Ndërlidhjet

logo-print

Kryengritësit i konsolidojnë radhët, por ka rezistencë

  • RFE /RL


Rrugët e kryeqytetit të Libisë, Tripoli, ishin më të qetat, prej natës së 21 gushtit, kur kryengritësit opozitarë depërtuan në qytet dhe e morën kontrollin.

Kryengritësit thonë se aktualisht e kanë nën kontroll 95% të kryeqytetit, megjithëqë po zhvillohen luftime kundër xhepave të mbetur të luftëtarëve lojalë ndaj kolonelit Muamer Gadafi, i cili për 42 vjet e ka sunduar këtë vend.

Korrespodenti i Radios Evropa e Lirë në Tripoli, Xhjems Kirçik, thotë se kryeqyteti duket si “qytet fantazmë”.

Luftimet këtu në masë të madhe kanë përfunduar. Kryesisht luftimet janë të përqendruar në lagjen Abu Salim, që është bazë e lojalistëve. Duke lëvizur me veturë rrugëve të Tripolit, këtë mëngjes, duket tërësisht si një qytet fantazmë, pasi vështirë që e shihni ndokënd, me përjashtim të atyre që janë në pika kontrolli. Ata janë praktikisht në çdo bllok. Këta janë njerëz të rinj me armatim dhe ata tash e kanë kontrollin në pjesën më të madhe të qytetit”, thotë korrespondenti Kirçik.

Ai i ka parë njerëzit që për të parën herë e kanë falur Xhumanë në qytet, prej se ai është nën kontrollin e forcave opozitare.

Kjo ishte premtja e parë prej se Tripoli është çliruar, pra është falja e parë e Xhumasë dhe shumë njerëz kishin shkuar në xhami.

“Kjo ishte premtja e parë prej se Tripoli është çliruar, pra është falja e parë e Xhumasë dhe shumë njerëz kishin shkuar në xhami. Kjo ishte falja e parë në 42 vitet e fundit, që Gadafi nuk është në pushtet. Ne folëm me disa liderë fetarë dhe ata ishin shumë të lumtur. Kjo është krejtësisht një përvojë e re për ata. Në të kaluarën, ata ishin monitoruar nga afër prej qeverisë, nga predikuesit e tyre, nga veprimtaritë e tyre. Tash ata marrin frymë lirisht dhe në liri e mbajnë fenë e tyre”, thotë korrespondenti i Radios Evropa e Lirë në Tripoli, Xhejms Kirçik.


Pas faljes, një numër i banorëve kishin dalë nga xhamitë dhe banesat për të festuar në rrugë duke brohoritur “kokën lart, ju jeni libian i lirë”.

Por, derisa intensiteti i luftimeve ka rënë, është shënuar edhe zvogëlim i viktimave njerëzore.

Korrespondenti Kirçik i ka konfirmuar raportet se spitalet e kryeqytetit, që kanë mungesë të personelit mjekësor dhe të furnizimeve, po mundohen t’i pranojnë të plagosurit dhe trupat e të vrarëve.

Në një numër të spitaleve në Tripoli, morgjet janë të stërmbushura me kufoma, që kanë filluar të shkatërrohen.

Mustafa Abdel Xhalil nga Këshilli Tranzicional Kombëtar i kryengritësve, tha se afro 20 mijë njerëz janë vrarë gjatë luftimeve gjashtë muajshe për ta përmbysur Muamer Gadafin, vend-ndodhja e të cilit nuk dihet ende. (f. b.)
XS
SM
MD
LG