Ndërlidhjet

Seminari Ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, tash e më shumë se 30 vjet, ka qenë dhe mbetet një urë lidhëse për të arritur deri te njohuritë dhe përvojat shkencore lidhur me albanologjinë, për të gjithë albanologët e arbëreshët që jetojnë në Itali.

Kështu vlerëson albanologu dr Agostino Gjordano, arbëresh nga krahina e Kalabrisë, i cili, në kuadër të seminarit që po mbahet në Prishtinë, ka shtruar problemet dhe rreziqet e mbijetesës së gjuhës së vjetër arbëreshe tek arbëreshët, të cilët jetojnë në krahina të ndryshme të Italisë.

“Arbëreshët e thjeshtë, domethënë populli, e flasin thjesht gjuhën e tyre. Do të thotë, e flasin si mund të flitet një gjuhë, si mund të jetë një gjuhë që shkoi para 5 shekujsh e gjysmë në dhe të huaj".

"Por, brezit të ri nuk ia trashëgon. Jo i tërë populli arbëresh ua trashëgon bijve të tyre gjuhën amtare, arbërishten, sepse preferojnë t'ua mësojnë ‘l’tishten’ (italishten). Kështu gjendet më mirë, sepse jemi në dhe italian”,
shpjegon Gjordano.

Por, në vitin 1999, Qeveria italiane ligjërisht u mundësoi arbëreshëve mësimin e gjuhës arbëreshe në të gjitha shkollat e fshatrave arbëreshe në Itali. Albanologu Gjordano thotë se arbërishtja e vjetër ka ndryshime të mëdha nga shqipja e sotme standarde dhe janë të paktë arbëreshë që e flasin gjuhën shqipe.

Sipas tij, arbëreshët duhet bërë përpjekje që ta ruajnë gjuhën e tyre të vjetër, në formën që ka qenë dhe që flitet në, siç i quan ai, katundet arbëreshe.

“Një njeri prej popullit arbëresh e kupton shqipen 40 deri 55 për qind. Nuk e kupton tërësisht. Nuk është gjuha e tij, sepse ka nuanca të tjera. Ai që studioi, që u diplomua në gjuhën shqipe, ai e kupton dhe është më afër gjuhës shqipe".
...jam për një politikë të arbërishtes standarde. Arbërishtja do folur, do shkruar.

"Por, populli i thjeshtë nuk e kupton. Unë jam për një politikë të arbërishtes standarde. Arbërishtja do folur, do shkruar. Pastaj, kur nuk kemi më fjalë, atëherë është gjuha shqipe. Por, jo populli... populli vazhdon të flasë me të folmen e tij”, thotë Gjordano për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, arbëreshët në vazhdimësi kanë qenë prezentë në Seminaret Ndërkombëtare të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare në Prishtinë.

“Shumë arbëreshë kanë ardhur në seminar. Unë kam ardhur këtu për të parën herë në vitin 1976, do të thotë 35 vjet më parë. Është një gjysmë jete. Domethënë, jemi krenarë edhe ne për këtë seminar këtu. Ndër vite, këtu kanë qenë nga 30 deri në 40 arbëreshë. Sivjet jemi 9 prej tyre”, thotë Gjordano.

Bardh Rugova, drejtor i Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, thotë se me pjesëmarrjen e tyre në seminar, arbëreshët kanë dhënë kontribut ndër vite.
Arbëreshët sollën muzikën e mrekullueshme përmes Ana Stratigos, sollën kumtesat përmes Nancit dhe Agostino Gjordanos...

“Ato çka sollën arbëreshët këtu, mund t’i kategorizojmë në disa nivele. Kategoria e parë ishte sjellja e sharmit, të cilin e kanë me vete gjatë gjithë kohës. Sollën muzikën e mrekullueshme përmes Ana Stratigos. Sollën kumtesat përmes Nancit dhe Agostino Gjordanos. Po ashtu, sollën interesimin e studentëve të rinj".

"Patën mundësi që të njihen me albanologët e tjerë, të mbarojnë kurset e gjuhës këtu, si dhe të shfaqin mendimet e tyre për kulturën, gjuhën dhe letërsinë shqiptare dhe arbëreshe”,
thotë Rugova.

Seminari i Ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare do të vazhdojë deri më 27 gusht dhe, gjatë dy ditëve, studiuesit e albanologjisë do t’i shpalojnë kumtesat e tyre në dy sesione shkencore, atë të gjuhës dhe të letërsisë.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG