Ndërlidhjet

Thaçi: Ndërkombëtarët po na përkrahin


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi

Kosova do të mbetet unike dhe nuk do të ketë ndarje, kurse për pjesën veriore do të ketë vendosje të rendit dhe ligjit, ka deklaruar kryeministri Hashim Thaçi.

Gjatë një adresimi të shkurtë para Kuvendit, Thaçi ka informuar deputetët pas pushimeve të verës, se qeveria mbetet e vendosur dhe e përkushtuar që në veri të shtrijë autoritetin e saj.

Që nga aksioni i 25 korrikut për marrjen e pikave doganore 1 dhe 31 në veri dhe vendosjes së regjimit ushtarak nga ana e KFOR-it, atje është ndalur kontrabanda, tha kryeministri.

Edhe këtë herë, Thaçi tha se shtrirja ndërkombëtare në veri dhe stopimi i kontrabandës është dashur të ndodhte para 12 vitesh, duke kritikuar kështu qasjen ndërkombëtare ndaj kësaj pjese të Kosovës.

Kemi kontroll të plotë në kuptimin e sovranitetit të Kosovës dhe ajo që do të duhej të ndodhte në qershor të vitit 1999, të instalohej KFOR-i në pikat kufitare dhe në kufi mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, ka ndodhur tani. Gjithashtu edhe kontrabanda është ndalur për herë të parë dhe ne do të vazhdojmë këmbëngulësisht edhe në të gjitha pikat alternative klandestine që po përpiqen, në mënyrë që kontrabanda të ndalet maksimalisht”, ka thënë Thaçi.

Konstatimet e kryeministrit Thaçi se në veri po vendoset sundimi i rendit dhe ligjit, për opozitën konsiderohet pak sa i hershëm.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri thotë se në vëri në fakt është vendosur një regjim i përkohshëm ushtarak nga ana e KFOR-it, por ende nuk ka vendosje të normalitetit dhe sundimit të rendit dhe ligjit.

Ajo që mund të flasim pas një muaji atje nuk kemi sundim të ligjit, por kemi regjim ushtarak. Praktikisht efekti, nëse mund të flasim nga ana e qeverisë, është se Kosova ka arritur që të vendosë një regjim të kufizuar ushtarak në dy zona dhe praktikisht efekti më i madh është parandalimi i qarkullimit me masë të mallrave të kontrabanduara. Pjesa tjetër mbetet të shihet. Por, deri në sundimin dhe në kënaqjen e ligjit atje, po shihet që do të merr kohë dhe angazhim serioz të qeverisë”, ka vlerësuar Haziri.

Ndërkohë, kryeministri Thaçi ka deklaruar po ashtu se pozicioni ndërkombëtar në raport me masat e qeverisë në veri po ndryshon.

Ndërkaq të gjithë ata që presin që pas zhvillimeve të fundit në veri të hapet tema e veriut si çështje politike, Thaçi tha se kjo nuk do të ndodhë pasi që atje ka problem me sundimin e rendit dhe ligjin dhe jo me perspektivën politike të asaj pjese.

Nëse mbështetja ndërkombëtare në fillim të vendimit të 25 korrikut nuk ka qenë shumë e qartë, tani kjo mbështetje për veprime dhe vendime të institucioneve të Republikës së Kosovës për rend dhe ligj në veri është mbështetje e qartë, është unike dhe vendimet e qeverisë për rend dhe ligj në veri e kanë përshpejtuar edhe procesin e njohjeve të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Thaçi.

Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri i bën thirrje qeverisë që ta braktisë tavolinën e bisedimeve, pasi që sheh rrezik nga ai proces për sovraniteti e Kosovës përderisa ekzistojnë probleme si ai i veriut.

Vazhdimi i bisedimeve do të sjell rezultate që po e ndanë edhe sovranitetin e Kosovës, fatkeqësisht. Nëse themi që në mes një zone të pakontrolluar dhe masave që ka ndërmarrë qeveria kemi mbërri te një mes i artë e ai është regjim i kufizuar ushtarak nga ana e KFOR-it, apo trupave të NATO-s, atëherë duhet të themi që së paku më mirë është të mbahet nën këtë regjim ushtarak sesa të pranohet vendosja e standardeve të dyfishta që do të qonin definitivisht në një Kosovë të dyfishtë, në një Kosovë serbe dhe në një Kosovë shqiptare”, ka deklaruar Haziri.

Sidoqoftë, pas zhvillimeve të muajit të fundit në veri, ka vlerësime nga më të ndryshmet në lidhje me ecurinë e gjetjes së zgjedhjeve politike. Përderisa vija e politikës zyrtare të Prishtinës mbron parimin se atje do të ketë vetëm zbatim të planit të Ahtisarit, analistë por edhe përfaqësues të opozitës shprehin mendimin se këto zhvillime mund të qojnë veriun kah një lloj autonomie territoriale nëse ndërkohë nuk do të ketë një vendosje të rendit dhe ligjit atje.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG