Ndërlidhjet

Niveli i lartë i korrupsionit dhe krimit ekonomik në Kosovë po pengon zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, thonë njohës të fushës së ekonomisë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Sipas tyre, kjo dukuri ka ndikuar edhe në zbehjen e imazhit të vendit karshi investitorëve ndërkombëtarë.

Ismail Kastrati, ekspert për çështje ekonomike, konsideron se prania e krimit ekonomik dhe e korrupsionit në vend zvogëlon efektet ekonomike, pasi, siç thotë ai, paratë e fituara nga këto dukuri, shkojnë kanaleve të errëta dhe nuk sjellin efekte pozitive.

“Në një vend ku lulëzon korrupsioni dhe krimi ekonomik, investitorët e huaj nuk vijnë; ata vështirë vendosin që të investojnë në Kosovë, për shkak se ballafaqohen me barriera që në fillim”.

“Në anën tjetër, të gjitha tendencat korruptive dhe të krimit ekonomik e zvogëlojnë edhe buxhetin e Kosovës”,
thotë Kastrati.

Avni Zogiani, nga Organizata Joqeveritare ”Çohu”, thotë se korrupsioni dhe keqmenaxhimi janë faktorët kryesorë që e bëjnë Kosovën të ballafaqohet me gjendje të vështirë ekonomike.
Nuk mund të flitet për një zhvillim ekonomik në një vend ku sektori publik është punëdhënësi më i madh, ku njëkohësisht ka prani enorme të korrupsionit...

“Nuk mund të flitet për një zhvillim ekonomik në një vend ku sektori publik është punëdhënësi më i madh, ku njëkohësisht ka prani enorme të korrupsionit dhe mungesë të praktikave të mirëmenaxhimit”.

“Nuk mund të flitet për zhvillim ekonomik në një vend të përfshirë në keqmenaxhim dhe korrupsion. Unë mendoj se Kosova është një vend i tillë”,
thotë Zogiani.

Edhe zyrtarët qeveritarë pajtohen se korrupsioni ndikon në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, pasi, sipas tyre, prania e kësaj dukurie krijon pasiguri te kompanitë që veprimtarinë e tyre e zhvillojnë në mënyrë ligjore, pastaj zvogëlon të ardhurat buxhetore dhe njëherësh dëmton imazhin e vendit.

Arbnor Kastrati, këshilltar në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, thotë se ekzekutivi po bën përpjekje të vazhdueshme për eliminimin e dukurive, të cilat pengojnë rigjallërimin ekonomik të vendit.

Qeveria e Kosovës
“Qeveria e Kosovës është e përkushtuar fuqimisht për të luftuar krimin. Me qëllim të luftimit të këtyre dukurive janë ndërmarrë disa masa, siç janë: hartimi i ligjeve, përkrahja e institucioneve të ndjekjes dhe përcaktimi i qartë për zero tolerancë ndaj krimit”.

“Duhet theksuar se në institucionet e vendit ka gatishmëri shumë të fuqishme politike për luftën kundër korrupsionit”,
thotë Arbnor Kastrati.

Por, eksperti i ekonomisë, Ismail Kastrati, thotë se përderisa këto deklarata nuk përcillen me vepra konkrete, ato mbeten vetëm “deklarata politike”.

“Qeveria gjithnjë është deklaruar se ka zero tolerancë ndaj korrupsionit, mirëpo realiteti është pak më ndryshe. E, patjetër që duhet një koncentrim më i madh në luftën kundër korrupsionit dhe për të krijuar një ambient më të qëndrueshëm dhe më të shëndoshë për të bërë biznes në Kosovë”, thotë ai.

Ekspertët pajtohen se zhvillimi ekonomik në Kosovë vazhdon të mbetet një nga sfidat më të rënda përballë institucioneve vendore.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG