Ndërlidhjet

Mustafa: Jo më bisedime me Serbinë, pa kushte


Isa Mustafa

Isa Mustafa

Kryenegociatorja Edita Tahiri, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës nuk duhet të lejojnë që të vazhdohen bisedimet me Serbinë pa i vendosur kushtet e veçanta dhe pa e përcaktuar pozicionimin e qartë të Kosovës në këtë dialog i cili ka ndryshuar pas 25 korrikut, thotë në njëintervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mustafa, si i shihni zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës dhe ku e shihni rrugëdaljen për fillimin e normalizimit të gjendjes në atë pjesë?

ISA MUSTAFA
Gjendja është mjaft komplekse dhe e rëndë që e rëndon tash edhe funksionimin e fushave tjera në vend. Ne kemi përkrahur iniciativën e qeverisë dhe institucioneve tjera që atje të vendoset ligji, që të ushtrohet sovraniteti në gjithë territorin e vendit. Janë dhënë premtimet e mëdha dhe deklarata të forta nga ana e qeverisë dhe ne kërkojmë që ato të realizohen, sepse çdo njëri të jetë koshient për premtimet, deklaratat që japin. Natyrisht edhe qeveritarët e vendit tonë. Ne kemi konsideruar që çështja e veriut duhet të zgjidhet bashkërisht me faktorin ndërkombëtar, me KFOR-in dhe praninë tjetër ndërkombëtare si EULEX-i dhe të gjithë tjerëve që janë këtu, sepse kontributi dhe marrëveshja për pavarësinë e Kosovës ka qenë një marrëveshje në të cilën ka qenë i inkuadruar faktori ndërkombëtar.

Por, natyrisht që kjo nuk duhet ta na i lidhë këmbët që ne të mos e bëjmë punën tonë, për arsye se ne e kemi gjithë përgjegjësinë që të ushtrojmë, ligjin, rendin, rregullin dhe që të gjithë qytetarëve tanë, pamarre parasysh a janë shqiptarë, serbë apo të komuniteteve tjera t’ju sigurojmë që ata të jetojnë në kushtet e funksionimit të shtetit ligjor. Unë nuk shoh ndonjë zgjidhje të shpejtë të çështjes së veriut, nuk shoh as zgjidhje ashtu si jepen sot deklaratat. Atë që e shoh është përgjegjësinë e qeverisë, qeveritarëve dhe institucioneve tjera që ata ta bëjnë punën e tyre në mënyrë që në veri të funksionoj ligji në mënyrë që të aktivizohen këto pika doganore dhe të funksion reciprociteti, të bëhet trysnia e faktorit ndërkombëtar tek Serbia që t’i heq strukturat paralele ashtu siç ka kërkuar edhe Merkel tani në Beograd, pasi që nëse ata i mbajnë strukturat paralele kjo do të thotë që drejtpërsëdrejti Beogradi dhe qeveria serbe është e implikuar në veri të Kosovës.

Kështu që për Serbinë do të duhej të kishte sanksione nga ndërkombëtarët. Ne si LDK do të bëjmë çdo gjë që të përkrahim iniciativën, aktivitetet dhe masat që të vendoset rendi dhe ligji atje dhe që të funksionoj Kushtetuta, por po ashtu presim që këtë ta bëjnë në mënyrë parimore edhe ndërkombëtarët, sepse tek ne ata nuk munden që me dy kute të veprojnë në Kosovë, që në një pjesë të Kosovës të thonë se nuk e zbatojnë ligjin, kurse në pjesën tjetër për shkak të pazareve me Serbinë të lejojnë që njerëzit të zhvillohen apo veprojnë si grupe kriminale dhe të kriminalizojnë atë pjesë të Kosovës dhe kriminalizojnë edhe jetën atje dhe të ndikojnë keq në buxhetin dhe kryerjen e punëve të institucioneve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë sa vlerësoni se zhvillime të tilla mund të qojnë çështjen e veriut në tavolinën e bisedimeve Prishtinë – Beograd, pavarësisht deklaratave të zyrtarëve në Prishtinë se nuk do të bisedohet për çështje të rregullimit të brendshëm?

