojë edhe më shumë, edhe më me zell për integrimet evropiane, por gjithsesi se parakusht është bashkëpunimi i barabartë, i plotë në nivel rajonal”, i tha Kuçi Radios Evropa e Lirë.

Por, presidenti serb Boris Tadiq, edhe në konferencën e përbashkët me kancelaren Merkel, ka thënë se Serbia nuk do ta njohë Kosovën, por do të përpiqet për zgjidhje kompromisi.

Zëvendëskryeministri Kuçi megjithatë shprehet se Serbia ka për obligim që ta njohë shtetin e ri kosovar.

Serbia është në mes të një udhëkryqi do të thosha, në shumë momente të caktuara tenton t’i kënaqë një grusht nacionalistësh të ‘dëshpëruar’ dhe në rrugëtimin e saj për në Unionin Evropian. Serbia ka dhe do të ketë obligim që ta njohë realitetin në rajon, që ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe tërësinë territoriale. Që të mos ndërhyjë në punët tona dhe të japë shenja për një bashkëpunim të plotë rajonal”, ka thënë Kuçi.

Kancelarja gjermane ka thënë në Zagreb se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor mund të bëhen anëtare të BE-së, po që se përmbushin parakushtet, ndërkaq ka theksuar se për Serbinë, parakusht është rregullimi i marrëdhënieve me Kosovën.

Mesazhet e tilla janë vlerësuar edhe nga analistët për integrimet evropiane.

Për analisten e Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Verena Knaus, këto janë ndër mesazhet më të qarta që një lider i Bashkimit Evropian i ka dërguar Serbisë në lidhje me Kosovën.

Sipas saj, kjo siguron kosovarët që Serbia nuk do të hyjë në BE pa zgjidhur çështjen me Kosovën dhe rrjedhimisht nuk do të mund t’i shkaktojë pengesa rrugës evropiane të shtetit të ri.

Mendoj se ka ardhur si mesazh shumë i befasishëm dhe shumë qartë i theksuar nga kancelarja gjermane. Por, mendoj se nuk ka qenë i befasishëm për këdo që i shikon proceset integruese evropiane dhe që e di se BE-ja nuk dëshiron ta ketë një Qipro tjetër dhe së dyti se proceset integruese për Kosovën dhe Serbinë janë praktikisht të pamundura pa e kuptuar realitetin e sotëm".

"Kjo për Serbinë nënkupton se ajo duhet ta kuptojë se Kosova nuk qeveriset nga Serbia dhe se është shtet i veçantë i njohur nga 22 shtete e BE-së dhe për Kosovën që ta kuptojë se Serbia është një fqinj dhe se duhet të merret me këtë, se një ditë duhet të ndajë politikat evropiane dhe që të gjejë konsensus në disa çështje”, i tha Radios Evropa e Lirë, Verena Knaus.

Por, Verena Knaus thotë se pavarësisht një mesazhi të tillë të fuqishëm, për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga 5 shtetet anëtare, BE-ja në sytë e vendeve të Ballkanit del me një pozicion jo të fuqishëm.

Knaus thotë se do të duhej që Gjermania të marrë një rol udhëheqës për të gjetur konsensusin për Kosovën brenda bllokut 27 anëtarësh.

Gjermania duhet të marrë rolin udhëheqës brenda BE-së, me ndihmën e Britanisë së Madhe, Francës e Italisë, që e kanë njohur Kosovën dhe të fillojë një dialog të brendshëm të BE-së, që duhet të vazhdojë krahas dialogut Prishtinë-Beograd. Ky dialog do të duhej të kërkonte zgjidhjen për Kosovën dhe të gjendej një modus që këto 5 shtete ta njohin Kosovën”, tha Knaus.

Zëvendëskryeministri Kuçi thotë se qeveria dhe shteti gjerman ka qenë shumë korrekt në të gjitha fazat e zhvillimit në raport me Kosovën.

Unë besoj se Gjermania është faktor katalizator për qëndrimin unik të të gjitha shteteve anëtare të BE-së”, tha Kuçi, i cili është optimist për rolin që Gjermania mund të luajë tash brenda BE-së, ku ende nuk ka një qëndrim unik karshi statusit të Kosovës për shkak të mosnjohjes nga pesë vendet anëtare.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG