Ndërlidhjet

Derisa Qendra Klinike Universitare e Kosovës vazhdon të ketë mungesë të barnave nga lista esenciale, të njëjtat barna janë kapur nga inspektorati farmaceutik në spitalet dhe barnatoret private, thonë zyrtarë qeveritarë.

Barnat e listës esenciale janë të dedikuara vetëm për institucione shëndetësore publike, për t’u shfrytëzuar nga pacientët që kurohen aty.

Por, në mënyrë të jashtëligjshme, ato kanë përfunduar në institucione shëndetësore private.

Kjo konfirmohet nga sekretari permanent i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj.

Inspektorati shëndetësor dhe farmaceutik ka gjetur në inspektimet e fundit prezencën e sasive të caktuara të këtyre barnave. Kjo flet për një dukur të keqe dhe të jashtëligjshme që po ndodhë”, shprehet Tolaj.

Ndërkaq Haki Ejupi, monitorues i sistemit farmaceutik në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se tashmë gjatë inspektimit, është kapur sasi shumë e madhe e barnave nga lista esenciale dhe janë gjetur në dhjetëra institucione private shëndetësore.

Gjatë aktiviteteve të përditshme të inspektoratit, janë bërë inspektime edhe nëpër spitale private dhe barnatore ku janë gjetur barna nga lista esenciale, në veçanti produkti insulinë, dhe janë ndërmarrë masat e parapara me ligj. Është shqetësuese sepse barnat e listës esenciale janë të mbrojtura dhe dedikohen ekskluzivisht në institucionet publike për pacientë, dhe nuk guxojnë të gjenden në institucione shëndetësore private”, sqaron Ejupi.

Në anën tjetër, pacientët vazhdojnë të ankohen për mungesë të barnave në klinikat brenda QKUK-së.

Donjeta Syla, paciente, thotë se gjatë trajtimit të saj në njërën nga klinikat e QKUK-së, çdo ilaç të përshkruar nga mjeku i është dashur ta blejë.

"Asgjë nuk kemi marrë brenda QKUK-së, të gjitha na kanë thënë t’i blejmë”, thotë ajo.

Por, Mirlinda Qyqalla, zyrtare për informim, në QKUK, thotë se muajt e fundit ka pasur përmirësim në furnizim me barna nga lista esenciale.

Ka mungesë të barnave, edhe pse këta muajt e fundit ka përmirësim të dukshëm të furnizimit.
Ka mungesë të barnave, edhe pse këta muajt e fundit ka përmirësim të dukshëm të furnizimit”, bën të ditur ajo.

Ndërkaq, për kapjen e shumë barnave të listës esenciale nëpër institucione shëndetësore private, zonja Qyqalla thotë të mos jetë në dijeni.

Unë nuk kam ndonjë ankesë në raportet zyrtare, nga inspektorati i shëndetësisë dhe ai farmaceutik, apo ndonjë koment nga ta, se ka pasur ndonjë keqpërdorim të barnave nga lista esenciale”, sqaron ajo.

Sekretari permanent Ilir Tolaj, thotë se e gjithë kjo është një situatë komplekse, meqenëse është duke ndodhur një dukuri negative në mesin e stafit shëndetësor.

Sipas tij, masat ndëshkuese nuk janë zgjidhja e vetme.

Zgjidhja, thotë Tolaj, duhet kërkuar edhe te ngritja e vetëdijes së punonjësve shëndetësorë.

Ne jemi duke e identifikuar këtë dukuri më shumë sesa herëve të kaluara, me siguri se edhe herëve të kaluara ka ndodhur një gjë e tillë. Është një temë jashtëzakonisht delikate, meqenëse flet për një dukuri negative në mesin e punëtorëve shëndetësorë”, shprehet Tolaj.

Ndërkaq, hetimet për gjitha këto institucione shëndetësore private, ku janë zënë sasi të barnave nga lista esenciale, tashmë kanë filluar dhe pritet që gjykatat të marrin vendimet përkatëse.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG