Ndërlidhjet

Ligjet evropiane s’gjejnë zbatim praktik


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

“Agjenda evropiane është prioritet i të gjitha forcave politike dhe ne kemi arritur ujdi që përparësi t`i jepet miratimit të ligjeve konform legjislaturës evropiane”, thotë Silvana Boneva, koordianatore e grupit parlamentar nga partia më e madhe maqedonase në pushtet, VMRO DPMNE.

Ajo gjithashtu bën të ditur se veçmë është përcaktuar dhe dinamika e punës, që të arrihen afatet e caktuara edhe nga Sekretariati për çështje të integrimeve.

“Para së gjithash, përparësi do të kenë ligjet me shenjë evropiane. Për këtë çështje, të paktën, nuk kemi dallime me opozitën sa i përket harmonizimit të legjislacionit. Me dinamikën e hartuar, shpresoj t’i realizojmë obligimet e përcaktuara nga komuniteti ndërkombëtar, si vend që pretendon të marrë datë për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thotë Boneva.

Por, opozita thotë se një pjesë e madhe e ligjeve evropiane janë të pazbatueshme, pikërisht për faktin se “ato miratohen pa konsensus mes opozitës dhe shumicës parlamentare, si dhe pa debat ku do të shqyrtohej kapaciteti real i institucioneve për t’i zbatuar të njëjtat”.

“E para, mënyra se si ato miratohen është shumë joevropiane; e dyta, përmbajtja e po këtyre ligjeve është shumë larg standardeve evropiane, andaj të njëjtat nuk gjejnë zbatim”.

“Thjesht, këto ligje paraqesin një listë figurative për të dëshmuar para faktorit ndërkombëtar se ‘ja, Maqedonia ka realizuar një pjesë të detyrimeve’, por realisht nuk është bërë asgjë”, thekson Jani Makraduli, deputet i Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë.

Edhe ish-deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Adnan Jashari, njëherësh ligjërues në Fakultein Juridik të Universitetit të Evropës Juglindore, thotë se jo vetëm ligjet evropiane, por edhe ato që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit hasin në vështirësi gjatë zbatimit në praktikë.

“Është çështja e mosmiratimit të një mekanizmi apo ndonjë instrumenti, i cili do t’i obligonte pjesëmarrësit apo palët që t’i respektojnë dispozitat ligjore, të cilat janë të inkorporuara në ligj”, thotë Jashari.

Sipas tij, është momenti që realiteti të shihet me “sy hapur” dhe ligjet që nuk janë funksionale, të revidohen.

“Nuk ka ligje e as që mund të ketë ligje ideale. Nëse dëshmohet se e meta qëndron në zbatimin e ligjeve, gjegjësisht në operacionalizimin praktik të tyre, këto ligje duhet ndryshuar me pretekst që të eliminohen këto të meta”, shprehet Jashari.

Ekspertët gjithashtu theksojnë se pushteti, nën maskën se çështja e emrit është ajo që bllokon proceset integruese, kamuflon ngecjet në realizimin e reformave, si pasojë e mospraktikimit të ligjeve.

“Mbase çështja e emrit gjithnjë e më shumë shfrytëzohet për të arsyetuar bllokimin e reformave në institucionet shtetërore, që dukshëm ngufat dhe sundimin e së drejtës, e me këtë dëmton dhe procesin e zhvillimit të kapaciteteve demokratike”, thotë ish-diplomati Nano Ruzhin.
XS
SM
MD
LG