ISA MUSTAFA
Unë jam deklaruar edhe më herët dhe përsëris edhe qëndrimin dhe opinionin e LDK-së se ne në asnjë rast nuk do të pranojmë që në mënyrë të veçantë të diskutohet për veriun e Kosovës. Ne nuk jemi akorduar që të diskutohet as në këtë formë edhe për çështjet që po i quajnë qeveritarët tanë dhe një pjesë e deputetëve dhe politikanëve për çështje teknike, sepse disa çështje teknike mandej po bëhen çështje politike, për arsye se Kosova ka hyrë totalisht e papërgatitur në këto bisedime dhe se Kosova duhet të sheh se çfarë do të përfitoj, cilat do të ishin benefitet në qoftë se bisedon me Serbinë.

Deri më tash këtë ne nuk e kemi parë dhe as ndërkombëtarët nuk na e kanë pasqyruar se çfarë fiton Kosova në këto bisedime me Serbinë. Por, ata kanë pasqyruar shumë qartë që këto bisedime po zhvillohen në interes që Serbia t’i plotësoj disa parakushte për para-kandidim për anëtarësim në BE.

Ne nuk do të pranojmë dhe pajtohemi në asnjë rast, qoftë përmes grupit parlamentar të LDK-së në Kuvend, qoftë edhe përmes zërit tonë politik që do ta artikulojmë qartë në opinion, sepse më nuk mund të bisedohet për Kosovën. Kosova e ka zgjidhur çështjen e saj më shpalljen e pavarësisë dhe njohjen e saj nga mbi 80 shtete dhe me gjykimin e Gjykatës Ndërkombëtare e cila e ka shpallë të drejtë vendimin për pavarësinë e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Rrjedhimisht nga kjo, a shihini ju ndonjë mundësi, rrugëdalje që autoritetet e Kosovës të pranojnë zgjidhje të ashtuquajtura ‘ekstra’, qoftë atë Ahtisari plus apo Ban ki Mun minus, si po quhen me terminologjitë politike?

ISA MUSTAFA
Jo, nuk e shoh asnjë zgjidhje të tillë në këtë aspekt dhe çdo zgjidhje e tillë do të ishte fatale dhe e gabuar. Unë i shoh zgjidhjet vetëm përmes zbatimit të Pakos së Ahtisarit ashtu siç është e paraparë me pako, sepse me këtë pako edhe ashtu të gjitha komunat me shumicë serbe kanë më shumë të drejta sesa që kanë komunat tjera.

Këto mjedise ushtrojnë më shumë të drejta edhe vendimmarrëse si në fushën e arsimit, shëndetësisë edhe tek policia, krahasuar me komunat me shumicë shqiptare. Kjo nuk ka qenë e drejtë as në fillim, kur është vendosur, por me qenë se ne e kemi pranuar si të tillë, atëherë ky është edhe maksimumi që Kosova mund ta bëj edhe për komunat tjera, edhe për ato që janë në veriun e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse Beogradi tashmë është konstatuar se mbanë struktura paralele në veri, gjë që e kanë thënë edhe zyrtarë evropian, siç ishte deklarata e zonjës Merkel, atëherë a do të kërkoj Prishtina dhe ju si opozitë që të rishikohet pozicioni i palës kosovare në bisedime me Serbinë?

ISA MUSTAFA
Unë mendoj që pozicioni veç është dashtë të rishikohet. Ne nuk mund të shkojmë si përpara në bisedime. Tashmë 25 korriku e ka ndryshuar pozicionimin e bisedimeve. Është parë që njeriu i cili e përfaqëson Serbinë në bisedime ka qenë ai i cili në një formë i ka shtytë strukturat kriminele në veri që ata të mbajnë barrikada. E ka shpallë atë territor si territor të Serbisë dhe unë nuk shoh asnjë arsye që dikush të ulet dhe të bisedoj me atë që territorin tënd e shpallë territor të vendit të vet sepse shtrohen në pyetje parimet.

