Ndërlidhjet

Strukturat paralele në dëm të serbëve


Rudarë - foto arkivi
Rudarë - foto arkivi
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, riaktualizoi këto ditë problemin e strukturave paralele serbe në Kosovë, duke e vënë shpërbërjen e tyre si një nga parakushtet për Serbinë që të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Por, Beogradi zyrtar ka dhënë sinjale se më parë heq dorë nga kandidatura, sesa nga organet paralele, përmes të cilave ushtron kontroll në disa pjesë të Kosovës, tash 12 vjet.

Ministri i Pushtetit Lokal nga radhët e komunitetit serb, Sllobodan Petroviq, thotë se me këtë veprim, Serbia po i dëmton qytetarët serbë të Kosovës.

Ai thekson se mesazhi i kancelares Merkel për shpërbërjen e strukturave paralele në veri, në mënyrë që të krijohen komunat kosovare, gjë për të cilën punon ministria e tij, është në interes të qytetarëve.

Sllobodan Petroviq
“Sa më shumë që të ketë përfaqësues të tillë të Qeverisë serbe, aq më shumë rëndohet dhe ngadalësohet procesi i forcimit të cilësisë së jetës së qytetarëve tanë. Natyrisht se nuk mund të funksionojnë dy sisteme dhe natyrisht se ai sistem, të cilin qytetarët e shohin në interes të tyre, është më me prioritet dhe më jetëgjatë”.

“Jam i sigurt se shteti i Serbisë do t’i njohë interesat e tij në këtë proces, në mënyrë që të lehtësojë qasjen kah BE-ja. Unë jam i sigurt se, para së gjithash, për interesa të tij, do të punojë edhe në heqjen e këtyre strukturave”,
thotë për Radion Evropa e Lirë Petroviq, që njëherësh mban edhe postin e zëvendëskryeministrit.

Nisma për shpërbërjen e strukturave paralele ka pasur përgjatë 12 vjetëve, që nga përfundimi i luftës. Por, të tillat më shumë kanë mbetur në letër, sesa që janë zbatuar në praktikë.

Plani i Ahtisarit, mbi bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës, sipas ish-ministrit të Pushtetit Lokal, Sadri Feratit, paraqet zgjidhjen më të mirë për eliminimin e këtyre strukturave të paligjshme.

Ai thotë se Plani i Ahtsiarit është dizajnuar në atë mënyrë, që për t’iu ikur keqkuptimeve në veri, të mos instalohen menjëherë institucionet e Republikës së Kosovës, por për siguri e drejtësi për një kohë të mbetet përgjegjës misioni evropian.

Por, me gjithë këto lehtësira, përparimi nuk duket i afërt.

“Problemi është që as ky progres nuk po ndodh, për të cilin është dizajnuar Pakoja e Ahtisarit. Këtë ide po e prish edhe Beogradi, edhe nganjëherë mungesa e këmbëngulësisë dhe vendosmërisë së disa misioneve dhe disa zyrtarëve brenda, që atë çështje e marrin si një çështje që mund të prolongohet”.

“Por, duke u prolonguar këto veprime, po prolongohen komplet rezultatet. Prandaj veriu, edhe pas 12 vjetësh, i përngjan veriut të vitit 1999”,
thekson në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë ish-ministri Ferati.

Struktura paralele serbe ka pasur në të gjitha vendbanimet e banuara me shumicë serbe. Megjithatë, Ferati thotë se në komunat e reja serbe, të krijuara sipas Planit Ahtisari, këto struktura janë bërë të panevojshme.

Sadri Ferati
“Aty ku kanë pasur qasje institucionet e Kosovës, ku janë instaluar strukturat e qeverisjes lokale, jeta ka filluar të normalizohet dhe ato po ofrojnë shërbime për qytetarët dhe nuk po shihet nevoja për struktura paralele. E njëjta mund të ndodhë në veri, sa u përket të drejtave dhe kualitetit të jetës së qytetarëve”.

“E tëra që bëhet atje nuk ka për qëllim kualitetin e jetës, ngase dëshmitë flasin ndryshe. Atje kemi të bëjmë me një ambicie të një projekti politik të shantazhimit të situatës, e deri tek ambiciet e ndarjes, statuseve të ndryshme etj.”,
shprehet Ferati.

Qeveria e Serbisë jep çdo vit dhjetëra miliona euro për strukturat paralele serbe në Kosovë. Por, kohëve të fundit, shumë nga politikanët serbë, që janë bërë pjesë e institucioneve të Kosovës, hedhin kritika ndaj Beogradit, duke thënë se paratë asnjëherë nuk shkojnë në të mirë të qytetarëve, por përfundojnë në xhepat e atyre që mbajnë poste fiktive të ndërmarrjeve, që më nuk kontrollohen nga Serbia.

Qeveria e Kosovës është zotuar se do të shtrijë autoritetin kushtetues në veri të vendit.

Dy ditë më parë, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se veprimet në veri kanë për qëllim shuarjen e strukturave paralele, por nuk janë të drejtuara kundër komunitetit serb.

Rexhepi ka inkurajuar qytetarët në veri edhe ata që aktualisht punojnë për organet paralele, që të integrohen në institucionet e ligjshme kosovare.
XS
SM
MD
LG