Ndërlidhjet

logo-print

Opozita futet në kompleksin e Gadafit

  • RFE /RL

Në hyrje të kompleksit Bab al Azizia, 23 gusht 2011.

Në hyrje të kompleksit Bab al Azizia, 23 gusht 2011.

Forcat e opozitës libiane kanë hyrë në kompleksin e Muamer Gadafit. Rrjeti Al Xhazira raporton se luftëtarët anti-qeveritarë janë parë duke festuar brenda kompleksit Bab al-Azizia.

Korrespondenti i agjencisë Reuteres thotë se qindra kryengritës kanë plaçkitur uzinën e armëve brenda kompleksit, duke marrë pushkë dhe snajperë. Ndërkaq, CNN thotë se luftëtarët kanë treguar dokumentet e sekuestruara nga ndërtesa, të cilat mbajnë vulën e regjimit dhe emrin e Gadafit.

Vendndodhja e Gadafit mbetet e paqartë, ndonëse Departamenti amerikan i Mbrojtjes “beson se ai nuk është larguar nga vendi”.

Para se forcat opozitare të futeshin në kompleks, shefja për politikë të jashtme e BE-së, Kethrin Eshton, ka mbajtur një konferencë urgjente për media.

Ajo tha se ka folur me kreun e Këshillit Tranzitor të opozitës, Mustafa Abdel Xhalil, i cili, siç tha Eshton, e ka njoftuar se 80 për qind e Tripolit kontrollohet nga kryengritësit, porse "beteja do të marrë kohë".

"Është shumë e rëndësishme që ne kemi filluar dhe po vazhdojmë procesin për të ndihmuar liderët e përkohshëm të Libisë që të përqendrohen në siguri. Ndjenja e sigurisë në vend është themelore për të ardhmen", tha Eshton.

Në anën tjetër, ushtria është parë të qëllojë me artileri dhe armë të tjera të rënda në drejtim të opozitës.

Zëdhënësi i NATO-s, koloneli Roland Lavoi, nuk pranoi të komentojë nëse aeroplanët e Aleancës kanë bombarduar objektivat në kompleksin e Gadafit. Ai tha se sulmet ajrore do të fillojnë nëse “Aleanca vëren se ekziston kërcënim i menjëhershëm kundër popullatës civile”.

Lavoi mohoi deklaratat se NATO-ja po siguron mbështetje ajrore për kryengritësit e opozitës, të cilët po luftojnë në Tripoli. Ai tha se koha e Gadafit po kalon.

“Le të jemi të qartë: pavarësisht zhurmës që mund të bëjnë në Tripoli, regjimi i Gadafit ka kaluar pikën e kthesës dhe po shkon drejt përmbysjes. Tani, është çështje kohe”, tha Lavoi.

Tripoli, 23 gusht 2011.
Ai po ashtu bëri të ditur për luftimet që kanë ndodhur në rrugën që lidh Tripolin me qytetin Sirte – që është vendlindja e Gadafit dhe një bazë e fortë e regjimit.

Lufimet vijnë pasi djali i Muamer Gadafit, Saif al-Islam, për të cilin luftëtarët rebelë kanë thënë se e kanë kapur, ka bërë një paraqitje të befasishme së bashku me përkrahësit e tij në Tripoli.

Duke iu referuar kryengritësve si “tradhtarë”, ai u ka bërë thirrje besnikëve të regjimit të luftojnë kundër atyre që “pretendojnë se kanë 95 për qind të Tripolit nën kontroll”.

Al-Islam, i kërkuar së bashku me babanë e tij nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime, ka bërë paraqitjen pas njoftimit të prokurorit të gjykatës, Luis Moreno Okampo, se forcat rebele kanë konfirmuar kapjen e tij.

Raportet që flasin për statusin e al-Islamit vazhdojnë të jenë kontradiktore. Disa zyrtarë të opozitës thonë se ai ose është arratisur nga kujdestaria e rebelëve, ose është liruar gabimisht, ose ka paguar ryshfet të madh për t’u liruar. (v.t.)

XS
SM
MD
LG