Ndërlidhjet

Anëtarët shqiptarë dhe maqedonas të komisionit shtetëror për regjistrimin e popullsisë ende nuk kanë arritur të zgjidhin kontestin rreth strukturës etnike të regjistruesve, por pas një bllokimi disa mujorë të punës së komisionit, anëtarët shqiptarë kanë dalë me një zgjidhje kompromisi që besojnë se do të mirëpritet edhe nga pala tjetër.

Koncepti i dy bashkësive më të mëdha etnike në nivel të shtetit të zëvendësohet me bashkësinë më të madhe etnike në nivel të regjionit të regjistrimit që nënkupton nivelin e komunës përkatëse dhe pjesa tjetër prej 50 për qind të përfaqësoj jo vetëm bashkësinë e dytë më të madhe, por, të gjitha bashkësitë etnike, përpjesëtimisht në bazë të të dhënave të regjistrimit të vitit 2002. Besoj se kjo është një zgjidhje më cilësore që ka disa përparësive në kuptim të pasqyrimit të realitetit në rrafshin e komunës, gjegjësisht të regjionit statistikor që ne e kemi kërkuar prej kohësh”, u shpreh nënkryetari i Komisionit shtetëror të regjistrimit, Abdylmenaf Bexheti.

Koncepti aktual parashihte që numri i regjistruesve kudo në shtet të jetë i njëjtë.

Pra, në të gjitha zonat përfshirë edhe ato me popullatë etnikisht shqiptare, numri i regjistruesve të jetë i njëjtë, 50 për qind maqedonas dhe 50 për qind shqiptarë, madje në disa zona parashihej që 50 përqindëshi i maqedonasve të zëvendësohej me regjistrues serb me arsyetimin se në atë zonë jetojnë disa familje të përkatësisë etnike serbe.

Kjo rregullativë ishte kundërshtuar ashpër nga anëtarët shqiptarë të cilët edhe kishin braktisur punën e komisionit.

Por, pas shfuqizimit të vendimeve të miratuara, tani sipas anëtarëve shqiptarë, jepen sinjale për arritjen e kompromisit.

Anëtarët shqiptarë kërkojnë që numri i regjistruesve të reflektojë përbërjen etnike në zonat ku bëhet regjistrimi.

Vendimi mbetet të merret në mbledhjen e radhës që do të mbahet pas një jave, që do të jetë edhe mbledhja vendimtare, por pasi dy ditë radhazi komisioni ka funksionuar një atmosferë më mirëkuptuese unë jam disi optimist, por në politikë asnjëherë nuk duhet të thuhet asnjëherë përderisa nuk merret vendimi”, u shpreh Bexheti.

Dallimet rreth strukturës etnike të regjistruesve ndërlidhen me përqindjen e shqiptarëve në Maqedoni.

Në bazë të regjistrimit të vitit 2002, numri i shqiptarëve në Maqedoni, arrin në 25.17 për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë dy milionëshe.

Por, qarqe të ndryshme maqedonase disa herë kanë ngritur dilema nëse është real numri i shqiptarëve në Maqedoni.

Ata pretendojnë se numri i tyre është më i ulët dhe për ngritjen e përqindjes në krahasim me regjistrimet e kaluara, fajësojnë regjistruesit shqiptarë, se gjoja artificialisht kanë rritur numrin e shqiptareve.

Por, edhe shqiptarët kanë dilemat e tyre.

Ekspert shqiptarë të demografisë, në vazhdimësi kanë mbrojtur qëndrimet e tyre, për një përqindje më të lartë të shqiptarëve, duke iu referuar rritjes së vazhdueshme të numrit të nxënësve shqiptarë dhe lindjeve, në krahasim me bashkësitë tjera etnike.

Regjistrimi i popullsisë pritet të mbahet nga data 1 deri më 15 tetor të këtij viti.
XS
SM
MD
LG