Ndërlidhjet

Serbët me kushte



Liderët serbë të veriut të Kosovës janë skeptikë se do të marrin ndonjë përgjigje në letrën të cilën ditë më parë ia kanë dërguar sekretarit të përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun.

Në letrën e dërguar kreut të Kombeve të Bashkuara, të ashtuquajturit kryetar të katër komunave serbe në veri të Kosovës, kanë akuzuar KFOR-in për jo neutralitet dhe kanë kërkuar nga ai që të kthehet në kufijtë e mandatit të tij, ndërsa obligimet t'i zbatojë në përputhje me Rezolutën 1244.

Po ashtu, në këtë letër është kërkuar që KFOR-i dhe autoritetet e Prishtinës t'i shfuqizojnë menjëherë të gjitha masat që ua kërcënojnë komunitetit serb të drejtat dhe lirinë e lëvizjes.

Kërstimir Pantiq, lider i serbëve të veriut të Mitrovicës, thotë se përmes letrës së dërguar Ban Ki Munit, kanë dashur që ta informojnë atë për gjendjen në veriun e Kosovës dhe kanë kërkuar nga ai që të merren masa që kjo gjendje të mos përkeqësohet.

Sekretarit të përgjithshëm i kemi dërguar letër dhe nga ai kemi kërkuar që gjendja të kthehet ashtu siç ka qenë para 25 korrikut. Kemi kërkuar që përmes dialogut, i cili tashmë ka filluar ndërmjet Beogradit zyrtar dhe delegacionit të shqiptarëve të Kosovës, të gjenden zgjidhjet për të gjitha çështjet kontestuese, përfshirë këtu edhe çështjen e pagesës së taksave administrative ose akcizës në vendkalimet kufitare”, thotë Pantiq.

Ndërkaq, lideri tjetër i serbëve të veriut të Kosovës, Marko Jakshiq, pajtohet me përmbajtjen e letrës që i është dërguar Ban Ki Munit nga serbët, por ai vlerëson se këta të fundit nuk do të marrin ndonjë përgjigje lidhur me të.

Unë nuk jam shumë i bindur për suksesin e kësaj letre, duke pasur parasysh që serbët edhe deri më tash i kanë shkruar në disa raste Ban Ki Munit dhe në njëfarë mënyrë nuk kanë pasur ndonjë përgjigje. Janë të pakta kërkesat që i janë drejtuar Ban Ki Munit e që janë realizuar. Kështu që edhe kësaj here, nuk besoj që ajo letër do t’i ndryshoj gjërat”, thekson Jakshiq.

Këshilli i Sigurimit të mbajë seancë të rregullt për Kosovën. Pantiq shprehet jo optimist lidhur më rezultatet e kësaj seance.

Presim që Këshilli i Sigurimit t’i gjykojë veprimet e njëanshme të Prishtinës. Por, jemi të vetëdijshëm edhe për faktin se në Këshillin e Sigurimit, një pjesë e vendeve që kanë të drejtën e vetos, ua mbajnë anën shqiptarëve dhe i mbështetin ata në përpjekjet e tyre që me dhunë t’i marrin vendkalimet kufitare. Kështu që, nuk presim një gjykim të qartë të atyre veprimeve të njëanshme, por ndonjë deklaratë, në të cilën të gjitha palët do të ftohen për vetëpërmbajtje dhe që problemet t’i zgjidhin përmes rrugëve paqësore dhe me dialog”, thotë Pantiq.

Edhe Jakshiq, mendon se kërkesa e ministrit të jashtëm serb Jeremiq në Këshillin e Sigurimit, që gjendja në veri të Kosovës të kthehet ashtu siç ka qenë para 25 korrikut, nuk do të miratohet.

...Vuk Jeremiq ka qëllime të mira, por duke pasur parasysh ekuilibrin e forcave në Këshillin e Sigurimit, mendoj që planet e tija nuk do të kalojnë.
Ajo që unë personalisht mendoj është që zoti Vuk Jeremiq ka qëllime të mira, por duke pasur parasysh ekuilibrin e forcave në Këshillin e Sigurimit, mendoj që planet e tija nuk do të kalojnë”, shprehet Jakshiq.

Ai ka shtuar se gjendja aktuale në veriun e Kosovës është e qetë. Në anën tjetër, zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës dhe të EULEX-it, kanë paralajmëruar se janë duke i zhvilluar hetimet lidhur me vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, si dhe djegien e vendkalimit kufitar në Jarinjë dhe se, siç është thënë, tashmë kanë identifikuar persona të dyshimtë.

Jakshiq thotë se gjendja e qetë në veri të Kosovës mund të ndryshojë varësisht nga veprimet e Qeverisë së Kosovës dhe të EULEX-it.

Para së gjithash, do të varet nga sjelljet e autoriteteve në Prishtinë dhe të EULEX-it. Me siguri se, në rast se tentohet të burgoset kushdo nga serbët, kjo do të ketë përgjigjen në mbledhjen e popullit. Ndryshe, nëse nuk do të ketë aksione të tilla ose paralajmërime në këtë kuptim, atëherë mendoj se situata do të jetë e qetë”, përfundoi Jakshiq.
XS
SM
MD
LG