Nuk mund të presësh asgjë nga njeriu i cili sillet në formë të tillë, edhe pse unë nuk e lidhi këtë me personalitetin e tij dhe me sjelljet e tij personale, sepse ai i ka përçuar aty porositë e qeverisë së Beogradit dhe të atyre që e kanë angazhuar atë në bisedime. Kështu që unë konsideroj se zonjusha Tahiri, qeveria dhe Kuvendi nuk duhet të lejojnë që të vazhdohet me bisedime pa i vendosur kushtet e veçanta dhe pa e përcaktuar pozicionimin e qartë të Kosovës në këto bisedime.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mustafa, nëse mund të kalojmë edhe në një çështje tjetër që ka të bëjë me LDK-në. Në shkrime në mediat lokale është thënë se mund të pritet një rikthim i z.Fatmir Sejdiu në krye të LDK-së. A keni ju informacione të tilla dhe a jeni të gatshëm të ballafaqoheni edhe njëherë me zotin Sejdiu për kreun e partisë?

ISA MUSTAFA
Unë i kam lexuar dhe mu kanë dukur jo serioze. Është lehtë të vihen hipoteza të ndryshme në mjetet e informimit e pastaj në bazë të atyre hipotezave të kërkohen përgjigje nga po ai që jep hipotezë. Fatmir Sejdiu është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, është kryetar nderi i LDK-së dhe është pjesë e LDK-së. Nuk ka hyrje apo dalje të tij nga LDK-ja.

Ndërkaq çdo anëtar i LDK-së ka të drejtën që të pretendoj nesër në strukturat udhëheqëse brenda strukturave të LDK-së dhe kjo jo vetëm që nuk më brengosë, por ky është një kualitet të cilin ne duhet ta zhvillojmë në LDK, natyrisht duke i respektuar të gjitha procedurat, sepse ne nuk do të bëjmë zgjedhje në LDK as për organet e saj, pa u plotësuar kushtet e statutit dhe kushtet tjera për mbajtjen e zgjedhjeve. Unë nuk shoh këtu asgjë të re. Më shumë shoh manipulime dhe një frikë. Ne se kemi më asnjë problem. LDK është duke punuar si thonë si ‘sahati’.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mustafa, ju udhëhiqni me Prishtinën, andaj nga ky aspekt, cili është bashkëpunimi me nivelin qendror qeverisës dhe ku qëndrojnë punët me Ligjin për Prishtinën?

ISA MUSTAFA
Edhe pse jemi parti, të themi në opozitë, ne duhet të bashkëpunojmë me qeverinë, për arsye se ajo qeveri disponon me të gjitha potencialt financiare dhe potencialet tjera të Kosovës dhe nuk mund të themi se nuk bashkëpunojmë me ju për katër vite derisa të shkoni nga pushteti. Unë kam kontaktuar shumë nga ministrat e kësaj qeverie të fushave të ndryshme, arsimit, planifikimit hapësinor e infrastrukturës edhe në fusha tjera për të krijuar ura të bashkëpunimit në mënyrë që projektet dhe programet që ne duhet t’i bashkërendisim me këto ministri, të themi edhe te shëndetësia t’i bëjmë bashkërisht sepse është në pyetje interesi i qytetarëve dhe jo i partive politike.

Unë jam kryetar i komunës së Prishtinës, i kam marrë votat nga qytetarët e Prishtinës dhe nuk konsideroj se të gjitha ato vota kanë qenë vota të LDK-së, por janë edhe të qytetarëve tjerë të cilët tash presin që atyre t’u përmirësohet standardi, cilësia e arsimit, shëndetësisë, infrastruktura dhe këtë do ta bëjmë maksimalisht dhe do ta ofroj dorën e bashkëpunimit me të gjitha organet qeveritare që kjo të ndodhë.

Është zvarritur pa asnjë arsye aprovimi i Ligjit për Prishtinën dhe me këtë Ligj ne konsideronim se do të siguronim një shumë të mjeteve shtesë, në mënyrë që të mund të financonim disa nga projektet që nuk mund t’i bëjmë si Prishtinë, për shembull unaza e brendshme e qytetit që është një investim shumë i madh edhe që ne nuk mund ta përballojmë. Prishtina jo vetëm që e luan rolin e një komune shumë të madhe, shumë të ngarkuar, por e luan rolin edhe të kryeqytetit dhe ne nuk jemi të trajtuar si të tillë. Ne kemi statusin e njëjtë si çdo komunë tjetër në Kosovë. Ligji tani është në procedurë prapë të ritrajtimit, rishqyrtimit. Ndoshta do të procedohet sivjet, por me rëndësi është që edhe nëse procedohet ne nuk presim që vitin e ardhshëm ne të kemi grante shtesë në bazë të këtij ligji.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG