Ndërlidhjet

Dëshmitari Zyrapi thotë se s'ka parë burg në Jabllanicë


Në rigjykimin e pjesshëm të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe dy ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Idriz Balaj dhe Lah Brahimaj - të akuzuar nga Tribunali i Hagës për vrasje dhe torturë - sot ka dëshmuar Bislim Zyrapi, ish-oficer i lartë i UÇK-së.

Në pyetjet e avokatëve të të akuzuarve, ai ka thënë se gjatë vizitave në Jabllanicë, nuk ka dëgjuar se ekziston ndonjë burg dhe se diçka të tillë nuk ka parë.

Në pyetjen e Ben Emersonit, avokatit të Haradinajt, se për shkak të pozitës së tij në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së në atë kohë, a ka mundur të konsiderohet si komandant i Haradinajt, dëshmitari Bislimi Zyrapi është përgjigjur me pohim.

Në pyetjen e avokatit se “sikur diçka kriminale të kishte ndodhur në Jabllanicë, gjë që mbrojtja nuk e sugjeron, a do ta konsideronte veten përgjegjës”, zoti Zyrapi është përgjigjur “jo, sepse nuk kam pasur informacione lidhur me atë dhe nuk kam qenë i pranishëm”.

Mbrojtja ka sugjeruar se Ramush Haradinaj, me gjithë gradën dhe titullin që ia kishte dhënë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nuk e ka pasur kontrollin e plotë ndaj zonës rreth Deçanit dhe as ndaj forcave të atjeshme të UÇK-së.

Bislim Zyrapi këtë e ka pranuar si të saktë.

Rigjykimi i pjesshëm i Haradinajt, Balajt dhe Brahimajt vazhdon të hënën.
XS
SM
MD
LG