Ndërlidhjet

Prishtinë: Edita Tahiri bisedoi me gjeneralin Byler


Zëvendës kryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, priti sot komandantin e KFOR-it, gjeneralin Erhard Byler, me të cilin bisedoi për situatën politike dhe të sigurisë në vend, me theks të veçantë për zhvillimet në vendosjen e sundimit të ligjit dhe rendit në pjesën veriore të Kosovës.

Zëvendës kryeministrja Tahiri çmoi lart angazhimin e KFOR-it për sigurinë dhe stabilitetin në gjithë vendin si dhe bashkëpunimin e ngushtë të Qeverisë së Kosovës dhe KFOR-it për konsolidimin e sovranitetit dhe ligjit në veri të vendit.

Në takim u vlerësua i drejtë angazhimi i Qeverisë për vënien e kontrollit në kufirin verior dhe pikat doganore 1 dhe 31, duke potencuar se është e drejtë sovrane e qeverisë për të vënë kontroll dhe rend në tërë territorin, duke rritur sigurinë për qytetarët dhe eliminuar strukturat paralele, veprimtaritë kriminale dhe kontrabanduese në veri të vendit.

Nga ana e tij, komandanti i KFOR-it, Erhard Byler, vlerësoi se situata e përgjithshme në Kosovë është stabile, duke theksuar se KFOR-i angazhohet fuqishëm për sigurinë e Kosovës.

Ai shprehu angazhimet konkrete të KFOR-it për sigurinë dhe stabilitetin sidomos në veri të vendit dhe gatishmërinë për t’ju përgjigjur çfarëdo sfide në funksion të stabilitetit.

Në takim po ashtu u theksua rëndësia e përballjes me drejtësinë e të gjithë atyre që kanë shkelur ligjin dhe rendin në zhvillimet e periudhës së fundit, përfshirë zbulimin e vrasësve të policit kosovar, Enver Zymberi.
XS
SM
MD
LG