Ndërlidhjet

EULEX-i nuk jep detaje për hetimet në veri


Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit nuk ka dhënë gjatë së martës detaje për hetimet të cilat ky mision është duke i zhvilluar lidhur me ngjarjet e dhunshme që ndodhën në veri të Kosovës më 26 korrik.

Zëdhënësi i EULEX-it, Nicholas Hatën, i tha Radios Evropa e Lirë se për shkak të zhvillimit të hetimeve nuk mund të publikohen të dhënat që flasin për numrin e të dyshuarve, personave të intervistuar dhe të dëshmitarëve.

Hatën bëri të ditur se lidhur me vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, ka tashmë të dyshuar dhe se janë zhvilluar disa intervista me dëshmitarë të caktuar.

Megjithatë, ai nuk dha ndonjë afat kohor se kur mund të priten rezultate konkrete për këto hetime.

“Mendoj se është e rrezikshme të hyhet në këtë temë-të tentojmë të predikojmë se sa do të zgjasë një hetim. E gjitha që mund të them është që EULEX-i ka vënë në veprim burimet e veta në këtë. EULEX-i i konsideron si prioritet këto hetime; puna është duke vazhduar në momentin kur po flasim; dëshmitarët janë duke u intervistuar; skenat e krimit janë ekzaminuar derisa këto hetime të përfundojnë”, u shpreh Hatën.

Më 26 korrik, “në përputhje me legjislacionin përkatës” EULEX-i kishte nisur hetimet lidhur me vrasjen e një pjesëtari të Policisë së Kosovës në fshatin Zupq të Zubin Potokut, tentim vrasjen e oficerëve të Policisë së Kosovës me armë zjarri në afërsi të Zubin Potokut dhe lidhur me shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm përmes hedhjes së një mjeti shpërthyes në një autokolonë të Policisë së Kosovës në afërsi të Mitrovicës ku ishte plagosur një polic.

Hetimet thuhet se janë duke u kryer nga task-forca e EULEX-it për Mitrovicën përfshirë prokurorët e EULEX-it nga Gjykata e Qarkut në këtë qytet dhe Policia e EULEX-it.

Hetimet pasojn djegien e pikave kufitare 1 dhe 31 në veri pas aksionit policor të 25 korrikut për marrjen nën kontroll të atyre pikave.
XS
SM
MD
LG