Ndërlidhjet

Tadiq: S'heqim dorë nga Kosova


Serbia nuk do t'i heqë institucionet e saj në Kosovë, edhe nëse një gjë e tillë kushton me mosmarrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka thënë presidenti serb, Boris Tadiq.

"Serbia nuk do ta braktisë popullin e saj në Kosovë, por nuk do të heqë dorë as nga euro-integrimet. Nëse politika evropiane do të kërkojë që Serbia të përcaktohet, përgjigjja ime do të jetë: Serbia nuk heq dorë nga interesat e saj legjitime", transmetojnë mediat serbe deklaratën e Tadiqit.

Ai tha se nuk do të braktisë "politikën e ruajtjes së interesave kombëtare në Kosovë dhe të udhëheqjes së Serbisë kah BE-ja", sepse për këtë politikë, siç tha Tadiq, ka marrë mbështetjen e qytetarëve të Serbisë.

"Nëse do të marrim statusin e kandidatit dhe datën për negociata, kjo vetëm pjesërisht varet prej nesh. Unë jam i bindur se Serbia do të përmbushë çdo kërkesë që është në përputhje me kriteret e Kopenhagës. Nëse BE-ja do të përmbushë rolin e saj, mbetet për t'u parë", tha Tadiq.
XS
SM
MD
LG