Ndërlidhjet

logo-print

Serbët i shkruajnë Ban Ki-munit


Kryetarët e katër komunave serbe në veri të Kosovës i kanë dërguar letër sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun, për ta njoftuar se "misioni i KFOR-t ka dalë nga përgjegjësitë e tij, gjë kjo që ka çuar në përkeqësimin e pozitës së serbëve".

Në letër kërkohet që KFOR-i dhe autoritetet e Prishtinës "t'i shfuqizojnë menjëherë të gjitha masat që i kërcënojnë komunitetit serb të drejtat dhe lirinë e lëvizjes".

Përfaqësuesit serbë i kërkojnë KFOR-it "të kthehet në kufijtë e mandatit të tij, ndërsa obligimet t'i zbatojë në përputhje me Rezolutën 1244".

Ata po ashtu kërkojnë nga Këshilli i Sigurimit dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së "të marrin vendim që brenda 60 ditësh të përgatiten strategjitë dhe planet konkrete për kthimin e 200 mijë personave në shtëpitë e tyre".

"Në vend që të mbrohen të drejtat e 200 mijë personave të zhvendosur, tolerohen përpjekjet e institucioneve të Prishtinës për 'spastrim të ri etnik' të dhjetëra-mijëra serbëve nga veriu i Kosovës", thuhet pos tjerash në letër.

Kjo e fundit u është dërguar edhe autoriteteve në Beograd, përfshirë presidentin Boris Tadiq dhe kryeministrin Mirko Cvetkoviq.
XS
SM
MD
LG